Diddy refuzon marrëveshjen me prokurorët – përballet me burgim të përjetshëm
Gjykata në New York ka konfirmuar se reperi dhe producenti i njohur, Sean “Diddy” Combs, ka refuzuar një marrëveshje që do t’i siguronte një dënim më të lehtë në këmbim të pranimit të fajësisë, raporton ABC News. Kjo ndodhi vetëm tre ditë para se të nisë procesi gjyqësor ndaj tij, i cili përfshin akuza të rënda […]

Gjykata në New York ka konfirmuar se reperi dhe producenti i njohur, Sean “Diddy” Combs, ka refuzuar një marrëveshje që do t’i siguronte një dënim më të lehtë në këmbim të pranimit të fajësisë, raporton ABC News. Kjo ndodhi vetëm tre ditë para se të nisë procesi gjyqësor ndaj tij, i cili përfshin akuza të rënda për zhvatje, trafikim njerëzor dhe organizim prostitucioni.
Gjatë seancës, gjyqtari Arun Subramanian e pyeti personalisht Combsin nëse e refuzon ofertën e prokurorëve. “Po, e refuzoj, i nderuar gjykatës”, u përgjigj ai. Detajet e marrëveshjes së refuzuar nuk janë bërë publike. Gjyqi pritet të fillojë të hënën me përzgjedhjen e jurisë, ndërsa deklaratat hyrëse janë caktuar për 12 maj. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, Combs përballet me burgim të përjetshëm”.
Prokurorët pretendojnë se producenti i njohur ka përdorur për vite me radhë dhunë dhe frikësim për të detyruar gra të marrin pjesë në akte seksuale gjatë të ashtuquajturave “festa freak-off”. Sipas aktakuzës, ai ka udhëhequr një rrjet kriminal që ka abuzuar sistematikisht me viktima në vende të ndryshme të ShBA-së.
Një nga dëshmitaret kryesore do të jetë ish-partnerja e tij, këngëtarja Cassie Ventura, e cila në vitin 2023 e akuzoi publikisht Combs për përdhunim dhe abuzim të vazhdueshëm. Edhe pse rasti u zgjidh jashtë gjykatës në mënyrë të shpejtë, detajet e marrëveshjes mbetën të fshehta.
Avokatët e Combsit kanë paralajmëruar një linjë mbrojtjeje që e përshkruan jetesën e tij si “stil svingeri”, duke theksuar se klienti i tyre nuk e ka parë këtë mënyrë jetese si problematike. Sipas avokatit Marc Agnifilo, një stil i tillë është i zakonshëm dhe i pranuar në disa rrethe shoqërore.
Gjatë procesit gjyqësor priten dëshmi tepër tronditëse. Prokurorët kanë paralajmëruar se do të paraqesin prova për “vite të tëra dhune fizike, maratona seksuale nën ndikim drogash dhe përdhunime të shumta të kryera me forcë”.
Që nga arrestimi në shtator të vitit 2024, Combs ndodhet në paraburgim në Brooklyn. Ai u arrestua pasi autoritetet bastisën vilat e tij luksoze në Los Angeles dhe Miami, ku sipas raportimeve, janë gjetur armë të tipit AR-15 dhe mijëra shishe lubrifikanti. Procesi gjyqësor pritet të zgjasë nga tetë deri në dhjetë javë.