Mickoski: Filloi ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtojmë të ardhmen e përbashkët evropiane
“Sot, nga këtu – nga zemra e Pollogut – po e dërgojmë përgjigjen më të fuqishme për të gjithë skeptikët dhe për të gjithë ata që për vite me radhë flisnin, por nuk bënë asgjë: ne nuk japim premtime boshe, ne ndërtojmë! E fillojmë një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore – ndërtimin e autostradës […]

“Sot, nga këtu – nga zemra e Pollogut – po e dërgojmë përgjigjen më të fuqishme për të gjithë skeptikët dhe për të gjithë ata që për vite me radhë flisnin, por nuk bënë asgjë: ne nuk japim premtime boshe, ne ndërtojmë! E fillojmë një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore – ndërtimin e autostradës së re Tetovë-Gostivar, me gjatësi prej 18 kilometrash”, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski në vendosjen e gurthemelit të autostradës Tetovë-Gostivar.
Ai përmendi tre elemente të rëndësishme sipas tij, për infrastrukturën e vendit.
“E para është se si një vend që për fat të keq nuk ka dalje në det, gjithmonë kur flisnim në kuadër të qeverisë, sfida jonë ishte të gjenim se cila është përparësia jonë strategjike ndaj të gjitha vendeve të tjera të rajonit, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë në Evropë edhe atëherë të gjithë së bashku arritëm shumë lehtë në një përfundim, që është se si shtet ndoshta jemi të vetmit që kemi potencial të jemi pjesë e korridoreve panevropiane. I pari është ky prej nga po ju drejtohem sot, Korridori 8, i dyti është Korridori 10. Korridori 8 i cili lidh Detin Jon dhe Adriatik me Detin e Zi, Korridori 10 që lidh Mesdheun me Evropën Qendrore në këtë pjesë të Evropës, si dhe Korridori 11 i cili kalon në fqinjësinë tonë lindore. Me një segment që do të lidhë Korridorin 10 me Korridorin 11, atëherë bëhemi vend i cili do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me të gjitha portet në këtë pjesë të Evropës dhe do të jetë një hallkë e rëndësishme e asaj për të cilën foli edhe ambasadorja e nderuar e SHBA-ve, znj. Ageler, e ajo është një hallkë e rëndësishme e krahut jugor të aleancës më të madhe të njerëzimit, e ajo është NATO. Dhe prandaj, kur ndërtoni rrugë, kur ndërtoni bulevarde, kur ndërtoni sisteme ujësjellësi, kanalizime, shkolla dhe çerdhe – ju ndërtoni të ardhmen. Ne sot ndërtojmë të ardhmen, nuk flasim për të kaluarën. Ne nuk jemi të robëruarit e të së kaluarës. Ne duam sot të projektojmë se çfarë do të ndodhë në vitin 2027, 2028, apo 2030. Politikanët që kanë vizion dhe shohin në të ardhmen dhe ndërtojnë vepra të tilla, janë politikanët që do të mbahen mend dhe nuk do të harrohen kurrë nga kujtesa kolektive përmes veprave që ua lanë qytetarëve. Këtë rrugë do ta ngasin dhe do ta përdorin edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit, edhe serbët, edhe vllehët, edhe romët, edhe boshnjakët dhe të tjerë me përkatësi të ndryshme, turistë që do të vizitojnë thesaret tona malore dhe liqenore siç është Liqeni i Ohrit. Kjo është e ardhmja e atdheut tonë të përbashkët – Maqedonia – që të gjithë e duam dhe e respektojmë, por me vepra. Vetëm me vepra mund ta duam dhe ta respektojmë”, tha Mickoski.
Ai shtoi se kjo Qeveri nuk ndërton vetëm autostrada, kjo Qeveri ndërton edhe shumë rrugë lokale, shumë rrugë rajonale, magjistrale, eksprese, shkolla dhe çerdhe.
“Më lejoni sot, në mesazhin tim të dytë të falënderoj të gjitha komunat, pa marrë parasysh nëse kryetari i tyre vjen nga radhët e partive në pushtet, opozitës apo janë kandidatë të pavarur që janë kryetarë komunash, t’i falënderoj për përkushtimin e tyre dhe për faktin që të gjitha komunat – po e përsëris – u përgjigjën thirrjes së dytë të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe dorrëzuan projekte me një vlerë të përgjithshme prej pothuajse 16 miliardë denarësh, me më shumë se 900 projekte gjithsej. Kjo është një punë shumë e madhe e administratës, kjo është një përkushtim i madh nga ana e kryetarëve të komunave dhe unë i përgëzoj. Edhe ne si Qeveri do të vazhdojmë t’i financojmë këto projekte, sepse sot, si asnjëherë më parë, shteti është një kantier i madh ndërtimi. Imagjinoni, në një moment do të ndërtohet në më shumë se 1.200 lokacione. Më thoni kur në histori ka ndodhur një gjë e tillë në këtë atdheun tonë të përbashkët? Në më shumë se 1.200 lokacione do të ndërtohet. Do t’ju kujtoj se këtë dimër, si asnjë vend tjetër në rajon, u nisën tre projekte të mëdha ndërtimi. Njëri që lidh qendrën me lindjen e vendit dhe është pjesë e Korridorit 8 që përfundon në Kriva Pallankë, i dyti është ai që lidh qendrën e shtetit, rruga eksprese që lidh Gradskon me Prilepin dhe do t’ju kujtoj edhe seksionin e parë të hekurudhës që duhet ta lidhë Maqedoninë me fqinjët tanë lindorë dhe që përfaqëson një projekt historik dhe strategjik, pjesë e Korridorit 8, që është një nga dy korridoret më të rëndësishme që kanë përparësi për Aleancën e NATO-s dhe për të cilin, gjatë Samitit të NATO-s në korrik të vitit të kaluar në Uashington, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të rajonit nënshkruan marrëveshje që do të jetë prioritet i tyre. Dhe mesazhi im i fundit sot, para se të përfundoj, është se si Qeveri do të vazhdojmë të fokusohemi në vlerën e shtuar në cilësinë e jetës së bashkëqytetarëve tanë” tha Mickoski.