RMV, Inspektorati i Tregut do të gjobisë tregtarët që nuk kanë ulur marzhet e fitimit sipas vendimit të Qeverisë
Tregtarët që nuk kanë vendosur etiketën “Më pak shpenzime, më shumë për ju” në produktet ushqimore bazë që duhet të kenë marzh fitimi të kufizuar, nga sot do të përballen me gjoba, njoftoi Inspektorati Shtetëror i Tregut (IShT), transmeton Portalb.mk. Në kontrollet në terren që u kryen dje, pas hyrjes në fuqi të vendimit të […]
Tregtarët që nuk kanë vendosur etiketën “Më pak shpenzime, më shumë për ju” në produktet ushqimore bazë që duhet të kenë marzh fitimi të kufizuar, nga sot do të përballen me gjoba, njoftoi Inspektorati Shtetëror i Tregut (IShT), transmeton Portalb.mk.
Në kontrollet në terren që u kryen dje, pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për kufizimin e marzhit, inspektorët vunë re se në markete nuk vendoseshin etiketat e nevojshme, megjithëse ky është një detyrim që thuhet edhe në vetë vendimin që u botua të hënën në “Gazetën Zyrtare”.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, thotë se deri në fund të ditës së djeshme tregtarëve u kanë dhënë afat që t’i vendosin etiketat.
“Nga mëngjesi i sotëm ekipet e ISHT-së janë në terren në mbarë vendin dhe sot nga ora 12 apo 13 do të fillojnë me gjobitjen e marketeve që nuk i kryejnë obligimet”, thotë Trajkovski në një deklaratë për MIA-në.
Sipas tij, marketet u ankuan se arsyeja e mospasjes së mbishkrimit ishte se nuk kishin kohë të printonin etiketat.
Mbi 70 produkte ushqimore do të shiten me marzh fitimi të kufizuar deri në 10 përqind që nga dita e djeshme, vendim ky i marrë në mbledhjen e qeverisë. Në listën e shportës së vjeshtës përfshihen produkte nga industria e bukës, mishit, qumështit dhe ëmbëlsirave, si dhe frutat dhe perimet, të cilat nuk do të lejohen të rriten deri më 31 tetor.
Kujtojmë se, Qeveria ditë më parë mori vendim që të kufizojë marzhin bruto të fitimit të disa prej produkteve ushqimore bazë në 10% si në shitje me shumicë ashtu edhe me pakicë. Lista e produkteve ushqimore bazë në të ashtuquajturën shporta e vjeshtës përfshin 73 produkte që janë më të përfaqësuara në shportën e konsumit të qytetarëve.