Rasti “53-milionëshi”, ish-ministri Zharku: Nuk ka pasur neglizhencë, Betchel Enka ka punuar aq sa kishte buxhet
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot është mbajtur seanca gjyqësore në rigjykimin në rastin “53-milionëshi”, ku u dëgjua dëshmia e ish-ministri të Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ai gjatë dëshmisë së tij në këtë rast tha se gjatë mandatit të tij si ministër i këtij dikasteri asnjëherë nuk ka pasur neglizhencë në raport me obligimet karshi operatorit


Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot është mbajtur seanca gjyqësore në rigjykimin në rastin “53-milionëshi”, ku u dëgjua dëshmia e ish-ministri të Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ai gjatë dëshmisë së tij në këtë rast tha se gjatë mandatit të tij si ministër i këtij dikasteri asnjëherë nuk ka pasur neglizhencë në raport me obligimet karshi operatorit ekonomik “Betchel Enka” sa i përket çështjes së pagesave.
Në këtë rast gjyqësor janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekajt, Nebi Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Ndërsa, edhe sot në bankën e të akuzuarve u rikthyen katër të akuzuarit.
Fillimisht për Zharkun pyetje parashtroi kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra e cila u interesua të di për rolin e kompanisë mbikëqyrëse që në këtë rast ka qenë “Hill Internacional”, me ç’rast dëshmitari tha se ka qenë menaxher i projektit si dhe këshilltar financiar, operativ dhe ligjor.
Ndërsa, në pyetjen e gjyqtares nëse të akuzuarit kanë mundur të bëjnë marrëveshje pa kosto financiare në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe operatorit ekonomike “Bechtel Enka”, Zharku tha se nuk është dashur pasi as komiteti ministror, por as ministri nuk ka të drejtë ta tejkalojë kompaninë mbikëqyrëse.
“Në aspektin e një menaxheri nuk ishte dashur, në aspektin e një drejtuesi të ministrisë. As komiteti ministror, as ministri e askush nuk ka të drejtë ta tejkalojë kompaninë mbikëqyrëse“, tha ai.
Ndërsa, kur është pyetur se a ka pasur neglizhencë gjatë mandatit të tij si ministër i Infrastrukturës për realizim të pagesave karshi operatorit ekonomik “Betchel Enka”, Zharku tha se nuk ka pas kurrë neglizhenca.
“Kurrë asnjëherë nuk ka pas neglizhenca dhe Betchel ka punuar aq sa ka pas buxhet të ndarë nuk ka asnjë rast që Betchel ka bërë kërkesë për një pagesë për punët që i ka kryer dhe që ne nuk kemi bërë, të gjitha janë të evidentuara në raportet financiare të qeverisë“, tha Zharku.
Gjatë dëshmisë së tij ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zhakru tha se edhe gjatë mandatit të tij kanë pasur një kërkesë nga operatori ekonomik “Betchel Enka” për mjete shtesë për rreth 25-26 milionë euro, por siç shtoi ai se kjo kosto është vlerësuar nga kompania mbikëqyrëse.
Ndërsa, kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues nëse komiteti ndërministror ka mund t’i tejkalojë opinionet e “Hill Internacional”, Zharku tha se nuk ka të drejtë ligjore për tejkalim të opinioneve të kompanisë mbikëqyrëse.
“Ligjërisht vetëm ai (Hill Internacional) është përgjegjës vetëm ai mundet me përcaktuar ne kemi pas kërkesën e ‘Betchel Enka-s’ që iu thash për 25-26 milionë dhe të njëjtën e kemi drejtuar tek kompania mbikëqyrëse ‘Hill Internacional’ pasi ata janë i vetmi autoritet ligjor që mund ta vlerësojnë koston nga ky operator për projektin konkret”, tha Zharku.
Pas pyetjeve të trupit gjykues, me pyetje për dëshmitarin, Lufti Zharku vazhdoi prokurori i rastit, Atdhe Dema i cili pyeti nëse është dashur të ish-ministri, Pal Lekaj dhe të tjerët të marrin udhëzime nga kompania mbikëqyrëse.
“Hill Internacional thatë ka pas detyra financiare, të mbarëvajtjes, edhe ligjor dhe operativ sigurisht keni kërkuar këshilla dhe udhëzime në rastin konkret a ka qenë i obligueshëm dhe udhëzues për juve se si të veproni”, pyeti Dema.
Edhe në këtë pyetje, ish-ministri, Zharku përsëriti për vlerësime të tilla është dashur të konsultohet kompania mbikëqyrëse “Hill Internacional” e cila ka pas kompetenca për këshilla financiare, operative dhe ligjore.
Kurse, kur i pyetur nga mbrojtja e Pal Lekaj, Artan Çerkini se a mund të thuhet se ndarjet buxhetore nga shteti i Kosovës nuk janë bërë në përputhje me obligimet kontraktual, dëshmitari, Lutfi Zharku tha se ndarjet buxhetore kanë qenë në përputhje me kornizën afatmesme dhe se çdo vit është përcaktuar shuma e re buxhetore për operatorin ekonomik në fjalë.
“Kontrata është nënshkruar në vlerë prej 600 milionë, ndërsa ndarjet buxhetore për 2014/2015 dhe 2016 që është korniza afatmesme nëse nuk gaboj kanë qenë 285 milionë… Tash në përputhje me kornizën afatmesme buxhetore dhe avancimin e projektit çdo vit është përcaktuar shuma e re në buxhet për ‘Betchel Enka’”, tha ai.
Avokati i Lekaj insistoi të di nëse shtyrja e afatit të punimeve ka ndodhur për shkak të ndarjeve të pamjaftueshme të buxhetit dhe këtë gjë e pohoi edhe vetë dëshmitari.
“Po ndarjet e pamjaftueshme buxhetore kanë shkaktuar për tu shtyrë afati i përfundimit të punimeve” ,tha ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burgim, së bashku: Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit./KSP
