“Reporterët pa kufij”: Maqedonia e Veriut shënon rënie në lirinë e shtypit
Maqedonia e Veriut ka shënuar rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 42-të në botë nga 180 shtete. Në vitin 2024 vendi renditej në vendin e 36, ndërsa në vitin 2023 në vendim e 38. Sipas raportit, edhe pse televizioni është burimi dominues […] The post “Reporterët pa kufij”: Maqedonia e Veriut shënon rënie në lirinë e shtypit appeared first on InfoShqip.com.

Maqedonia e Veriut ka shënuar rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 42-të në botë nga 180 shtete. Në vitin 2024 vendi renditej në vendin e 36, ndërsa në vitin 2023 në vendim e 38. Sipas raportit, edhe pse televizioni është burimi dominues i informacionit, mediat online gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm.
Në kontekstin politik, në raport thuhet se ambienti i përgjithshëm mbetet i favorshëm për lirinë e shtypit, por që agjencitë qeveritare nuk janë shumë transparente dhe gazetaria kritike i nënshtrohet gjithnjë e më shumë sulmeve.
“Për shkak të polarizimit të fortë politik, media mund të vihet nën presionin e autoriteteve, politikanëve dhe biznesmenëve në nivel kombëtar dhe lokal. Dy partitë më të mëdha (në pushtet dhe në opozitë) kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Transmetuesit publik i mungon pavarësia editoriale dhe financiare”, thuhet mes tjerash në raportin e RPK-së.
Në raport thuhet se vendi nuk ka përparim në harmonizimet ligjore me standardet e BE-së në sferën e mediave.
“Ndërsa kushtetuta garanton lirinë e fjalës dhe ndalon censurën, vendi ka qenë i ngadalshëm në harmonizimin e legjislacionit të medias me standardet e Bashkimit Evropian, ku synon të anëtarësohet. Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs) shërbejnë si instrumente frikësimi dhe presioni ndaj mediave të pavarura. Një ligj i ri që ri-autorizon autoritetet kombëtare dhe vendore për të reklamuar në mediat private, ka ngritur shqetësime se mund të lidhet me tregtimin e mundshëm të ndikimit”, thuhet në raport.
Në lidhje me pjesën ekonomike në gazetarei, në raport shtohet:
“Redaksitë e disa prej kanaleve televizive kryesore janë të ekspozuara ndaj presioneve ekonomike nga pronarët e tyre. Financimi shtetëror është i kufizuar dhe jo transparent dhe media e pavarur mbështetet shumë te donatorët. Grantet e huaja të bazuara në projekte kontribuojnë thjesht për mbijetesën, por jo për zhvillimin e mëtejshëm. Gazetaria është një profesion shumë i pasigurt. Disa media i nënshtrohen tregtisë me ndikim nga agjencitë e marketingut”, thuhet në raport.
Në pjesën e sigurisë thuhet se disa incidente kanë zvogëluar përshtypja për sigurinë e gazetarëve.
“Duke përfshirë sulmet me zjarrvënie në pronën e tyre dhe rastet e ngacmimeve nga policët. Nga njëra anë, është emëruar një prokuror special për të trajtuar rastet e sulmeve ndaj gazetarëve në kryeqytet, ndërsa po shqyrtohet mundësia për hapjen e zyrave të ngjashme në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, gazetarët që mbulojnë prokurorinë përballen me presion të madh”, shtohet në raport.
The post “Reporterët pa kufij”: Maqedonia e Veriut shënon rënie në lirinë e shtypit appeared first on InfoShqip.com.