RMV-ja duhet të përfitojë nga situata aktuale për integrimin në BE, vlerësoi eurodeputeti Resler

Maqedonia e Veriut tani është në një situatë që duhet të shfrytëzohet, në rrethana të ndryshme gjeopolitike që e vendosin çështjen e zgjerimit më lart në agjendën e disa institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian, jo vetëm në Parlamentin Evropian. Kështu ka deklaruar për MIA-n eurodeputeti Karlo Resler, i cili së bashku me Ivanka Vasilevskën […]

Mars 2, 2025 - 00:00
 0  5
RMV-ja duhet të përfitojë nga situata aktuale për integrimin në BE, vlerësoi eurodeputeti Resler
Karlo Ruseler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Maqedonia e Veriut tani është në një situatë që duhet të shfrytëzohet, në rrethana të ndryshme gjeopolitike që e vendosin çështjen e zgjerimit më lart në agjendën e disa institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian, jo vetëm në Parlamentin Evropian. Kështu ka deklaruar për MIA-n eurodeputeti Karlo Resler, i cili së bashku me Ivanka Vasilevskën janë bashkëkryetarë të Komisionit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ressler, i cili dy ditët e fundit ka qenë në Shkup së bashku me kolegët e tij të PE-së, anëtarë të Komisionit të Përbashkët Parlamentar, tha se janë të bindur në përkushtimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane dhe se mesazhi kryesor i delegacionit që ai drejtoi është që të gjithë të fokusohemi në të ardhmen.

“Tani është në një situatë që duhet të përfitohet, në rrethana të ndryshme gjeopolitike që e vendosin çështjen e zgjerimit më lart në agjendën e disa institucioneve të tjera të BE-së, jo vetëm në Parlamentin Evropian”, tha Resler.

Në një kontekst të tillë, theksoi ai, duhet shfrytëzuar mundësia tani sepse nuk është e qartë se sa do të zgjasin këto rrethana.

“Kjo ka të bëjë me punën me rezultate konkrete, me reforma. Kemi folur edhe me kryeministrin edhe me kryetarin e Kuvendit”, tha eurodeputeti.

I pyetur nëse, pas ndryshimit të administratës amerikane dhe ndryshimeve të reja gjeopolitike, mund të pritet që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit, Resler pranoi se kjo çështje po bëhet më e rëndësishme se më parë.

“E gjithë Europa jeton në një botë gjithnjë e më të rrezikshme ku ndryshimet tektonike ndodhin brenda natës dhe në një kontekst të tillë, çështja e zgjerimit, po, bëhet më e rëndësishme se më parë”, tha Resler.

Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.