RMV, ministri i Brendshëm dhe ai i Transformimit Digjital premtuan digjitalizimin e dokumenteve personale
Ministrat e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe Transformimit Digjital Stefan Andonovski premtuan digjitalizimin e shërbimeve të MPB-së, duke iu referuar procesit të dhënies së dokumenteve personale, i cili ende funksionon mjaft vështirë, transmeton Portalb.mk. Siç njoftoi MPB, fokusi i takimit ishte “përmirësimi i shërbimeve ekzistuese dhe krijimi i shërbimeve të reja elektronike nga fushëveprimi […]
Ministrat e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe Transformimit Digjital Stefan Andonovski premtuan digjitalizimin e shërbimeve të MPB-së, duke iu referuar procesit të dhënies së dokumenteve personale, i cili ende funksionon mjaft vështirë, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftoi MPB, fokusi i takimit ishte “përmirësimi i shërbimeve ekzistuese dhe krijimi i shërbimeve të reja elektronike nga fushëveprimi i MPB-së, krijimi i ueb-faqes së re moderne të Ministrisë, ku qytetarët do të gjejnë në mënyrë efikase dhe të shpejtë të gjithë informacionin që u nevojitet”
Sipas Toshkovskit, ata kanë shqyrtuar mundësinë e digjitalizimit të dokumenteve personale, përkatësisht krijimit të dokumenteve personale elektronike, zhvillimit të aplikacionit elektronik në fushën e lejeve për armë, mundësi të tjera për digjitalizimin e punës dhe proceseve në polici.
Analiza e realizuar nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, me fokus tek shërbimet elektronike që ofrohen nga komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nxori në pah se është e nevojshme që të krijohet një strategji nacionale për shërbimet komunale dhe digjitalizimin, në mënyrë që pa dallim nëse njësia është nga qyteti apo fshati, të gjithë të kenë të njëjtin progres digjital.
Sa i përket të dhënave personale rekomandohet që institucionet ta kuptojnë rëndësinë e tyre dhe të zbatojnë masat e duhura për mbrojtjen e tyre dhe në asnjë mënyrë të mos lejojnë që kjo gjë të mbetet vetëm në letër. Por, po aq e rëndësishme është edhe që qytetarët të edukohen, por edhe të marrin këshillat e duhura nga autoritetet, sepse sot, në epokën digjitale, privatësia mund të shkilet shumë lehtë.