Aplikacioni “SkopjeBus”: Ecën mirë për linjat e qytetit, për linjat periferike duhet “të shtyhet”
Tre muaj më parë NQP Shkup e prezantoi aplikacionin e ri celular “SkopjeBus”, i cili duhej ta ndryshonte mënyrën e pagesës së biletave për udhëtim me autobusët e transportit publik. Por edhe tre muaj pas prezantimit të aplikacionit të ri dhe funksionimit të pajisjeve të reja të disponueshme në autobusët NQP Shkup, modernizimi është funksional […]


Tre muaj më parë NQP Shkup e prezantoi aplikacionin e ri celular “SkopjeBus”, i cili duhej ta ndryshonte mënyrën e pagesës së biletave për udhëtim me autobusët e transportit publik. Por edhe tre muaj pas prezantimit të aplikacionit të ri dhe funksionimit të pajisjeve të reja të disponueshme në autobusët NQP Shkup, modernizimi është funksional vetëm pjesërisht, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Me 27 shkurt të vitit 2025 Meta.mk bëri një testim të aplikacionit duke filluar që nga instalimi i tij e deri në përdorimin e tij në praktikë, kontrolluam se çfarë ofron ai, sa është funksional dhe sa cilësor është. Testimin e filluam ashtu që hipëm në autobusin nr 53, që bën pjesë në grupin e linjave periferike, nga Petroveci drejt Qendrës Transportuese. Vendosëm që të udhëtonim vetëm me ndihmën e aplikacionit SkopjeBus, por nuk mbetëm shumë të kënaqur.
Për hir të së vërtetës, procesi i instalimit të aplikacionit është i lehtë dhe i thjeshtë. Mund ta gjeni në AppStore për iOS, ose në PlayStore për pajisjet Android. Aplikacioni ju ofron mundësinë që të krijoni një profil duke e përdorur numrin tuaj të telefonit, adresën elektronike ose profilet në mediat sociale.
Aplikacioni ofron mundësi për pagesë në mënyrë elektronike të biletave me skanimin e një kodi QR, i cili bëhet me pajisjet e reja në autobusët e NQP-Shkup. Kjo mund të bëhet duke e mbushur portofolin tuaj elektronik, ose duke blerë një biletë, për çka ofrohen disa opsione:
- Biletë për 10 udhëtime me linjat në qytet,
- Biletë për 10 udhëtime me të gjitha linjat,
- Biletë për 7 ditore për linjat në qytet,
- Biletë për 7 ditore për të gjitha linjat,
- Biletë mujore për linjat në qytet, dhe
- Biletë mujore për të gjitha linjat.
Për momentin nuk ka ndryshime në çmimet e biletave.
Edhe pse është një aplikacion i destinuar tërësisht për transportin në qytet, “SkopjeBus” ka shumë disavantazhe që janë shumë të rëndësishme. Mangësia e parë është se aplikacioni nuk ka një orar të plotë të qarkullimit, pra një orar të nisjeve dhe mbërritjeve të autobusëve. Vetëm kur ta hapni aplikacionin ju mund të shihni se kur mbërrin në stacionin tuaj autobusi i radhës. Ju mund të zgjidhni se në cilën orë dëshironi ta filloni udhëtimin tuaj, por nuk ka një orar të plotë të linjave.
Stacionet në qendër të qytetit janë të gjitha të qasshme, por stacionet periferike që janë jashtë qytetit nuk mund të gjenden aq lehtë dhe në fakt disa stacione autobusësh konsiderohen si një stacion i vetëm. Ne më konkretisht i testuam stacionet e autobusëve nga Petroveci, ku disa stacione autobusi ju shfaqen si një në qendër të këtij vendbanimi.
E mbushëm portofolin tonë elektronik dhe e filluam udhëtimin tonë në orën 11:55. Që në fillim të udhëtimit nga Petroveci drejt Qendrës Transportuese me autobusin numër 53 ne u përballëm me faktin që autobusët ishin shumë të pistë. Dritaret, muret, pjesa e brendshme, karriget, të gjitha ishin në gjendje të keqe nga pikëpamja higjienike.
Ajo që ishte pozitive ishte se në këtë autobus ishin instaluar pajisjet e reja për pagesën e biletave nëpërmjet të skanimit të një kodi QR, ose me një kartelën “Skopska”. Ato nuk janë ende aq moderne sa të mund të paguhet edhe me kartela kreditore/debitore si në shumë vende evropiane. Por me sa duket këto anët pozitive nuk zgjasin shumë, domethënë funksionojnë vetëm në linjat e qytetit.
“Mos u mundoni kot, skaneri nuk funksionon. Unë kam hipur që në stacionin e parë dhe secili që dëshiron të skanojë një kod QR nuk mund ta bëjë këtë sepse skaneri nuk funksionon. Mu desh të të paguaj me kartelën time “Skopska” dhe me sa duket edhe ju do të duhet ta bëni të njëjtën gjë”, na tha një udhëtar teksa po tentonim ta realizojmë udhëtimin tonë duke e përdorur vetëm aplikacionin. Ne ishim dëshmitarë se skaneri në pajisjen e re në autobusin e NQP Shkup në këtë autobus nuk funksiononte.
E pyetëm të njëjtin udhëtar nëse edhe ai kishte pasur përvojë të njëjtë me autobusët e NQP-së dhe pajisjet e tyre të reja, ndërsa ai u përgjigj se i përdor shërbimet e NQP-së çdo ditë, si në linjat periferike ashtu edhe në ato të qytetit.
“Çdo ditë në fillim hipi në autobusët periferikë nga Petroveci, herë atij numër 52, herë atij 53, dhe pastaj kaloj tek autobusët e linjave të qytetit me numrat 5, 15 ose 22. Më vjen shumë mirë që tani mund të skanoj me lehtësi një kod QR dhe të udhëtoj. Deri më tani nuk kam pasur problem me autobusët e qytetit, por disa herë më ka ndodhur të mos më funksionojë skaneri QR në autobusët e linjave periferike dhe gjithmonë e mbaj me vete kartelën “Skopska” për situata të tilla”, na tha udhëtari.
Edhe pse gjatë fushatës zgjedhore kryetarja aktuale e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, paralajmëroi blerjen e 250 eko-autobusëve të rinj, kjo tashmë nga fundi i mandatit të saj që përfundon në tetor të këtij viti, ende nuk është realizuar. Për hir të së vërtetës, fajin për dështimin nuk e ka vetëm kryetarja, por edhe Këshilli i Qytetit të Shkupit, ku shumicën e ka VMRO-DPMNE-ja që është në pushtet, por aty anëtarë kanë edhe LSDM-ja, E Majta dhe partitë e tjera më të vogla politike.