RMV, qytetarët cak i mashtrimeve nga këshilltarë të rrejshëm financiarë, MPB bën thirrje për kujdes

Ministria e Punëve të Brendshme informon qytetarët se është vënë re një aktivitet i shtuar i mashtruesve, të cilët përmes rrjeteve sociale paraqiten si “këshilltarë financiarë” dhe zakonisht ofrojnë shërbime të tregtimit të kriptovalutave, transmeton Portalb.mk. Individët reklamojnë me profile të rreme ose reklama të sponsorizuara, shpesh duke premtuar fitime të larta dhe të shpejta, […]

Nëntor 14, 2024 - 18:00
 0  4
RMV, qytetarët cak i mashtrimeve nga këshilltarë të rrejshëm financiarë, MPB bën thirrje për kujdes
Hakerë, sulm kibernetik, foto: Mika Baumeister/Unsplash

Ministria e Punëve të Brendshme informon qytetarët se është vënë re një aktivitet i shtuar i mashtruesve, të cilët përmes rrjeteve sociale paraqiten si “këshilltarë financiarë” dhe zakonisht ofrojnë shërbime të tregtimit të kriptovalutave, transmeton Portalb.mk.

Individët reklamojnë me profile të rreme ose reklama të sponsorizuara, shpesh duke premtuar fitime të larta dhe të shpejta, duke arritur kështu të tërheqin viktima që kërkojnë një mënyrë për të investuar.

Pas kontaktit përmes mediave sociale, mashtruesit komunikojnë me viktimat përmes telefonatave, duke përdorur numra VOIP që zakonisht duken si numra lokalë për të fituar besimin. Gjatë bisedës, ata i bindin viktimat që të instalojnë softuer për qasje në distancë, me pretendimin se u nevojitet për t’i ndihmuar të krijojnë platformën e tregtimit.

Pasi fitojnë qasjen në distancë në kompjuterin ose pajisjen celulare të viktimës, mashtruesit hyjnë në bankingun elektronik dhe transferojnë fonde nga llogaritë bankare të viktimave. Në shumë raste, viktimat mbeten pa para para se të kuptojnë se janë mashtruar dhe dëmet janë të konsiderueshme.

Departamenti për Krime Kompjuterike këshillon qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur komunikojnë me persona të panjohur të cilët ofrojnë këshilla financiare përmes internetit.

Kujtojmë se edhe gjatë muajit shtator të këtij viti, qytetarët ishin shënjestër e një mashtrimit për vjedhjen e të dhënave personale. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se qytetarët merrnin e-maile në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike (BPS), Sasho Tasevski, i cili dukej si ftesë në gjykatë.