Qytetarët e Obiliqit pritet të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore vitin e ardhshëm

Vitin e ardhshëm pritet që qytetarët e Obiliqit të kenë qasje në sistemin e ngrohjes qendrore. Projekt ky që konsiderohet si i domosdoshëm për shkak të kursimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjes së ambientit. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi thotë se ky projekt ka një kosto jashtëzakonisht të madhe, rreth 50 milionë euro.

shtator 13, 2025 - 14:00
 0
Qytetarët e Obiliqit pritet të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore vitin e ardhshëm
Qytetarët e Obiliqit pritet të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore vitin e ardhshëm

Qytetarët e Obiliqit pritet të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore vitin e ardhshëm

Vitin e ardhshëm pritet që qytetarët e Obiliqit të kenë qasje në sistemin e ngrohjes qendrore. Projekt ky që konsiderohet si i domosdoshëm për shkak të kursimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjes së ambientit.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi thotë se ky projekt ka një kosto jashtëzakonisht të madhe, rreth 50 milionë euro. Sipas tij, ishte paraparë që një pjesë e mjeteve të sigurohej përmes një kredie të butë, por për shkak të sanksioneve, siç thotë ai, një mundësi e tillë tashmë është e pamundur.

Pavarësisht kësaj, Gashi shprehet optimist se në marrëveshje me Prishtinën, pritet që ky projekt të funksionalizohet në vitin 2026.

Në një intervistë për KosovaPress, Gashi flet për dëmin e shkaktuar nga kontrata kolektive, vështirësitë në realizimin e projekteve dhe për planet në të ardhmen.

“Synimi ynë është finalizimi i ngrohjes qendrore. Është një projekt shumë madhor që është nisur në komunën tonë dhe që është shumë i domosdoshëm për shkak edhe të kursimit të energjisë elektrike. Mirëpo, edhe në kuptimin e impaktit në ambient… Është projekt që ka kosto jashtëzakonisht të madhe. Ne kemi menduar që të marrim edhe ndonjë kredi të butë, por për shkak që Kosova është në sanksione nuk kemi mundur ta realizojmë një gjë të tillë. Pastaj, kemi adresuar disa herë kërkesat edhe në qeveri, por edhe në parlamentin e Kosovës, të cilat nuk kanë gjetur mirëkuptim. Besojmë që me forcat tona dhe një marrëveshje që e kemi me Prishtinën për zhvillim të kapaciteteve edhe për Prishtinën edhe për Obiliqin, besoj që vitin e ardhshëm qytetarët e Obiliqit do të jenë me ngrohje qendrore… Deri në përmbyllje të projektit është diku rreth 50 milionë euro. Faza e parë do të jetë përmbyllja e Obiliqit. Pastaj zhvillimi i projektit drejt Milloshevës dhe Mazgitit, besoj që nëse do të krijohet mundësia buxhetore ne jemi të gatshëm të vazhdojmë… Tani ne e kemi përmbyllur fazën e dytë të tenderimit dhe do ta vazhdojmë projektin”, thotë Gashi.

Gashi, në një intervistë për KosovaPress thotë se katër vitet e fundit kanë qenë më të vështira në krahasim me periudhat e mëhershme, për shkak të ndikimit të kontratës kolektive. E pavarësisht sfidave, thekson se puna për realizimin e projekteve ka vazhduar.

Ai përmend ndërtimin e sallave të edukatës fizike, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, krijimin e kushteve për hapjen e dy çerdheve dhe projektin për brezin e gjelbër në hyrje të Obiliqit.

Në fushën e shëndetësisë, Gashi thotë se është funksionalizuar laboratori në Milloshevë, derisa përmend edhe organizimin e kontrolleve nëpër sëpi për pacientët.

Ndërkohë, ai potencon se komuna vazhdon të mbështesë të rinjtë me bursa për studentët dhe transport për nxënësit, si dhe po punon në projekte të tjera si ndriçimi publik, trotuaret dhe përmirësimin e kushteve mjedisore.

“Këto katër vite kanë qenë pak më të vështira se vitet e kaluara për shkak të buxhetit, për shkak të kontratës kolektive. Goxha shumë është dëmtuar edhe komuna jonë sikurse të gjitha komunat e tjera. Por, mbi të gjitha, ne ia kemi dalë dhe jemi duke punuar në drejtim me të gjitha realizimet që i kemi premtuar. Një pjesë e projekteve janë në ekzekutiv, kurse pjesa tjetër janë përmbyllur. Sallat e edukatës fizike, një pjesë e madhe e infrastrukturës, krijimi i mundësisë për fillimin e dy çerdheve që i kemi, brezin e gjelbër në hyrje të Obiliqit. Tani jemi duke bërë edhe zgjerimin e rrugës dhe stazat e biçikletave. Janë edhe projekte të tjera, harta zonale, plani zhvillimor që kemi pasur këtë mandat… Është punuar shumë edhe në çështjen ambientale. Pastaj, tek shëndetësia është realizuar në Milloshevë laboratori dhe fillimi i dy ndërrimeve, kontrollet nëpër sëpi. Vazhdojmë prapë sikur edhe përpara me bursa për studentë, me transport për nxënësit, e shumë çështje të tjera, trotuare, ndriçim”, thotë Gashi.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi thotë se synim tjetër është përfundimi i pishinës si dhe rrënimi i një objekti pranë komunës për t’i hapur rrugë ndërtimit të një parkingu të ri me kapacitet të mjaftueshëm, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe zgjidhjen e mungesës së hapësirave për vetura.

Ai shton se do të vazhdojnë investimet në ndriçim publik dhe mirëmbajtje, si dhe në mbjelljen e drunjve, duke pasur parasysh nivelin e ndotjes në Obiliq.

“Do të vazhdojmë me përmbylljen e pishinës. Pastaj është parkingu që planifikojmë rrënimin e këtij objekti që është afër komunës dhe ndërtimin e një parkingu që do të ketë kapacitete të mira për qytetarët e Obiliqit. Do të vazhdojmë me rrënimin e postës, zgjerimin e shesh-it , rindërtimin e infrastrukturës tek sheshi “Aziz Zhilivoda”, rindërtimin e rrugës “Adem Jashari”, do të vazhdojmë me mirëmbajtjen e ndriçimit publik, mirëmbajtje të tjera. Normal, edhe mbjelljen e drunjve prapë për arsye se Obiliqi është shumë i ndotur, do të bëjmë përpjekje që projekti që është filluar me Bankën Botërore dhe ka stagnuar që nga viti 2021 që të jetësohet”, thotë Gashi.

Ndër të tjera, Gashi thotë se në procesin e realizimit të projekteve ka ndikuar edhe moskonstituimi i Kuvendit, për çka potencon se tani më kërkesat të cilat adresohen, nuk trajtohen fare./KP