Reagoi ministri Toshkovski ndaj ultimatumit të LSDM-së në lidhje me ikjen e Grubit
Toshkovski duhet të dalë dhe të thotë të vërtetën për arratisjen e Grubit ose do ta bëjë LSDM, thonë nga kjo parti. Sipas tyre, Toshkovski ka dy ditë që hesht dhe “fshihet nga opinioni për lëshimet skandaloze që i ngjajnë në organizimin e lirimit të Grubit”, transmeton Portalb.mk. “Ky është një skandal me përmasa të […]
Toshkovski duhet të dalë dhe të thotë të vërtetën për arratisjen e Grubit ose do ta bëjë LSDM, thonë nga kjo parti. Sipas tyre, Toshkovski ka dy ditë që hesht dhe “fshihet nga opinioni për lëshimet skandaloze që i ngjajnë në organizimin e lirimit të Grubit”, transmeton Portalb.mk.
“Ky është një skandal me përmasa të mëdha dhe informacionet që arrijnë tek LSDM-ja po bëhen çdo ditë e më shqetësuese. Nëse Toshkovski brenda 24 orëve nuk del të tregojë të vërtetën për rastin, atëherë LSDM do ta zbulojë skandalin në tërësi. Është koha që Toshkovski të mos fshihet dhe të mbajë përgjegjësi për gjithë incidentin. LSDM hapur dyshon se arratisja e Grubit nuk është pakujdesi, por një përpjekje e mirëorganizuar e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, në krye me Toshkovskin, për ta lënë Grubin të ikë”, thonë nga LSDM.
Pas kësaj ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke vlerësuar se LSDM-ja është në shërbim të BDI-së.
“Se ata janë një, përsëri tregojnë dhe dëshmojnë me sjelljen e tyre, por të mos shqetësohen MPB ka kapacitete, edhepse e lanë në fazën e djathit zviceran dhe do të veprojë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën dhe çdo kush që ka gabuar do të përgjigjet para drejtësisë. Për dallim nga më parë kur fajtore ishte “merimanga”, tash ai që ka kryer veprën ka emër dhe mbiemër dhe do të dalë para drejtësisë”, deklaroi Toshkovski, duke shtuar se policia posedon pamje ku polici kryen shkelje ligjore dhe procedurale gjate arratisjes se Grubit.
Grubi është arratisur apo është i pakapshëm për organet e rendit që me 14 dhjetor. Pas daljes së informacioneve në media për arratisjen e tij, më 15 dhjetor, në profilin e tij në Facebook, Grubi tha se ndodhet në vizitë private dhe kërkoi të mos spekulohet.
“Ju lutem mos shpifni dhe shpekuloni. Kam udhëtuar me dokumentat e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sa po të kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi pranë familjes”, thuhet në reagimin e Grubit.
Mirëpo që atë ditë nuk ka asnjë lajm nga ai, derisa nga ana tjetër, Gjykata shqiptuar masën e paraburgimit dhe është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Grubi, së bashku me Përparim Bajramin, ish-drejtor në Lotarinë Shtetërore, ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe pesë persona të tjerë, akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar “, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, dhënies së kontratës për furnizim publik apo partneritet publiko-privat’’.
Përmes tenderimeve të paligjshme, ata kanë mundësuar fitimin e një përfitimi të madh pasuror të kundërligjshëm në shumë të përgjithshme prej 8.598.000 denarë.
Paraprakisht, përpara se më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike të hapë lëndë ndaj Artan Grubit, ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.