Ratko Davidovski nga VMRO nuk është zgjedhur kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës
Këshilltari komunal nga VMRO-DPMNE Ratko Davidovski nuk është zgjedhur kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës, por ai udhëhoqi seancën e jashtëzakonshme në lidhje me fatkeqësitë natyrore. Kjo për shkak se Këshilli Komunal për momentin nuk ka kryetar pasi kryetari i deritanishëm është bërë ministër, ndërkaq në mungesë të kryetarit, sipas ligjit seancën e udhëheq këshilltari […]
Këshilltari komunal nga VMRO-DPMNE Ratko Davidovski nuk është zgjedhur kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës, por ai udhëhoqi seancën e jashtëzakonshme në lidhje me fatkeqësitë natyrore. Kjo për shkak se Këshilli Komunal për momentin nuk ka kryetar pasi kryetari i deritanishëm është bërë ministër, ndërkaq në mungesë të kryetarit, sipas ligjit seancën e udhëheq këshilltari më i moshuar, që në këtë rast ishte Davidovski, shkruan Portalb.mk.
Këshilli Komunal i Tetovës dje mbajti seancën e jashtëzakonshme ku u morën vendime në lidhje me fatkeqësitë natyrore dhe dëmet nga vërshimet që ndodhën së fundmi.
Me këtë seancë kryesoi këshilltari nga VMRO-DPMNE Ratko Davidovski, për shkak se Këshilli Komunal i Tetovës aktualisht nuk ka kryetar, sepse kryetari i deritanishëm Besar Durmishi ka marrë funksionin e ministrit të Ekonomisë dhe Punës.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, neni 47, paragrafi 5 thotë: Deri në zgjedhjen e kryetarit, seancat e këshillit i thërret dhe me ato udhëheq anëtari më i vjetër i këshillit.
Në këtë rast kjo detyrë i ra për hise Ratko Davidovskit.
Kjo nënkupton se Davidovski vetëm ka udhëhequr me seancën e jashtëzakonshme dhe se nuk është zgjedhur kryetar.
Por, në opinion dhe rrjetet sociale filluan të përhapen dezinformata se Ratko Davidovski është përzgjedhur kryetar i Këshillit Komunal.
Dega e Tetovës e Aleancës për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) përmes një komunikate thanë se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ia ka dhënë kryetarin e Këshillit Komunal VMRO-DPMNE-së.
“Nga ana e pushtetit lokal të Lëvizjes Besa, prej sot edhe Kryetari i Këshillit Komunal i jepet VMRO-DPMNE-së. Kjo ndodh në një kohë derisa në pushtetin qendror për çdo ditë vazhdon degradimi i shqiptarëve nga pozicionet më të rëndësishme shtetërore”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët dega e Tetovës (krahu i Ziadin Selës).
Kjo u demantua nga Komuna e Tetovës.
“Këshilli i Komunës së Tetovës ende nuk ka zgjedhur kryesues këshilli pasi sot i ka pushuar mandati Besar Durmishit, i cili është emëruar ministër. Në bazë të Ligjit dhe rregullores së Këshillit, seancën e udhëheq këshilltari më i moshuar. Së shpejti do të zgjidhet kryetari i ri i këshillit, ku edhe opinioni do të jetë i informuar për këtë”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Në seancën e jashtëzakonshme pushoi edhe funksioni i Besar Durmishit, ndërsa në vend të tij u përzgjidh anëtari i ri. Përzgjedhja e kryetarit apo kryetares së re pritet të bëhet seancën e ardhshme.
Kujtojmë që Ratko Davidovski si anëtari më i moshuar ka udhëhequr edhe seancën e parë konstitutive të Këshillit Komunal me 7 shtator 2022.