Reagon edhe BDI – Dënon ashpër çdo cenim të lirisë së medias

Gazetari i portalit “Tetova Sot”, Nevrij Ademi, është kërcënuar me jetë dhe me metoda të tjera nga pushteti aktual – sipas tij, nga eksponentë të Lëvizjes BESA. Ai, në një The post Reagon edhe BDI – Dënon ashpër çdo cenim të lirisë së medias appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 16, 2025 - 22:00
 0  9
Reagon edhe BDI – Dënon ashpër çdo cenim të lirisë së medias

Gazetari i portalit “Tetova Sot”, Nevrij Ademi, është kërcënuar me jetë dhe me metoda të tjera nga pushteti aktual – sipas tij, nga eksponentë të Lëvizjes BESA. Ai, në një status në Facebook, ka theksuar se i njeh emrat e kërcënuesve dhe se rastin do ta raportojë në të gjitha organet e rendit dhe ambasadat e huaja, shkruan “Flaka”.

“Qarqe të caktuara politike, të lidhura me pushtetin aktual, kanë vënë në lëvizje një fushatë të rrezikshme kundër meje – me kurthe të ulëta morale dhe kërcënime fizike, përfshirë edhe inskenime që prekin kufirin e atentatit. Emrat i di. Veprimet po i dokumentoj. Për këtë çështje do të njoftoj zyrtarisht Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Ambasadën e Gjermanisë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Shkup, si dhe Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).

Liria e fjalës dhe siguria personale nuk janë për t’u negociuar. Askush nuk do të më frikësojë me skema të pista dhe kërcënime që i përkasin mafies, jo politikës. Ky nuk është vetëm sulm ndaj meje si individ, por një sinjal i qartë për mënyrën si trajtohen zërat e lirë në këtë vend. Por për të më heshtur, duhet të më ndalni gjallë. Dhe kjo nuk do të ndodhë!”, ka shkruar gazetari Ademi.

Pas denoncimit të tij, kanë pasuar reagime të forta nga përfaqësues të politikës.

Ish-ministri i Jashtëm dhe njëherësh nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, i ka cilësuar këto kërcënime si rrezik të drejtpërdrejtë për lirinë e medias dhe për vetë demokracinë:

“Kërcënimi ndaj një gazetari nga eksponentë të partive në pushtet është i papranueshëm. Presioni ndaj mediave në prag të zgjedhjeve është një rrezik për demokracinë. Duhet zero tolerancë për këto veprime. Institucionet janë përgjegjëse nëse nuk reagojnë”, ka shkruar Osmani.

Ka reaguar edhe sekretari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Faton Ahmeti, i cili dënon ashpër çdo formë presioni ndaj gazetarëve dhe nënvizon rëndësinë e medias së lirë në një shoqëri demokratike:

“Kërcënimi ndaj një gazetari është kërcënim ndaj fjalës së lirë! E dënojmë fuqishëm gjuhën e presionit dhe frikësimit nga partitë politike. Media e lirë nuk është armik, por garant i llogaridhënies dhe demokracisë!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Edhe Aleanca për Shqiptarët ka reaguar duke dënuar ashpër presionet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nga eksponentë të pushtetit.

“Këto veprime janë të papranueshme për një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe përbëjnë një rrezik serioz për lirinë e medias dhe të shprehjes. Fjalën e lirë nuk do ta ndalë askush me frikësim. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit.

Ish-ministri i Arsimit dhe ish-deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar publikisht pas kërcënimeve të bëra ndaj gazetarit të portalit Tetova Sot.

“Cenimi i lirisë dhe kërcënimet serioze ndaj gazetarit Nevrij Ademi nga persona të lidhur me pushtetin është krejtësisht i dënueshëm. Çdo tentativë për të ushtruar trysni mbi mediat përbën kërcënim serioz për parimet demokratike. Këto akte duhet të ndalen dhe të ndëshkohen menjëherë, pa asnjë përjashtim. Mosveprimi i institucioneve i bën ato bashkëpërgjegjëse.” ka reaguar Arber Ademi.

Redaksia “Flaka” ndjek me shqetësim rastin e kolegut nga “Tetova Sot” dhe kërkon me ngulm që institucionet të veprojnë dhe të zbardhin rastin në tërësi.

Ftojmë SHGM-në, Sindikatën e Gazetarëve dhe të gjitha organizatat që merren me të drejtat e medias që të dënojnë ashpër sulmin ndaj kolegut Ademi. Po ashtu, ftojmë ambasadat e akredituara në vend të përcjellin mesazhe të qarta dhe të ushtrojnë trysni ndaj subjekteve politike që të mbajnë duart larg nga puna e medias dhe gazetarëve.

Reagon edhe BDI:

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër çdo cenim të lirisë së medias dhe kërcënimet serioze ndaj gazetarit Nevrij Ademi, që raportimet e deritanishme i lidhin me persona të afërt me pushtetin.

Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gazetarët dhe mediat është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe nuk ka vend në shoqërinë tonë.

BDI kërkon që organet kompetente të veprojnë menjëherë, të ndalin dhe ndëshkojnë autorët e këtyre veprimeve. Çdo neglizhencë institucionale e bën sistemin bashkëpërgjegjës. Flaka Media

The post Reagon edhe BDI – Dënon ashpër çdo cenim të lirisë së medias appeared first on Flaka, në çdo lajm... .