Në RMV vazhdojnë mashtrimet në telefon për aksidente të rreme, MPB u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e tyre
I thirrin në telefon dhe u prezantohen si zyrtarë, zakonisht policë dhe u kërkojnë mjete financiare për lirimin nga ndjekja penale të fëmijëve apo nipërve të tyre që u thuhet se kanë shkaktuar ndonjë aksident trafiku me pasoja fatale. Këto janë mashtrimet më të shpeshta që qytetarët i kanë denoncuar në polici gjatë periudhës së […]


I thirrin në telefon dhe u prezantohen si zyrtarë, zakonisht policë dhe u kërkojnë mjete financiare për lirimin nga ndjekja penale të fëmijëve apo nipërve të tyre që u thuhet se kanë shkaktuar ndonjë aksident trafiku me pasoja fatale. Këto janë mashtrimet më të shpeshta që qytetarët i kanë denoncuar në polici gjatë periudhës së kaluar, ndërsa nga MPB thonë se po merren masa për zbardhjen e mashtrimeve të raportuara deri më tani, transmeton Portalb.mk.
Viktimat më të shpeshta të këtyre mashtrimeve, sipas MPB-së, janë personat e moshuar.
“Mashtruesit kontaktojnë viktimat më së shumti në telefon fiks, por ka raste që kontaktohen edhe me celular me numër të fshehur. Për t’i bërë më bindës, në sfond dëgjohet një zë që kërkon ndihmë. Në këtë mënyrë autorët i mashtrojnë personat që i thërrasin”, thotë MPB.
Nga aty apelojnë qytetarët që të mos bien në këtë lloj mashtrimi dhe nëse kontaktohen të lajmërojnë menjëherë policinë.
Kujtojmë se vazhdimisht është në rritje numri i qytetarëve të mashtruar që u kanë dhënë para policëve të rremë për “ndihmën” që ua kanë dhënë për ta fshehur faktin se ndonjë i afërm i tyre ka shkaktuar aksident në trafik në të cilin e ka humbur jetën një person, madje edhe një fëmijë. Kohëve të fundit në Kumanovë ka pasur disa raste, në një nga të cilët një grua ka paguar deri në 30 mijë euro për ta kuptuar pastaj se e kishin mashtruar.
Vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 25 mashtrime të ngjashme, 15 prej të cilave në Shkup. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur katër kallëzime penale, dy prej të cilave për një autor të panjohur.
Sipas sociologëve për disa nga viktimat e mashtrimit rol luan edhe situata e përgjithshme në vend, ku ka shumë aksidente trafiku me përfundime tragjike, e ku si autorë ashtu edhe viktima janë të rinjte.