Ramush Haradinaj iu premton veteranëve krijimin e ministrisë për UÇK-në
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së OVL UÇK në Deçan dhe në Pejë. Haradinaj ka thënë se ata që ishin pjesë e luftës çlirimtare, mbeten shembull i sakrificës supreme për lirinë e Kosovës. “Sot u takova me bashkëluftëtarët e mi në kuvendet zgjedhore
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së OVL UÇK në Deçan dhe në Pejë.
Haradinaj ka thënë se ata që ishin pjesë e luftës çlirimtare, mbeten shembull i sakrificës supreme për lirinë e Kosovës.
“Sot u takova me bashkëluftëtarët e mi në kuvendet zgjedhore të Organizatës së Veteranëve në Pejë dhe Deçan. Këta burra e gra të pathyeshme, me të cilët ndava momentet më të rëndësishme gjatë Luftës Çlirimtare, mbeten shembull i sakrificës supreme për lirinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka përmendur krijimin e një ministrie që do t’i trajtojë kategoritë e lirisë.
“Në të kaluarën ka qenë e paraparë, çdo punë që e bëjmë ne për dialogun edhe Serbia ta bëjë dhe në fund të na njohë si shtet. Po e shihni çfarë stresi ka qenë qëkur ka ardhur Qeveria e Albinit, nuk po na trajtojnë shkaku i zgjidhjeve dhe veprimeve të gabuara të tij dhe nuk e kanë në agjendë Serbinë të na njohë. Nuk po i bënë presion Vuçiqit t’i nënshkruajë marrëveshjet. Atëherë, ne po u themi amerikanëve, ne po duam të hyjmë në NATO, nuk e ndërlidhim me Serbinë, nuk po ua kërkojmë nënshkrimet e marrëveshjeve, nuk janë të gatshëm, vetëm me ju po dëshirojmë të kemi punë… Është mirë të fuqizojmë rininë. Do ta krijojmë ministrinë e kategorive të lirisë, e kanë edhe vendet e tjera, për t’iu rikujtuar të gjithëve sa është e rëndësishme është kjo temë. Nuk do të heqim dorë një ditë dhe do të ndërtojmë shtëpitë e UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se luftëtarët e lirisë më mirë se kushdo tjetër e dinë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Luftëtarët e lirisë, e dinë më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e vizionit tonë. Anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional nuk është thjesht një aspiratë, por domosdoshmëri strategjike për të ardhmen. Është koha për një qeverisje që e kupton këtë prioritet dhe di ta çojë vendin përpara”, ka përfunduar Haradinaj.