RMV, fëmija që ishte infektuar me fruth nuk kishte marrë vaksinë MPR
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) njoftoi për rastin e dytë me fruth në vend, tek një fëmijë 12 vjeçar nga fshati Konjare e Poshtme, komuna e Petrovecit. Sipas të dhënave klinike, simptomat fillestare të pacientit filluan më 30 gusht me një skuqje të vogël fillimisht në fytyrë, pastaj në gjoks dhe shpinë, temperaturë të lartë, […]
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) njoftoi për rastin e dytë me fruth në vend, tek një fëmijë 12 vjeçar nga fshati Konjare e Poshtme, komuna e Petrovecit. Sipas të dhënave klinike, simptomat fillestare të pacientit filluan më 30 gusht me një skuqje të vogël fillimisht në fytyrë, pastaj në gjoks dhe shpinë, temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, kollë dhe të vjella, transmeton Portalb.mk.
Më 2 shtator fëmija është ekzaminuar nga mjeku amë dhe për shkak të dyshimit të fruthit është dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile. I sëmuri po trajtohet në shtëpi pasi ka refuzuar shtrimin në spital.
“Fëmija nuk është vaksinuar me vaksinën MPR. Ai jeton në një familje me shtatë anëtarë, dy prindër dhe 5 fëmijë. Për sa i përket statusit të vaksinimit të familjes, 3 fëmijë janë vaksinuar me 2 doza vaksinë MPR, dy fëmijë nuk janë vaksinuar dhe prindërit janë vaksinuar siç duhet sipas moshës së tyre. Familja ka qëndruar në Novi Pazar të Serbisë nga 10 deri më 24 gusht. Ata udhëtuan me automjetin e tyre. Në Novi Pazar, një fëmijë gjashtë vjeçar u diagnostikua me fruth gjatë qëndrimit të tyre. Pas kthimit nga Novi Pazari, ai nuk ka pasur kontakt me anëtarët e tjerë të tri familjeve të tjera që jetojnë në një oborr të përbashkët të rrethuar dhe nuk ka shkuar në shkollë”, njofton IShP.
Në Maqedoni gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 2 raste të konfirmuara laboratorikisht me fruth.
Rasti i parë me fruth, i regjistruar në qershor 2024, te një banor të fshatit Labunishtë, Strugë. Për krahasim, në vitin 2023 është raportuar një rast i fruthit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në dhjetëvjeçarin 2014-2023 janë regjistruar gjithsej 2020 pacientë me këtë sëmundje. Epidemi janë regjistruar në 2014, 2017, 2018 dhe 2019.
Epidemia e fundit e regjistruar e kësaj sëmundjeje në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka filluar në vitin 2018 dhe është raportuar në vitin 2019 me gjithsej 1901 persona të regjistruar, në 24 qytete të vendit.
Vaksinimi kundër fruthit kryhet vazhdimisht dhe i detyrueshëm me 2 doza të vaksinës MPR. Doza e parë konsiderohet vaksinimi parësor dhe duhet të jepet në vitin e parë të jetës së fëmijës. Rivaksinimi bëhet në moshën 6 vjeçare.
Në RMV, mbulimi me dozën e parë të MPR në vitin 2023 në nivel vendi është 73,4%, ndërsa në Shkup është 83,7%. Mbulimi me rivaksinim në nivel kombëtar në vitin 2023 është 87,7%, ndërsa në Shkup është 85,9%.
Vaksinimi primar me vaksinën MPR në vitin 2023 ka shënuar rënie krahasuar me mbulimin mesatar të regjistruar në 5 vitet e fundit (74,4% në shkallë vendi), ndërsa rivaksinimi në vitin 2023 ka shënuar rritje krahasuar me mesataren (85,1% në nivel kombëtar).
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus. Sëmundja përhapet lehtësisht kur një person i infektuar merr frymë, kollitet ose teshtin. Mund të shkaktojë sëmundje të rënda, komplikime dhe madje edhe vdekje. Çdokush mund të sëmuret nga fruthi, por më së shumti shfaqet te fëmijët. Fruthi infekton rrugët e frymëmarrjes dhe më pas përhapet në të gjithë trupin. Simptomat e fruthit zakonisht fillojnë 10-14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Skuqja është simptoma më karakteristike. Simptomat e hershme zakonisht zgjasin 4-7 ditë. Këto përfshijnë rrjedhjen e hundës, kollën, sytë e skuqur dhe të përlotur (konjuktivit).
Skuqja fillon rreth 7-18 ditë pas ekspozimit, zakonisht në fytyrë dhe në pjesën e sipërme të qafës. Përhapet për rreth 3 ditë. Zakonisht zgjat 5-6 ditë para se të zbehet. Shumica e vdekjeve nga fruthi janë nga komplikimet që lidhen me sëmundjen.