RMV, vitin e kaluar, 6 fëmijë dhe një grua u zbuluan si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore

Në Maqedoni, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në vitin 2023 janë identifikuar 7 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, prej tyre 4 vajza, 2 djem dhe 1 viktimë femër, thotë Instituti i Shëndetësisë Publike (ISHP). 18 tetori, shënohet si Dita Evropiane për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe është […]

tetor 18, 2024 - 13:01
 0  4
RMV, vitin e kaluar, 6 fëmijë dhe një grua u zbuluan si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore
Fëmijë që lypin në Strugë/ Fotografuar nga SH.A - Portalb.mk / Mars 2024

Në Maqedoni, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në vitin 2023 janë identifikuar 7 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, prej tyre 4 vajza, 2 djem dhe 1 viktimë femër, thotë Instituti i Shëndetësisë Publike (ISHP). 18 tetori, shënohet si Dita Evropiane për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe është një ditë kushtuar shëndetit publik dhe problemit social me rëndësi të madhe, trafikimit të qenieve njerëzore, transmeton Portalb.mk.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një krim fitimprurës dhe shkelje e të drejtave të njeriut që shfrytëzon fëmijë, gra dhe burra. Sipas raportit, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore nga Maqedonia e Veriut vijnë nga vendi dhe jashtë vendit, kryesisht nga Evropa Lindore, kryesisht janë gra dhe vajza të cilat shfrytëzohen për shërbime seksuale, punojnë në bare, restorante dhe klube nate.

Trafikantët e qenieve njerëzore përdorin metoda speciale për të joshur viktimat në situata për t’u trafikuar si: manipulimi, dhuna, lypja e detyruar, premtimi i rremë për një punë të mirëpaguar, si dhe marrëdhëniet e rreme romantike. Barrierat gjuhësore, frika nga trafikanti ose frika nga zbatimi i ligjit shpesh i pengojnë viktimat të kërkojnë ndihmë, duke e bërë trafikimin një krim të fshehtë.

Trafikantët zgjedhin viktima që janë objektiva të lehta për një sërë arsyesh, duke përfshirë: cenueshmërinë psikologjike ose emocionale, paqëndrueshmërinë ekonomike, mungesën e një rrjeti të sigurisë sociale, paqëndrueshmërinë politike dhe fatkeqësitë natyrore.

Trauma nga trafikantët është aq e fortë sa ndonjëherë viktimat nuk e përjetojnë dhe nuk e identifikojnë veten si të tillë, madje edhe në publik mund të mos kërkojnë ndihmë për të dalë nga zinxhiri i trafikimit të qenieve njerëzore.

“Në mbarë botën, sipas të dhënave të Eurostatit, më shumë se gjysma e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore janë të shfrytëzuara seksualisht. Shfrytëzimi seksual është një nga format më dominuese të trafikimit të qenieve njerëzore, ndërkohë që shfrytëzimi i punës së detyruar është rritur në një të tretën. Duhet theksuar se nuk është e lehtë të zbulohen rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, sepse shpesh ndodh që trafikantët janë nga familja më e ngushtë, kështu që fëmijët viktima rrallë kanë mundësi të raportojnë ose nuk janë në dijeni të situatës në të cilën ndodhen“, thonë nga ISHP.

Kujtojmë se trafikimi i fëmijëve, shfrytëzimit seksual, trafikimi i fëmijëve me qëllim shfrytëzimi për punë, martesat e detyruara ekspolatimi i punëtorëve dhe lypja janë në rritje në Maqedoninë e Veriut, tregoi Studimi i mbështetur nga veprimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Në studim thuhej se numri më i madh i viktimave të zbuluara në 5 vitet e fundit janë fëmijët viktima të martesave të detyruara.