RMV, pothuajse një e treta e kompanive të cilave do t’u hiqet licenca kanë llogari të bllokuara ose janë joaktive

Pothuajse një e treta e kompanive ose 28%, të cilave do t’u hiqet licenca kanë llogari të bllokuara ose janë joaktive, ndërsa kompanitë e mbetura janë aktive, tregon ndër të tjera hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile – QKC, nga analiza dhe baza e të dhënave kërkimore për kompanitë që janë në listën e publikuar […]

Prill 24, 2025 - 17:00
 0  3
RMV, pothuajse një e treta e kompanive të cilave do t’u hiqet licenca kanë llogari të bllokuara ose janë joaktive
Inspektorati Shtetëror i Tregut, Foto: ISHT

Pothuajse një e treta e kompanive ose 28%, të cilave do t’u hiqet licenca kanë llogari të bllokuara ose janë joaktive, ndërsa kompanitë e mbetura janë aktive, tregon ndër të tjera hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile – QKC, nga analiza dhe baza e të dhënave kërkimore për kompanitë që janë në listën e publikuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për heqjen e licencave për punë ndërtimore dhe urbanistike, pas kontrolleve të kryera dhe ngjarjes tragjike në Koçan, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi ndër të tjera zbulon se licencat do t’u hiqen 426 kompanive, sepse nga 479 kompanitë në listë, disa janë të përsëritura dhe të tjera që u janë hequr disa licenca.

Kompanive do t’u hiqen 11 lloje të ndryshme licencash, ndërsa gjithsej do t’u hiqen 471 licenca.

Për shumicën e kompanive, licencat që do të merren nuk janë kusht që kompanitë të operojnë dhe të marrin tendera qeveritarë.

“Aktualisht, vetëm 49 nga kompanitë në listën për heqje licence kanë kontrata aktuale të prokurimit publik në vlerë totale prej 26 milionë eurosh. Sidoqoftë, vetëm 23 kompani që kanë kontratë të vlefshme të prokurimit publik do të humbasin realisht licencën që ishte kusht për fitimin e tenderit. Këto kompani kanë gjithsej 58 kontrata të prokurimit publik, vlera totale e të cilave është 14 milionë euro“, thuhet në hulumtim.

Nga të gjitha kompanitë në listë, 101 kanë fituar tenderë në tre vitet e fundit, në total 77 milionë euro.

“28% e kompanive të cilave u hiqet licenca kanë llogari të bllokuar ose janë ligjërisht ose komercialisht joaktive, ndërsa kompanitë e mbetura janë aktive. 85% e kompanive realizuan të hyra në vlerë totale vjetore prej 128 milionë euro (për vitin 2023, që është viti i fundit për të cilin janë publikuar të dhënat)”, theksohet më tej në hulumtim.

Shumica e kompanive gjenerojnë të ardhura të ulëta vjetore. Çdo e treta (31%) e kompanive kanë të hyra vjetore më pak se 15 mijë euro, ndërsa vetëm 33 kompani, ose 8%, kanë të hyra më të mëdha se 1 milion euro.

Të gjitha këto kompani punësojnë 2.188 persona. 4% e këtyre kompanive nuk kanë punonjës, dhe 3% kanë vetëm një punonjës. Vetëm 3% e kompanive kanë më shumë se 10 punonjës.

Kujtojmë se hulumtimi paraprak i po të njëjtës qendër tregoi se në vetëm dy vite, 2023 dhe 2024, institucionet shtetërore blenë automjete të reja pasagjerësh për 8.5 milionë euro, disa të blera dhe disa të marra me lizing. Mes tyre janë edhe 45 automjete qeveritare, secila me vlerë 50 mijë euro, të marra me lizing për zyrtarët aktualë, por edhe për ish-kryeministra dhe presidentë.