RMV, Anketa zbuloi zhgënjimin e madh të qytetarëve nga sistemi politik dhe institucionet
“Qytetarët kanë besim të ulët te partitë politike dhe liderët e tyre. Zhgënjim i madh nga sistemi politik dhe institucionet. Klientelizmi elektoral është i pranishëm, edhe pse qytetarët në përgjithësi i perceptojnë zgjedhjet si të drejta dhe efektive”. Këto janë disa nga gjetjet kryesore nga Anketa e Institutit për Hulumtime Sociologjike dhe Juridiko-Politike, Universiteti “Shën […]
“Qytetarët kanë besim të ulët te partitë politike dhe liderët e tyre. Zhgënjim i madh nga sistemi politik dhe institucionet. Klientelizmi elektoral është i pranishëm, edhe pse qytetarët në përgjithësi i perceptojnë zgjedhjet si të drejta dhe efektive”. Këto janë disa nga gjetjet kryesore nga Anketa e Institutit për Hulumtime Sociologjike dhe Juridiko-Politike, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, shkruan Portalb.mk.
Instituti ka publikuar Raportin e plotë të anketës paszgjedhore për zgjedhjet e vitit 2024, i cili ofron një vështrim të thelluar mbi sjelljen zgjedhore, preferencat politike dhe qëndrimet e votuesve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anketa është pjesë e Hulumtimit Krahasues të Sistemeve Zgjedhore (CSES – Comparative Study of Electoral Systems), i cili analizon sistemet zgjedhore dhe sjelljen zgjedhore në mbi 60 vende në mbarë botën.
Nga aty njoftojnë se, shumica e pyetjeve të anketës janë marrë nga pyetësori i standardizuar i CSES, ndërsa disa janë formuluar posaçërisht nga Instituti për Hulumtime Sociologjike dhe Juridiko-Politike (IHSPJ) për të pasqyruar rrethanat specifike politike në Maqedoninë e Veriut.
“Perceptimet mbi vlerat e partive politike – Për votuesit, vlerat më të rëndësishme kur zgjedhin një parti janë drejtësia, orientimi evropian dhe puna e ndershme. Megjithatë, ka dallime të qarta në perceptimet e vlerave midis mbështetësve të opsioneve të ndryshme politike, duke reflektuar ndarjen e publikut mbi vizionin për të ardhmen e vendit.
Qytetarët kanë besim të ulët te partitë politike dhe liderët e tyre. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se shumica e qytetarëve janë skeptikë ndaj partive politike dhe liderëve të tyre, me perceptimin dominues se ata nuk veprojnë në interes të publikut dhe nuk përmbushin pritshmëritë e qytetarëve”, shkruan në Raportin e Institutit.
Në raport theksohet zhgënjimi i madh nga sistemi politik dhe institucionet. “Qytetarët shprehin pakënaqësi të madhe me funksionimin e demokracisë në vend dhe besojnë se institucionet nuk e përmbushin rolin e tyre në raport me qytetarët. Besimi i ulët në institucionet shtetërore rrit ndjenjën e apatisë politike dhe ul besimin në mundësinë e ndryshimeve pozitive përmes mekanizmave institucionalë. Ndërkohë, mbështetja për demokracinë si një formë e qeverisjes mbetet e qëndrueshme”.
Klientelizmi, elektoral është i pranishëm, edhe pse qytetarët në përgjithësi i perceptojnë zgjedhjet si të drejta dhe efektive. Sipas studimit, qytetarët përgjithësisht i konsiderojnë zgjedhjet të drejta dhe efektive si një instrument për ndryshime politike. Megjithatë, fenomeni i klientelizmit mbetet i pranishëm, me disa votues që raportojnë përvojat e tyre me presione, premtime për punësim ose forma të tjera të shërbimeve politike në këmbim të votës.