Transport hekurudhor i shpejtë në Maqedoninë e Veriut, plan serioz apo tren parazgjedhor pa orar?
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi dje për një “bum infrastrukturor” në hekurudhat e Maqedonisë. Rikonstruim të të gjithë linjës hekurudhore përgjatë Korridorit 10 (Tabanoc-Gjevgjeli) dhe modernizim të trenave të udhëtarëve që do të lëvizin me një shpejtësi mesatare prej 160 kilometrash në orë. Sipas Mickoskit, pas përfundimit të këtij projekti trenat e mallrave do të lëviznin […]


Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi dje për një “bum infrastrukturor” në hekurudhat e Maqedonisë. Rikonstruim të të gjithë linjës hekurudhore përgjatë Korridorit 10 (Tabanoc-Gjevgjeli) dhe modernizim të trenave të udhëtarëve që do të lëvizin me një shpejtësi mesatare prej 160 kilometrash në orë. Sipas Mickoskit, pas përfundimit të këtij projekti trenat e mallrave do të lëviznin me një shpejtësi mesatare prej 110 km/orë, që, siç llogariti ai, është katër herë më e shpejtë se mesatarja aktuale, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri pret “të paktën 10 herë” më shumë transport hekurudhor të mallrave dhe për “Hekurudhat e Maqedonisë” të ardhura vjetore prej 100 deri në 120 milionë euro. Kryeministri e bëri këtë deklaratë gjatë vendosjes së gurthemelit për një sallë sporti shkollore, si përgjigje në pyetjen e një gazetari gjatë së cilës foli për “Planin për një bum infrastrukturor” në vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh, i cili përfshin edhe investime në shëndetësi dhe energjetikë.
“Do të modernizohet dhe rikonstruohet Korridori 10, linja hekurudhore nga Tabanoci në Gjevgjeli. Pasi të ketë përfunduar e gjithë kjo qytetarët do të udhëtojnë dhe do të jenë në gjendje ta përdorin transportin hekurudhor me një shpejtësi mesatare prej 160 kilometrash në orë. Dhe trenat e mallrave, më duket se njëri prej tyre po kalon tani, do të jenë në gjendje që në vend se të lëvizin 10 deri në 15 kilometra në orë, siç po lëvizin aktualisht në seksione të caktuara, të përshkojnë mesatarisht 110 kilometra në orë. Që do të thotë të paktën katër herë më shumë se mesatarja aktuale”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se qëllimi përfundimtar është që Hekurudhat e Maqedonisë të realizojnë të ardhura vjetore nga 100 deri në 120 milionë euro.
Sipas kryeministrit, investimi i madh në rikonstruimin e Korridorit 10 do të shpallet brenda pak ditësh dhe do të jetë në formën e një marrëveshjeje qeveri-me-qeveri, pa specifikuar se për cilin vend të huaj bëhet fjalë.
Në pyetjen nëse kjo do të jetë pjesë e Planit të Rritjes, Mickoski tha se ishte vetëm pjesërisht kështu.
“Pjesë e Planit të Rritjes, por edhe pjesë e investimit të njoftuar, të cilin do ta nënshkruajmë në bazë të një marrëveshjeje qeveri-me-qeveri. Shumë shpejt, nuk është çështje javësh, por çështje ditësh, qytetarët e Maqedonisë do ta dinë me saktësi se për çfarë bëhet fjalë”, tha Mickoski.
Ky premtim i fundit tingëllon si një revolucion hekurudhor për Maqedoninë, ku shpejtësia mesatare aktuale e trenave të udhëtarëve është rreth 40 km/orë. Por parashikime të tilla optimiste për hekurudhat ka pasur edhe në të kaluarën.
Premtimi për trena me shpejtësi 160 km/orë përgjatë Korridorit 10 vjen në një kohë kur trenat e udhëtarëve nuk operojnë as për në Selanik dhe as për në Beograd. Prandaj, është e nevojshme ta shohim këtë njoftim në kontekstin e deklaratave të mëparshme dhe projekteve të (pa)realizuara në sektorin hekurudhor.
Përsëritje e premtimeve të vjetra
Nuk është hera e parë që qeveria aktuale njofton për projekte madhështore hekurudhore. Në korrik të vitit 2024, vetëm pak ditë pasi u zgjodh, qeveria e VMRO-DPMNE-së njoftoi se hekurudha e shpejtë në Korridorin 10 ishte një përparësi strategjike. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Serbinë, e cila po riaktivizon idenë e një linje hekurudhore rajonale të shpejtë Budapest-Beograd-Shkup-Selanik. Autoritetet serbe kanë njoftuar se deri në vitin 2028 do të ndërtojnë një hekurudhë të shpejtë për në Nish dhe do të kërkojnë fonde për seksionin Nish-Tabanoc. Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut u përgjigj se Shkupi është gjithashtu i përgatitur sepse hekurudha e shpejtë në Korridorin 10 është një prioritet qeveritar.
Në shtator të vitit 2024 Ministri i Transportit, Nikolloski, e promovoi idenë edhe më zëshëm. Ai deklaroi hapur se një nga arsyet kryesore pse u bë ministër ishte ndërtimi i hekurudhës së shpejtë Shkup-Selanik. Nikolloski foli me vizion për lidhjen me linjat e shpejta evropiane në veri dhe jug: sipas tij, brenda 7 vitesh mund të ndërtohet një hekurudhë e re e shpejtë përgjatë Korridorit 10, përgjatë së cilës zonat industriale do të mbinin “si Lego”. Në atë vizion, trenat nuk do duhej të lëviznin me shpejtësi 160 kilometra në orë, siç tha Mickoski sot, por deri në 200 kilometra në orë.
Në realitet njoftimet e këtilla kanë hapur shumë pyetje. Sidomos e habitshme ishte sinqeriteti i Nikolloskit se ka ardhur në këtë detyrë për ta realizuar hekurudhën e shpejtë për në Selanik. Njoftimet e këtilla morën gjithashtu një notë simbolike të marketingut politik.
Ndërkohë, midis njoftimeve për trena me shpejtësi nga 160 deri në 200 km/orë në drejtimin Veri-Jug, e njëjta qeveri mburrej me një projekt që duket modest në krahasim: i vuri në funksion 30 kilometrat e para të hekurudhës nga Kumanova në Beljakovc, pjesë e Korridorit 8, Lindje-Perëndim.
Në ceremoninë e prerjes së shiritit, Kryeministri Mickoski deklaroi se Korridori 8 është një projekt po aq strategjik sa Korridori 10, duke siguruar se Qeveria i konsideron të dy korridoret përparësi.
Në ceremoninë e prerjes së shiritit, Kryeministri Mickoski deklaroi se Korridori 8 është një projekt po aq strategjik sa Korridori 10, duke siguruar se Qeveria i konsideron të dy korridoret përparësi.
Tre dekada një hap para e një prapa, e pastaj duke pritur
Lidhja me hekurudhë me Bullgarinë (Korridori 8, pjesa lindore) është një sagë 30-vjeçare. Nuk është rastësi që ndërtimi i hekurudhës për në Bullgari është premtuar nga të gjitha elitat politike gjatë tre dekadave të fundit. Projekti ambicioz filloi në vitet nëntëdhjetë, por deri më tani ka mbetur një ëndërr e parealizuar. Hapat e para përfunduan në mënyrë të palavdishme, u ndërtua një pjesë e hekurudhës, pastaj kishte ndërprerje të punimeve. Me një dinamikë të re punimet filluan në vitin 2014, kur u siguruan kredi nga BERZH dhe grante nga BE-ja por me prolongime të shpeshta.
Megjithatë, gjërat ngecën përsëri në burokraci dhe anuluan tenderët. Në vend që të ishte deri në vitin 2016, afatet u zgjatën disa herë deri në vitin 2020. Projekti u riaktualizua këto vitet e fundit: në fund të vitit 2022 zyrtarisht filloi ndërtimi i fazës së dytë drejt Kriva Palankës, dhe në janar 2025, qeveria e lëshoi në përdorim seksionin e parë nga Kumanova në Beljakoc, i cili po ndërtohej jashtëzakonisht ngadalë. Deri në përfundimin e hekurudhës deri në kufirin bullgar në Deve Bair ka ende shumë punë për tu bërë.
Por në vend të një realizimi të përforcuar, qeveria e re në gjysmën e dytë të vitit 2024 dërgoi mesazhe kontradiktore. Disa ditë pas zgjedhjes së qeverisë së Mickoskit në korrik të vitit të kaluar përfaqësuesit e qeverisë njoftuan se hekurudha për në Bullgari ishte projektuar si “më e shtrenjta në botë” dhe do të përfundonte në një tunel pa dalje në anën bullgare.
Në fund të muajit gusht kryeministri Mickoski madje tha se i ishte ofruar ryshfet për ta nënshkruar tenderin me vlerë prej 560 milionë euro për ndërtimin e fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë. Ai e bëri të ditur këtë në një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse prioritet i Qeverisë në periudhën e ardhshme do të jetë vetëm Korridori 10. As Ministria e Punëve të Brendshme dhe as Prokuroria Publike nuk kanë informacion nëse është filluar ndonjë procedurë për këtë rast bazuar në atë që tha kryeministri.
Kishte njoftime edhe se do të rishqyrtohej (dhe madje do të ndërpritej) ndërtimi i degës lindore, ndërsa fondet do të ridestinoheshin për modernizimin e hekurudhës për në Greqi. Kjo ide – për ta sakrifikuar Korridorin 8 për Korridorin 10 – ngriti menjëherë një sërë pyetjesh: a është e realizueshme ligjërisht dhe financiarisht, si do të reagojë BE-ja, çfarë do të nënkuptojë kjo për marrëdhëniet me Bullgarinë?
Detyrimet ndaj BE-së dhe fqinjëve padyshim nuk mund të anashkalohen kaq lehtë. Korridori 8 është pjesë e Rrjetit Trans-Evropian të Transportit dhe ka mbështetje nga Brukseli – gjë ë e dëshmojnë dhjetëra milionë eurot në fonde të pakthyeshme të ndara për këtë projekt. Ndërtimi i hekurudhës për në Bullgari përmendet në çdo raport mbi progresin e vendit drejt BE-së, ndërsa është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë (2017) dhe protokolleve të saj nga viti 2019 dhe 2022. Me vetë marrëveshjen Shkupi u zotua ta përfundojë në kohë lidhjen hekurudhore me Sofjen, e cila ka edhe një dimension gjeostrategjik, pra lidhjen e Adriatikut me Detin e Zi dhe përforcimin e autonomisë së BE-së.
Në Sofje duket se po e ndjekin nga afër këtë proces: qeveria bullgare i ka bërë thirrje zyrtarisht Maqedonisë që t’i qaset me përgjegjësi detyrimeve të saj dhe t’i përfundojë pjesët e saj të Korridorit 8. Autoritetet bullgare madje pretenduan se nuk e kanë shtyrë pjesën e tyre të hekurudhës, por përkundrazi, e shpallën Korridorin 8 një prioritet kombëtar. Nga perspektiva e tyre, nga 747 km hekurudhë e planifikuar në territorin bullgar, për ndërtim mbeten vetëm 2,5 km– nga stacioni i fundit Gjueshevë deri në kufirin Deve Bair. Me fjalë të tjera, Bullgaria po thotë se topi është në anën tonë, por me sa duket ne do t’ia pasojmë një lojtari tjetër.
Për atë se sa u tensionua situata dëshmon edhe drama e vogël diplomatike që ndodhi në muajin mars të këtij viti. Pasi Nikolloski e akuzoi Sofjen për vonesë të modernizimit të hekurudhës nga ana e saj, ministri bullgar Grozdan Karaxhov e mohoi këtë, duke pretenduar se Bullgaria ia kishte dërguar marrëveshjen Maqedonisë.
“Përderisa Nikolloski po e thotë këtë, treni kaloi nëpër Pernik, nëpër Radomir dhe arriti në Qustendil, dhe prej andej në stacionin e fundit, Gjueshevo – për ta pritur atë nga Maqedonia”, komentoi Karaxhov me ironi.
Është fakt se për momentin nuk ka tren nga Shkupi për në Sofje sepse linja jonë hekurudhore përfundon në një fushë. Mbetet për t’u parë nëse qeveria do ta “ngrijë” vërtet një projekt të tillë kapital (dhe në këtë mënyrë do të heqë dorë nga paratë evropiane që tashmë i ka siguruar), apo do ta vazhdojë ndërtimin paralelisht me planet për modernizimin e Korridorit 10.
A do të vijë (dhe kur) “treni për në Evropë“?
Vizioni madhështor për një rilindje hekurudhore me trena që do të “fluturojnë” me 160 km/orë padyshim që tingëllon joshës. Por përplasja e atij vizioni me realitetin e kahershëm ngjall një dozë skepticizmi edhe midis vëzhguesve me qëllimet më të mira.
Partnerët evropianë tashmë kanë dhënë sinjale se janë të përmbajtur: “Nuk mundeni thjesht t’i ridestinoni paratë nga Korridori 8 në Korridorin 10, sistemi ynë nuk funksionon në atë mënyrë”, paralajmëroi ish-ambasadori i BE-së, David Geer, verën që shkoi.
Nicola Bertolini nga delegacioni i BE-së që në vitin 2019 rikujtoi se Shkupi nuk po i përdor mjaftueshëm fondet e BE-së – “Ne dhamë 70 milionë euro për ta përfunduar linjën hekurudhore nga Shkupi drejt Bullgarisë dhe kjo gjë ende nuk është realizuar. Përveç kësaj, dhamë edhe 60 milionë euro të tjera që e njëjta linjë të vazhdojë, por ky program nuk po përparon siç duhet dhe ai duhet të përparojë. Ne rrezikojmë shumë duke i humbur këto fonde deri në fund të projektit nëse nuk ka përparim.”
Historia e hekurudhave (dhe rrugëve) të papërfunduara në këtë vend na mëson se skepticizmi publik është i arsyeshëm. Jo rastësisht vetë ish-kryeministri Kovaçevski në vitin 2023deklaroi: “E kuptoj skepticizmin e qytetarëve” në lidhje me premtimet për Korridorin 8, duke aluduar në vargun e gjatë të pritshmërive plot zhgënjim.
Njoftimet për një “bum infrastrukturor” me vlerë prej 2 miliardë euro nuk vijnë befasisht – ato vijnë pas një sërë afatesh të pa arrira, kontratash të ndërprera me kontraktorët dhe madje edhe padive për abuzime në “Hekurudhat e Maqedonisë”. Prandaj, pyetja logjike është: a është ky më në fund një plan serioz apo një tjetër tren parazgjedhor pa orar?
Nëse vërtetë fillohet me rindërtimin e Korridorit 10, kjo që do të jetë e mirëpritur, por kjo nuk duhet automatikisht ta nënkuptojë braktisjen e Korridorit 8, i cili është po aq i rëndësishëm për integrimin evropian dhe për ekonominë e Maqedonisë, por edhe atë rajonale.
Megjithatë, nëse asnjëri prej këtyre dy projekteve nuk përparon, atëherë të gjitha premtimet do të mbeten vetëm fjalë në erë dhe të përcjella në media si trena të shpejtë mbi shina Lego që do të vazhdojnë të qarkullojnë në imagjinatën politike. Rreziqet janë të larta – si për ekonominë ashtu edhe për kredibilitetin e qeverisë – kështu që mbetet për t’u parë nëse “bumi” hekurudhor do të ndodhë vërtet apo do të mbetet siç ka qenë, thjesht një lajm i mirë për media.