Prokuroria propozoi vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarit e tragjedisë në Koçan, për tre kërkuan arrest shtëpiak 

Prokuroria Themelore Publike e Koçanit sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Koçanit propozime për vazhdimin e masave të sigurisë, konkretisht paraburgimin për të dyshuarit në hetimin e zjarrit në diskotekën e Koçanit, transmeton Portalb.mk.  “Vetëm për tre të dyshuar, konform fazës së mbledhjes së provave dhe plotësimit të bazave ligjore, propozohet zëvendësimi i masës […]

Prill 11, 2025 - 21:00
 0  7
Prokuroria propozoi vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarit e tragjedisë në Koçan, për tre kërkuan arrest shtëpiak 
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike e Koçanit sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Koçanit propozime për vazhdimin e masave të sigurisë, konkretisht paraburgimin për të dyshuarit në hetimin e zjarrit në diskotekën e Koçanit, transmeton Portalb.mk.

 “Vetëm për tre të dyshuar, konform fazës së mbledhjes së provave dhe plotësimit të bazave ligjore, propozohet zëvendësimi i masës së paraburgimit, arrest shtëpiak”, informoi Prokuroria Publike. 

Siç thonë nga Prokuroria, bëhet fjalë për dy të dyshuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe një pjesëtar i sigurimit të diskotekës. 

“Njëkohësisht vazhdojnë veprimet hetimore në drejtime të shumta dhe në disa institucione me qëllim të shqyrtimit të përgjegjësive të mundshme”, thanë nga Prokuroria. 

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.