Raporti vjetor 2024: Diskriminim në baza etnike, gjinore, seksuale, më së shumti ankesa për të drejtat e punës
Përkatësia etnike ose kombëtare – arsyeja më e shpeshtë e ankesave në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Të dhënat e përmbledhura për vitin 2024 tregojnë se ankesat kanë të bëjnë kryesisht me të drejtat e marrëdhënies së punës. Shumica ose 66% e rasteve të konfirmuara të diskriminimit janë në sektorin publik. Raporti i […]


Përkatësia etnike ose kombëtare – arsyeja më e shpeshtë e ankesave në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Të dhënat e përmbledhura për vitin 2024 tregojnë se ankesat kanë të bëjnë kryesisht me të drejtat e marrëdhënies së punës. Shumica ose 66% e rasteve të konfirmuara të diskriminimit janë në sektorin publik. Raporti i ri vjetor i KPMD-së arriti në Parlament – për miratim, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Arsyet e diskriminimit, vendimet e KPMD-së
Numri mesatar i ankesave të parashtruara për mbrojtje nga diskriminimi në vitin 2024 është rritur për madje 43% krahasuar me ankesat e reja të parashtruara në periudhën 2021-2023.
Vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2023, numri i ankesave është ulur për 22%, por kjo për shkak të numrit më të vogël të ankesave të shumëfishta të dorëzuara për të njëjtat ngjarje, gjegjësisht për të njëjtin diskriminues.
Nga numri i përgjithshëm i ankesave, 27% i referohen diskriminimit në baza etnike ose kombëtare. Këto janë një pjesë e gjetjeve në Raportin Vjetor të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Baza më e shpeshtë për diskriminim në vitin 2024 është përkatësia kombëtare ose etnike, e cila është shënuar në 109 ankesa, që është 27% e numrit të përgjithshëm të ankesave”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave nga Komisioni, 11% e ankesave janë për diskriminim për shkak të bindjeve politike.
Në parashtresat e paraqitura për diskriminim në bazë të përkatësisë kombëtare dhe etnike janë përfshirë edhe baza të tjera të diskriminimit.
“Nga ankesat e paraqitura për diskriminim në bazë të përkatësisë kombëtare ose etnike, 6 ankesa i referohen gjuhës, 4 ankesa janë për bindje politike, 3 ankesa për ngjyrën e lëkurës”, thuhet në raport.
Të dhënat e përmbledhura tregojnë se në ankesat që i referohen “bazave të tjera të diskriminimit” dhe diskriminimit në bazë të “karakteristikës personale apo statusit shoqëror” zakonisht përfshihen rastet me anëtarësimin ose mos anëtarësimin në një organizatë sindikale, amësinë, shtatzëninë e planifikuar, vendbanimin, nivelin e arsimit…
Vitin e kaluar, në 43% të mendimeve të miratuara të Komisionit është konstatuar diskriminim në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës, ndërsa 20% e konkluzioneve kanë të bëjnë me diskriminimin e konstatuar në arsim, shkencë dhe sport.
Sektori publik vazhdon të ketë “rolin udhëheqës” në ankesa – 66% e rasteve të konstatuara të diskriminimit janë në institucionet publike, përkatësisht shtetërore, ndërsa si autorë janë theksuar vetë institucionet, drejtuesit dhe personat e tjerë të autorizuar në ato institucione.
16% e mendimeve të miratuara të Komisionit i referohen diskriminimit në sektorin privat mbi baza të ndryshme, kryesisht lidhur me punën dhe marrëdhëniet e punës.
Në vitin 2024, gratë më shpesh sesa burrat kanë raportuar diskriminim në bazë të seksit, gjinisë, arsimit, moshës dhe statusit familjar ose martesor.
“Burrat më shpesh raportuan diskriminim në bazë të ngjyrës së lëkurës, origjinës, orientimit seksual, shtetësisë, aftësisë së kufizuar”, konstaton KMPD-ja.
Në vitin 2024, nga gjithsej 485 raste të diskriminimit, janë marrë vendime për 316 prej tyre, 48% prej të cilave janë mendime pas procedurës së kryer për konstatimin e diskriminimit, nga të cilat në 37% të rasteve është konstatuar diskriminim. 52% e rasteve kanë konkluzion për refuzim të procedurës, edhe atë kryesisht për shkak të dokumenteve të pakompletuara ose për shkak të moskompetencës së komisionit.