Qytetarët e RMV-së në procedura të lodhshme për të korrigjuar faturat paushalle, nga 15.000 ankesa në EVN vetëm 15% janë pranuar

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut duhet të kalojnë procedura të lodhshme për të korrigjuar faturat paushalle astronomike. Nëse një qytetar dyshon në faturën e EVN-së, fillimisht duhet të paraqesë ankese në EVN Home. Nëse EVN nuk përgjigjet brenda afatit ligjor ose qytetarët nuk janë të kënaqur me përgjigjen, duhet të ankohen në KRRE. Në rast […]

Mars 4, 2025 - 13:00
 0  3
Qytetarët e RMV-së në procedura të lodhshme për të korrigjuar faturat paushalle, nga 15.000 ankesa në EVN vetëm 15% janë pranuar
Faturë e energjisë elektrike (EVN). Foto: Meta.mk

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut duhet të kalojnë procedura të lodhshme për të korrigjuar faturat paushalle astronomike. Nëse një qytetar dyshon në faturën e EVN-së, fillimisht duhet të paraqesë ankese në EVN Home. Nëse EVN nuk përgjigjet brenda afatit ligjor ose qytetarët nuk janë të kënaqur me përgjigjen, duhet të ankohen në KRRE. Në rast të një vendimi negativ, qytetarët mund të të fillojnë një mosmarrëveshje administrative. Janë tre shkallë që duhet të kalojë një qytetar, me qëllim që të korrigjojë një faturë, që në fund nuk është garancë se do të “ketë bazë”, raporton Portalb.mk.

Ministria e Enegjetikës thotë se nga 820 mijë orëmatës në Maqedoni, në periudhën 24 dhjetor / 25 janar, në EVN Home janë pranuar 15.000 ankesa, por siç bëjnë të ditur nga atje, vetëm një numër i vogël i këtyre raporteve (15%) janë rishikuar sipas gjendjes së sapolexuar, për pjesën tjetër është konstatuar se nuk kanë bazë, sepse vlera e llogarisë ka qenë e përshtatshme me konsumin aktual. Për krahasim, EVN Home bën të ditur se numri i ankesave të pranuara në këtë periudhë është 20% më i ulët se në periudhën 23 dhjetor / 24 janar.

Në vijim po ua përcjellim të plotë kumtesën e Ministrisë së Energjetikës, ku sqarohen hapat për ankesa dhe arsyet e faturave që arrijnë në qiell.

Në kuadër të kompetencave dhe përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale ka iniciuar dhe intensifikuar aktivitetet për informim të drejtë dhe transparent të publikut lidhur me faturat e energjisë elektrike. Ministria, si bartëse e politikës shtetërore në sektorin e energjisë, koordinon në mënyrë aktive të gjitha institucionet dhe ua rikujton detyrimet e tyre sipas ligjit, në mënyrë që qytetarët të jenë plotësisht të mbrojtur nga abuzimet e mundshme.

Edhe pse Ministria nuk ka autoritet të drejtpërdrejtë për çmimet dhe faturimin, e ka vendosur këtë çështje si prioritet dhe ka iniciuar takime me të gjitha palët relevante për të informuar publikun në mënyrë transparente dhe korrekte. Ministria dhe KRRE, në drejtim të transparencës dhe edukimit më të madh, informojnë qytetarët për të gjitha mundësitë për inspektim të saktë dhe në kohë të energjisë elektrike të konsumuar, si dhe për mekanizmat që disponojnë, bazuar në respektimin rigoroz të ligjeve që rregullojnë këtë fushë.

Për konstatim të saktë të situatës, kanë të drejtë të paraqesin ankesë të gjithë qytetarët që mendojnë se kanë bazë për kontroll shtesë.

Në koordinim dhe bashkëpunim me Komisionin Rregullator të Energjetikës dhe kompanitë e përfshira si EVN Home, informojmë për procedurat.

Hapat kryesorë për zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjeve:

  • Paraqitja e një ankese në EVN Home
    Të gjithë qytetarët të cilët besojnë se fatura e tyre është e pasaktë kanë të drejtë ligjore që brenda 8 ditësh të paraqesin kundërshtim te furnizuesi universal EVN Home. Ankesa duhet të përfshijë numrin e faturës, një përshkrim të problemit dhe një kopje të faturës. Kontakt: [email protected].
  • Aneksë në KRRE nëse përgjigja është e pakënaqshme
    Nëse EVN nuk përgjigjet brenda afatit ligjor ose qytetarët nuk janë të kënaqur me përgjigjen, mund të kontaktojnë KRRE-në në [email protected] ose [email protected], duke bashkangjitur dokumentet nga procedura me EVN-së. KRRE do të kryejë një hetim të pavarur dhe do të marrë vendim të detyrueshëm.
  • Nëse KRRE merr  vendim në favor të qytetarit, EVN është e detyruar ligjërisht të korrigjojë faturën, zakonisht duke ulur faturat vijuese. Në rast të një vendimi negativ, qytetarët kanë të drejtë të fillojnë një mosmarrëveshje administrative.

Sipas ligjit, EVN Home është e detyruar t’i lexojë orëmatësit (njehsorët) çdo tre muaj për t’u siguruar që të dhënat janë të sakta. EVN Home bën të ditur se rreth 85% e njehsorëve lexohen çdo muaj. Megjithatë, ka njehsorë që vendosen në pronën e përdoruesve dhe të cilët nuk mund të lexohen nëse përdoruesi nuk është i pranishëm. 15% e orëmatësve, ku përfshihen edhe ato të paarritshëm, në zona të caktuara rurale, lexohen dy herë në vit. Në një periudhë 3 mujore, përqindja e orëmatësve të lexuar ishte mbi 95%. Për orëmatësit që nuk mund të lexohen gjatë muajit, faturat përgatiten në bazë të konsumit të parashikuar (algoritme automatike), ku bazë është kurba e konsumit dhe konsumi në 12 muajt e fundit.

Sipas informacioneve të EVN Home, pas vendosjes së bllok tarifave është futur edhe mekanizmi verifikues. Për konsumin e përdoruesve që hyjnë për herë të parë në bllokun e katërt, shfaqet “njoftimi i sistemit” dhe kontrollohen gjithmonë individualisht nga Elektrodistribucija. Ky proces kryhet përpara se fatura t’i dorëzohet përdoruesit. Në këtë rast, nëse hyrja në bllokun e katërt është pasojë e kushteve të mëparshme mujore të paraportuara, pra kilovat-orë të pafaturuara, fatura korrigjohet menjëherë.

Përdoruesit mund të gjejnë informacion shtesë rreth procedurës, si dhe të gjitha pyetjet në lidhje me leximet, blloqet dhe llogaritjen në linqet e mëposhtme.

  • Pyetjet dhe përgjigjet e bëra më shpesh – https://elektrodistribucija.mk/Grid/Informacii-merni-uredi.aspx
  • Ueb-faqja e EVN Home – https://www.evn.mk/Invoices.aspx
  • Portali KRRE-së – https://www.erc.org.mk/

Nëse qytetarët dyshojnë se orëmatësit e tyre nuk lexohen rregullisht, ata mund të:

  • Krahasojnë faturën me gjendjen aktuale të njehsorit – nëse ka mospërputhje, EVN është e obliguar të reagojë.
  • Të raportojnë vetë situatën duke lexuar njehsorin.
  • Ose të paraqesin kërkesë në EVN Home për leximin fizik të njehsorit dhe inspektimin e blloqeve, nëse nuk janë në gjendje ta lexojnë vetë njehsorin.
  • Kërkoni dëshmi të leximit: Sipas ligjit, EVN duhet të sigurojë konfirmimin e leximit tremujor. Nëse nuk është, ju keni të drejtën për revizion.

Leximi i rregullt i njehsorit: Raportoni statusin e njehsorit vetë online ose përmes aplikacionit EVN. Në këtë mënyrë do të merrni një faturë të bazuar në konsumin aktual duke shmangur vlerat e vlerësuara bazuar në konsumin historik. Të gjithë përdoruesit që duan të raportojnë vetë statusin e njehsorëve mund ta bëjnë të njëjtën në https://evnonline.mk/index/meterdata ose https://evnonline.mk/payment/meterdata , ose:

Ndiqni blloqet: Çmimi i energjisë elektrike është i ndarë në katër blloqe. Sa më shumë të shpenzoni, aq më e lartë është tarifa. Kufiri ditor i rekomanduar është deri në 7 kWh (blloku i parë). Informata për sistemin tarifor dhe llogaritjen e konsumit të energjisë elektrike sipas blloqeve EVN Maqedoni – Tariff System https://www.evn.mk/AboutInvoices/TariffSystem.aspx

Blloku i parë: Çmimi më i ulët 4,4376 den për kWh – për konsum deri në 210 kWh (ose mesatarisht 7 kWh në ditë)
Blloku i dytë: Çmimi 5,5664 den për kWh – nga 211 kWh në 630 kWh
Blloku i tretë: Çmimi 7,4314 den për kWh – nga 631 kWh në 1,050 kWh
Blloku i katërt: Çmimi më i lartë 18,3035 den për kWh – mbi 1,051 kWh

Tarifa e lirë çdo ditë nga ora 13:00 deri në 15:00 dhe nga ora 22:00 deri në 07:00 – 1,9765 den për kWh

Nëse vëreni se jeni afër kufirit të sipërm të bllokut, ulni konsumin në periudhën e ardhshme. Me kontroll të rregullt mund të zvogëloni rreziqet.

Në analizat e bëra nga KRRE, është konstatuar se disa nga konsumatorët janë gjetur në blloqe tarifore më të larta për shkak të metodologjisë së llogaritjes. Furnizuesi universal ka detyrimin të kontrollojë raste të tilla dhe, nëse është e nevojshme, të bëjë korrigjime.

Numri i ankesave të pranuara

Nga 820 mijë orëmatës në Maqedoni, në periudhën 24 dhjetor / 25 janar, në EVN Home janë pranuar 15.000 ankesa, por siç bëjnë të ditur nga atje, vetëm një numër i vogël i këtyre raporteve (15%) janë rishikuar sipas gjendjes së sapolexuar, për pjesën tjetër është konstatuar se nuk kanë bazë, sepse vlera e llogarisë ka qenë e përshtatshme me konsumin aktual. Për krahasim, EVN Home bën të ditur se numri i ankesave të pranuara në këtë periudhë është 20% më i ulët se në periudhën 23 dhjetor / 24 janar.

Deri më datë 28.02.2025, në autoritetin e shkallës së dytë KRRE, janë pranuar 345 kundërshtime.

Ministria dhe KRRE monitorojnë vazhdimisht të gjitha procedurat dhe insistojnë në transparencë të plotë nga të gjitha palët e përfshira.

Si masë shtesë po zhvillohen aktivitete për aktivizimin e pajisjeve moderne për kontrollimin e njehsorëve në Byronë e Metrologjisë, të cilat do të mundësojnë verifikimin dhe kontrollin shtesë të pavarur të orëmatësve, pas ankesës së konsumatorit, në një institucion shtetëror. Kjo do të kontribuojë në transparencë, drejtësi dhe kontroll shtesë.

Ndryshe, në janar dhe shkurt të këtij viti, një pjesë e madhe e amvisërive kanë marrë fatura astronomike të rrymës. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) thotë se “EVN Home” është e obliguar t’i korrigjojë faturat, por situata nuk është se ka ndryshuar.

Nga 1 janari 2025, çmimi i energjisë elektrike për konsum mesatar në të katër blloqet është rritur me 0.92 përqind. Në bllokun e parë çmimi u rrit me 0.68 përqind, në bllokun e dytë me 0.90 dhe në bllokun e tretë me 1.93 përqind. Rritja e çmimit për bllok është më e madhja në bllokun e katërt, me 2.24 përqind.