Sali Berisha takim në Fier: U bënë përpjekje ta tjetërsonin PD-në, sot jemi më të fortë se kurrë
Kryetari i Partsië Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar me rastin e 34-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike Fier. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka akuzuar qeverinë për lidhje me krimin teksa ka thënë se “ky regjim largon çdo ditë shqiptarët nga vendi”. Më tej, Berisha u shpreh […]
Kryetari i Partsië Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar me rastin e 34-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike Fier.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka akuzuar qeverinë për lidhje me krimin teksa ka thënë se “ky regjim largon çdo ditë shqiptarët nga vendi”.
Më tej, Berisha u shpreh se edhe PD ka pësuar tronditje të mëdha dhe janë bërë përpjekje për ta tjetërsuar si forcë politike teksa ka shtuar se sot janë më të bashkuar, më të fortë dhe më në këmbë se kurrë më parë.
Sali Berisha: Në 34 vite të ekzistencës, ne transformuam Shqipërinë. Nga vendi i hiperkolektivizmit total, e shndërruam në vendin e iniciativës së lirë të qytetarëve të vet. Nga vendi i izolimit më të plotë, Shqipëria u integrua në Këshillin e Europës, në NATO dhe u hap ndaj gjithë botës.
Nga vendi që në vitin 1992, kishte të ardhurat për frymë të tretat më të ulëta në botë, 234 dollarë për frymë. Dhe kur një ditë u thashë që u bëra president me një rrogë 16 dollarë në muaj, një ndjekës në rrjetet sociale më thoshte Sala paska lajthitur. Qesha sepse e vërteta është se ai kishte të drejtë, nuk mund të imagjinonte se cila ishte Shqipëria e vitit 1992.
Por atë realitet, ne e transformuam. Ne ia dolëm që në vitin 2008, shqiptarët më të keqpaguar në kohëra, të dalin në krye për rrogat dhe pensionet në të gjitha vendet e rajonit. Dhe ky ishte një kërcim i madh. Miqtë e mi, PD në vitin 2013, humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë duke garantuar një proces zgjedhor të drejtë.
Por në pushtet erdhi njeriu me lidhjet më të fuqishme me krimin e diktaturë së shkuar dhe krimin e këtyre viteve. Pas vitit 2013, me shpejtësi në Shqipëri u instalua narkodiktatura, e cila hapi çdo ditë e më shumë një gropë të zezë të tmerrshme në këtë vend, nga e cila largohen çdo ditë shqiptarët.
Ky regjim largoi nga Shqipëria më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo fatkeqësi natyrore në ndonjë vend tjetër të planetit. Dhe ky largim ndodhi në 10 vite. PD pësoi gjithashtu në 3 vitet e fundit tronditje të mëdha. Ndaj saj u bënë përpjekje të padrejta, të pandershme ta asgjësonin, ta përçanin, t’i emëronin kryetarin, de facto ta tjetërsonin si forcë politike. Por, pas një procesi herë-herë dhe kalvari, sot jemi më të bashkuar, më të fortë, më në këmbë se kurrë.
Kjo sepse ne jemi njerëz që bashkohemi në të vërtetat që besojmë. Kjo është arsyeja kryesore. Ne nuk udhëhiqemi nga ideologjira ekstremiste. Ne udhëhiqemi nga respekti i dinjitetit njerëzor, i investimit dhe kontributit të secilit në ëktë proces. Ne nuk pranojmë kurrë të shkelmojmë mbi kontributin e tjetrit në familjen tonë.
Ne udhëhiqemi nga një parim madhor, toleranca. Këtu me datën 20 Shkurt, kur breshëritë korrnin jetë të rinjsh, demokratët nuk rrëmbyen, por demokratët qëndruan dhe me tolerancën e tyre, bënë pluhur përpjekjet e tyre për të krijuar republikën e Vlorës, siç u grupuan forcat enveriste.