Qytetarët propozuan emrat e rrugëve në Tetovë, pjesëmarrje e ulët në debatin e dytë publik
Qytetarët e Komunës së Tetovës sot në debatin e dytë publik propozuan emra të ri të rrugëve, proces ky i cili realizohet në kuadër të nismës që ka ndërmarrë komuna, shkruan Portalb.mk. Në debatin e sotëm pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e ulët, në sallë më shumë kishte përfaqësues të komunës se sa qytetarë. Ndërkaq […]


Qytetarët e Komunës së Tetovës sot në debatin e dytë publik propozuan emra të ri të rrugëve, proces ky i cili realizohet në kuadër të nismës që ka ndërmarrë komuna, shkruan Portalb.mk.
Në debatin e sotëm pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e ulët, në sallë më shumë kishte përfaqësues të komunës se sa qytetarë.
Ndërkaq nuk u paraqitën as përfaqësuesit e partive maqedonase në këshillin komunal.
Kryetari i grupit të punës së kësaj nisme, Argjend Veliu tha se në debatin e kaluar publik janë pranuar rreth 45 propozime.
“Shpresojmë që intensiteti i propozimeve të jetë i njëjtë edhe në debatin e sotëm”, tha Veliu.
Për atë se si do të kalojë kjo në këshillin komunal dhe nëse do duhet të kalojë edhe me votat e këshilltarëve maqedonas, Veliu tha se kjo do të bëhet “në bazë të një marrëveshje të brendshme”.
Këtij debati i parapriu debati i parë publik i cili u mbajt më 4 prill 2025, ndërsa do të mbahen edhe dy debate të tjera.
Më pas nisma do të vazhdojë nëpër procedurat tjera që janë të parapara me ligj.
Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së pati bërë apel që të bojkotohet debati.
- LEXO: Debat publik për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së me thirrje për bojkot
LNÇ-ja e paralajmëroi Kasamin më 25 janar se ndryshimi i paralajmëruar i emrave të rrugëve mund të hapë kutinë e Pandorës dhe të çojë në intolerancë ndëretnike.
Në janar 2025 Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së dorëzoi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërimit të rrugëve në Tetovë.
Kujtojmë se këshilltarët komunal të LSDM-së janë tërhequr tërësisht nga çdo strukturë dhe organ në komunë që është duke punuar në procedurën për ndryshimin e emrave të rrugëve.
- LEXO: Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë: Midis të kaluarës, realitetit dhe përplasjeve politike
Thirrja publike për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës ishte e hapur deri më 10 mars, ku qytetarët mund të jepnin propozimet e tyre.
Nisma e ndryshimit të emrave edhe në të kaluarën ka ngjallur debat dhe tensione politike.
Aktualisht sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim.
Grupi punues për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës u themelua më 26 gusht 2024,
Ky grup punues përbëhet nga këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visar Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM), i cili tani më është tërhequr.
Anëtarë të tjerë janë: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani.
Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse.
Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.
Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.