RMV, vetingu i realizueshëm vetëm në premtimet parazgjedhore të partive politike, utopik në realitet

Zbatimi i vetingut në veprimtarinë politike të Maqedonisë së Veriut gjen vend vetëm në programet e partive politike dhe vokabularin e politikanëve, por e njëjta në realitet mbetet ende e parealizueshme. Informacioni se ish zv/kryemininistri Artan Grubi, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim është futur në të a.q. Lista e Zezë e SHBA-ve, e cila […]

dhjetor 17, 2024 - 08:00
 0  5
RMV, vetingu i realizueshëm vetëm në premtimet parazgjedhore të partive politike, utopik në realitet
Gjyqësor, gjykata, drejtësi

Zbatimi i vetingut në veprimtarinë politike të Maqedonisë së Veriut gjen vend vetëm në programet e partive politike dhe vokabularin e politikanëve, por e njëjta në realitet mbetet ende e parealizueshme. Informacioni se ish zv/kryemininistri Artan Grubi, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim është futur në të a.q. Lista e Zezë e SHBA-ve, e cila lidhet me personat e korruptuar, si dhe po ndiqet penalishtndiqet penalisht nga Prokuroria, prapë në opinion ngre çështjen “ku mbeti vetingu (kontrolli) dhe, deri ku jemi me drejtësinë në vend?”, shkruan Portalb.mk.

BDI dështoi me vetingun, edhe pse erdhi në pushtet me premtimin e madh parazgjedhor të vetingut për politikanë, gjykatës dhe prokuror. Por, premtimin e parealizuar nuk e harroi dhe që në ditët e para si parti opozitare reagoi:

“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, veçanërisht atyre në pushtet, që pa vonesë të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare një veting gjithëpërfshirës të të gjithë zyrtarëve publikë në 30 vitet e fundit”, është kjo fjalia që e përsërit kjo parti.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut edhe pse shtatë vite në pushtet, dështimin e moszbatimit të vetingut e arsyeton me mungesën e përkrahjes nga ana e partive tjera.

“Qysh në vitin 2019, LSDM bëri thirrje për një veting të plotë dhe këtë e kemi vënë edhe në Programin tonë për zgjedhjet e vitit 2020. Fatkeqësisht, as BDI dhe as VMRO-DPMNE nuk e përkrahën këtë ide. Ideja jonë ishte që të bënim një veting sipas shembullit të vetingut që BE-ja bëri në Shqipëri, ku në bazë të verifikimit pasuror dhe profesional të çdo gjyqtari dhe prokurori, radhët e drejtësisë u pastruan nga strukturat më të korruptuara.”thonë nga LSDM.

Nga VMRO- DPMNE, kur përmendet vetingu, pyesin se ku ishin LSDM dhe BDI gjatë këtyre 7 viteve në pushtet:

“Shprehin shqetësim nga opozita, e në pushtet të paprekshëm- kështu e imagjinojnë politikën LSDM dhe BDI, që grabitën shtetin dhe nuk menduan për popullin 7 vite duke u pasuruar. LSDM dhe BDI, para se të flasin për vetingun ndërkombëtar, duhet të mbajnë përgjegjësi ne vend për krimin e kryer”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Vetingu, në formë të shkruar si propozim ka gjetur vend edhe të koalicioni shqiptar VLEN, partneri aktual qeverisës i VMRO-DPMNE.

“Një pako legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë, duke përfshirë në të Ligj për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë krijimin e një organi të pavarur të themeluar enkas për këtë proces, në përputhje me standardet europiane dhe me asistencë ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash ne programin politik të koalicionit VLEN.

Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk
Foto ilustrim, e krijuar nga Portalb.mk

Ekspertët: Për veting duhet vullnet politik dhe ndihmë nga ana e ndërkombëtarëve

Njohësit e rrethanave juridiko-politike në vend mendojnë se vetingu është i domosdoshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por druajnë se edhe ky proces mund të keqpërdoret për qërim hesapesh politike, prandaj shtojnë se është e domosdoshme edhe ndihma ndërkombëtare.

Profesoresha universitare dhe juristja, Besa Arifi, për Portalb.mk tha se vetingu është një proces shumë i rëndësishëm dhe se i njëjti duhet në mënyrë shumë të kujdesshme të zbatohet.

“Në situata ku besimi te institucionet shtetërore, veçanërisht i atyre që vendosin drejtësi është shumë i ulët, vihet në pikëpyetje edhe si mund të zbatohet një veting i tillë dhe kush mund ta zbatojë. Me një ndihmë ndërkombëtare dhe një proces transparent një gjë e tillë edhe mund të bëhet. Por, duhet të jetë një proces mirë i strukturuar, në të cilin do të mund të besoj populli dhe jo të jetë proces që mund të ngjasojë në revanshizëm politik”, pohoi Arifi.

Sipas saj, duhet vullnet politik nga ana e të gjithë involvuarve- kjo jo gjithmonë është e mundur, sepse partitë politike kur janë në opozitë ndonjëherë flasin për këto punë, por pastaj kur janë në qeveri sikur e harrojnë këtë punë dhe mbesin vetëm në nivelin e deklaratave.

“Një proces i këtillë që është thelbësor për institucionet shtetërore normalisht që duhet të ketë një përkrahje më të gjerë politike dhe vullnet politik për të implementuar. Kjo do të thotë se duhet të bëhen ndryshime edhe në Ligjin e gjyqësorit, … dmth një proces që kërkon më tepër angazhim dhe një proces që kërkon kompromis gjithëpërfshirës, duke përfshirë të gjithë partitë politike- gjë që ndonjëherë është vështirë të realizohet, në shoqëritë tona që janë shumë të ndara”, përfundoi Arifi.

Profesori universitar, Murat Aliu është decid se shtetet si Republika e Maqedonisë së Veriut, në përgjithësi shtetet e Ballkanit, ku korrupsioni është në nivelet më të larta të shtetit, kanë nevojë per veting.

“Por, duhet pasur parasysh që jetësimi i iniciativave të tilla është i vështirë, në kuptimin që këto lloj procesesh shumë lehtë mund të shndërrohen në instrumente politike- në shërbim të një force politike. Ne si vend kemi një përvojë të hidhur me Prokurorinë Speciale, e cila u keqpërdorë për përfitime materiale dhe interesa tjera nga vet kryetarja e saj. Sa i përket iniciativave të tilla duhet thënë që iniciuesit për veting, kurrë s’kanë qenë serioz dhe të sinqertë për një gjë të tillë. Vetingu shërben si një floskulë dhe frazë boshe kur partitë politike dëshirojnë të dëshmojnë vendosmërinë e tyre për të luftuar korrupsionin”, tha Aliu.

Vetingu paraqet mekanizëm që e vlerëson përgjegjësinë individuale, integritetin e një individi dhe përfshirjen e tij në keqpërdorime, derisa ka ushtruar pozicione shtetërore. Si proces vazhdon të mbetet kryefjalë në fushatat zgjedhore, por që humbet pas përfundimit të fushatës. Ndërkohë, besimi i qytetarëve te gjykatësit dhe prokurorët vazhdon të jetë në një nivel historikisht të ulët prej dy përqind.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është thuajse sektori më i kritikuar në çdo raport ndërkombëtar . Pushteti aktual deri tani ka paralajmëruar disa herë masa ‘rigoroze’ kundër gjykatësve të korruptuar por asgjë nuk është ndërmarrë.

Nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik”, shkruan raporti më i ri i KE-së për RMV-në.

Komisioni Evropian raportin e progresit të publikuar me 30 tetor, sa i përket fushës së korrupsionit, theksohet se ai është i përhapur në shumë fusha dhe kërkohen hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente.