Revizioni: Inspektimi i fundit i konvikteve në RMV është kryer para gjashtë viteve, edhe pse duhet bërë çdo vit
Edhe pse sipas dispozitave ligjore Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) ka për obligim që të kryejë inspektime në konviktet e studentëve të paktën një herë në vit inspektimi i fundit është kryer në vitin 2019. Për gjashtë vite me radhë nuk janë kryer kontrolle të reja dhe as nuk janë përpiluar procesverbale të inspektimeve të […]


Edhe pse sipas dispozitave ligjore Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) ka për obligim që të kryejë inspektime në konviktet e studentëve të paktën një herë në vit inspektimi i fundit është kryer në vitin 2019. Për gjashtë vite me radhë nuk janë kryer kontrolle të reja dhe as nuk janë përpiluar procesverbale të inspektimeve të kryera, transmeton Portalb.mk.
Kështu thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) në raportin për revizionin e pasqyrave financiare dhe përputhshmërisë për vitin 2023 të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.
Revizioni ka konstatuar mangësi në zbatimin e inspektimeve në konviktet e studentëve dhe institucionet arsimore, gjë që sipas revizorëve, ka si pasojë kontroll të pamjaftueshëm mbi proceset e pranimit, akomodimit dhe regjistrimit të studentëve, si dhe ulje të efikasitetit në vlerësimin e cilësisë së institucioneve arsimore.
“Në pajtim me dispozitat ligjore Inspektorati Shtetëror i Arsimit është i detyruar që të kryejë inspektime në konviktet e studentëve të paktën një herë në vit dhe të dorëzojë raport pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverisë brenda 60 ditëve nga përfundimi i akomodimit të studentëve. Me revizionin është konstatuar se inspektimi i fundit është kryer në vitin 2019, pas çka nuk janë kryer kontrolle të reja dhe as nuk janë përgatitur procesverbale nga inspektimet e kryera”, njoftojnë nga ESHR-ja.
Mungesa e kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme të procesit të pranimit, regjistrimit dhe akomodimit të studentëve, si dhe të saktësisë të të dhënave në dokumentacionin e konvikteve të studentëve e pamundëson funksionimin e drejtë të tyre dhe përmbushjen e qëllimit për ofrimin e kushteve të përshtatshme për studentët, shtojnë nga atje.
Revizorët kanë konstatuar se në vitin 2024 nuk është kryer asnjë inspektim, çka flet për mosrespektim të rekomandimeve të revizorit të autorizuar shtetëror të konstatuara në raportin për funksionimin e konvikteve të studentëve të publikuar vitin e kaluar.
Inspektorati Shtetëror i Arsimit gjithashtu ka edhe detyrim ligjor që të kryejë inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe të bëjë vlerësimin e punës së institucioneve arsimore.
Megjithatë, nga gjithsej 7.691 inspektimet e planifikuara për vitin 2023, janë kryer vetëm 4.446, ose vetëm 58% e numrit të planifikuar.
Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka konstatuar edhe se Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka mungesë të një të tretës të kuadrove të nevojshme.
“ISHA disponon me 138 vende pune sipas sistematizimit prej të cilave janë plotësuar vetëm 100, që do të thotë se një e treta e kuadrove të nevojshëm mungojnë. Mungesë më të theksuar ka në Sektorin për mbikëqyrje inspektuese dhe vlerësim të cilësisë ku ka mungesë të inspektorëve të arsimit, gjë që e vështirëson realizimin e aktivitetit bazë sidomos për rajonin e komunës së Ohrit, Gostivarit, Kavadarit dhe Prespës si pasojë e pensionimit të inspektorëve të arsimit. Krahas kësaj disa nga inspektorët e sapo punësuar nuk kanë e kryer trajnimin e nevojshëm, gjë që mund të ketë si rezultat gabime dhe mangësi në punën e tyre. Bashkë me mungesën e kuadrove teknike dhe administrative këto probleme e çrregullojnë efikasitetin e mbikëqyrjes inspektuese dhe vështirësojnë zbatimin e plotë të saj”, thuhet në raportin e ESHR-së.
Edhe krahas detyrimeve ligjore një pjesë e shkollave fillore dhe të mesme nuk janë përfshirë në vlerësimin integral që bëhet çdo të tretin vit shkollor, ndërsa si shkak për këtë është theksuar pandemia e Covid-19, por edhe mungesa e kuadrit që vjen si pasojë e largimit të vazhdueshëm të inspektorëve të arsimit si për shkak të pensionimit, ashtu edhe për shkak të arsyeve të tjera.
“Kjo gjendje ndikon në organizimin dhe realizimin e procesit të mësimdhënies, kushteve në institucionet edukativo – arsimore, si dhe në përmbushjen dhe vlerësimin e detyrave të punës së mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë”, thuhet në raport.
ESHR-ja ka zbuluar edhe parregullsi lidhur me përdorimin e mjeteve për automjetet zyrtare dhe private për qëllime zyrtare.
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve për udhëtime janë bërë për destinacione ku ka transport të organizuar me autobus, një numër i madh i dokumentacionit për udhëtime nuk janë plotësuar siç duhet, nuk janë arkivuar, nuk janë shënuar të dhënat për kilometrat e kaluara, ndërsa të njëjtat nuk janë miratuar nga udhëheqësit dhe nuk janë përgatitur urdhëresa me shkrim për përdorimin e automjeteve zyrtare”, thonë nga Enti Shtetëror i Kontrollit.
ESHR-ja gjithashtu thekson edhe se Inspektorati Shtetëror i Arsimit po përballet me kushte joadekuate për punë dhe mungesë të pajisjeve softuerike dhe të TI-së.
Kujtojmë se raporti i vitit 2024 i Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) në lidhje me efikasitetin e masave, politikave dhe projekteve për plotësimin e kushteve në të cilat funksionojnë konviktet e studentëve, kontatoi se masat dhe aktivitetet për zhvillimin e standardit studentor që ndërmerren nga organet kompetente shtetërore nuk janë mjaft efikase dhe ekonomike për të arritur një nivel të qëndrueshëm të pavarësisë financiare të konvikteve të studentëve, për akomodimin dhe ushqyerjen adekuate, si dhe për realizimin e projekteve për rindërtimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të konvikteve shtetërore të studentëve.