Rreth gjysma e lokaleve në Maqedoninë e Veriut janë pa licenca, në Shkup dhe Tetovë më shumë parregullsi, konstatoi Inspektorati
Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer kontrolle në disa lloje të objekteve hotelerike, si kabare, klube nate dhe disko klubet, ku janë konstatuar shumë lokale pa licencë, transmeton Portalb.mk. “Sipas këtyre kontrolleve, janë paraqitur licenca të vlefshme për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, të cilat janë gjithsej 22 në gjithë territorin e shtetit, ndërsa 15 licenca […]


Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer kontrolle në disa lloje të objekteve hotelerike, si kabare, klube nate dhe disko klubet, ku janë konstatuar shumë lokale pa licencë, transmeton Portalb.mk.
“Sipas këtyre kontrolleve, janë paraqitur licenca të vlefshme për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, të cilat janë gjithsej 22 në gjithë territorin e shtetit, ndërsa 15 licenca rezultojnë të skaduara:”, njoftoi Qeveria, duke konstatuar se në gjithë territorin e vendit janë kryer rreth 50 kontrolle gjatë 16 dhe 17 marsit.
Në bazë të rezultateve që janë publikuar, në Shkup dhe Tetovë janë konstatuar më shumë parregullsi.
“Në Shkup ka 13 objekte, nga të cilat vetëm 2 kanë licenca të vlefshme (për kabare), 8 kanë licenca të skaduara, ndërsa 3 nuk kanë fare licencë. Në Tetovë ka gjashtë objekte, nga të cilat për katër nuk ka të dhëna, ndërsa dy kanë licenca të skaduara”, raportoi Qeveria.
Qeveria sqaroi që në 22 objektet që kanë licencë të vlefshme, do të verifikohen nëse i plotësojnë kushtet minimale teknike për të marrë licencën.
“Për të gjitha objektet e tjera, të cilat kanë licenca të skaduara ose nuk kanë fare licencë, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka marrë vendim për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë së tyre deri në sigurimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe deri në verifikimin e kushteve teknike minimale për ushtrimin e veprimtarisë, me qëllim që të mund të pajisen me licencë shtesë”, sqaroi Qeveria.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 16 mars gjithashtu mori vendim me të cilin obligohet Inspektorati Shtetëror i Tregut që në tre ditët e ardhshme në territorin e Republikës së Maqedonisë të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë (kabare, klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) dhe menjëherë ta njoftojë Qeverinë për konstatimet e inspektimit, në mënyrë që të përcaktojë gjendjen dhe kushtet sipas rregullores dhe akteve të tyre vendi.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.