Marketet në RMV do të duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve në ueb-faqet e tyre në baza ditore

Tregtarët me pakicë do të duhet të publikojnë çdo ditë çmimet e produkteve në treg në ueb-faqet. Ky detyrim për shitësit lind pasi u votuan sot në seancën parlamentare ndryshimet dhe shtesat në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Gazetën Zyrtare”, transmeton Portalb.mk. “Tregtarët e mëdhenj, të mesëm […]

shkurt 25, 2025 - 19:00
 0  2
Marketet në RMV do të duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve në ueb-faqet e tyre në baza ditore
Supermarket. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tregtarët me pakicë do të duhet të publikojnë çdo ditë çmimet e produkteve në treg në ueb-faqet. Ky detyrim për shitësit lind pasi u votuan sot në seancën parlamentare ndryshimet dhe shtesat në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Gazetën Zyrtare”, transmeton Portalb.mk.

“Tregtarët e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël që kryejnë tregti me pakicë, me shifrën 47 në përputhje me Klasifikimin Kombëtar të Veprimtarive – NKD Rev. 2.1, janë të detyruar të publikojnë në ueb-faqen e tyre, veçmas për çdo objekt të shitjes, çmimin aktual të shitjes, pra çmimin për njësi në momentin e publikimit të çdo produkti që ofrojnë për shitje. Rregullimi i çmimeve do të bëhet në baza ditore”, thuhet në ligj.

Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tregtarët kanë një afat prej 45 ditësh për të harmonizuar veprimtarinë e tyre me dispozitat e këtij ligji.

Ndryshimet ligjore parashikojnë gjoba për tregtarët që do të veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat për kompetencat e inspektorëve shtetërorë të tregut.

Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, pas procedurë të shkurtuar, e kanë dorëzuar deputetët Gjorgija Sajkoski, Bojan Stojanoski, Nikola Micevski, Eli Panova dhe Dafina Stojanoska.

Dorëzimi i këtij propozimi erdhi pasi në mbledhjen e qeverisë më 11 shkurt marketet morën rekomandimin për fillimin e procedurës për shpalljen transparente të çmimeve të të gjitha produkteve dhe përditësimin e tyre të rregullt në baza ditore. Qëllimi i këtij rekomandimi, siç tha atëherë zëdhënësja Marija Miteva, është që të kontribuojë në një transparencë më të madhe nga ku qytetarët do të mund të vendosin vetë se në cilin nga marketet do të bëjnë pazar, për të parë dallimin në çmime. Miteva tha se kjo qasje e cila ka karakter rekomandues e jo kufizim do të kontribuojë në njëfarë harmonizimi të çmimeve të vetë produkteve.

Në seancën e sotme parlamentare, deputetët e qeverisë thanë se presin transparencë më të madhe të çmimeve në markete, përmirësim të konkurrencës dhe ulje të çmimeve.

Deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE theksoi se ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e standardit të qytetarëve.

Ai tha se me dorëzimin e këtyre ndryshimeve ligjore vendosën të shkojnë në dy drejtime – të pranohen praktikat që janë më të mira në vendet perëndimore dhe të merren masat që deri më tani janë treguar të mira në praktikë.

“Qytetarët tani do të mund të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre sepse nuk është normale të ketë çmime në markete që janë më të lartat në nivel ballkanik, çmime më të larta se ato të anëtarëve të BE-së, nuk është normale. Jemi të sigurt se në periudhën e ardhshme do të ketë ulje të çmimeve që do të jetë e pranueshme edhe për qytetarët e Maqedonisë”, tha Stojanovski.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska, shtoi se këto ndryshime ligjore do të kontribuojnë edhe në konkurrencën e vetë tregtarëve dhe theksoi se përjashtohen tregtarët mikro dhe tregtarët individualë.

Ndryshe, nga 20 shkurti, disa nga produktet ushqimore bazë në markete duhet të shiten me çmime më të ulëta, pasi qeveria miratoi masat për të kufizuar marzhin bruto të fitimit dhe për ngrirjen e çmimeve.