Edhe një premtim i papërmbushur/ Ligjin që e premtonin vazhdimisht Kurti dhe Vitia është pezulluar nga Kushtetuesja

Disa herë kishin premtuar se gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2” do të filloj së zbatuari Ligji për Sigurime Shëndetësore, madje kishin thënë se procesi ndodhet në fazën finale. Por, ka më shumë se një muaj që ka përfunduar mandati i rregullt katër vjeçar i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, përderisa Ligji në fjalë

Prill 28, 2025 - 11:00
 0  4
Edhe një premtim i papërmbushur/ Ligjin që e premtonin vazhdimisht Kurti dhe Vitia është pezulluar nga Kushtetuesja
edhe-nje-premtim-i-papermbushur/-ligjin-qe-e-premtonin-vazhdimisht-kurti-dhe-vitia-eshte-pezulluar-nga-kushtetuesja

edhe-nje-premtim-i-papermbushur/-ligjin-qe-e-premtonin-vazhdimisht-kurti-dhe-vitia-eshte-pezulluar-nga-kushtetuesja

Disa herë kishin premtuar se gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2” do të filloj së zbatuari Ligji për Sigurime Shëndetësore, madje kishin thënë se procesi ndodhet në fazën finale. Por, ka më shumë se një muaj që ka përfunduar mandati i rregullt katër vjeçar i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, përderisa Ligji në fjalë ka mbetur në pikën zero.

Ky Ligj do të duhej  të zbatohej para më shumë se një dekadë, bazuar nga premtimet e vazhdueshme të qeveritareve kosovar, mirëpo një gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur deri më tani.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila vazhdon të udhëhiqet nga Arben Vitia, e kanë një arsyetim pse Ligji për Sigurime Shëndetësore, të cilin e ka premtuar vazhdimisht, nuk ka filluar të zbatohet.

“Ligji për Sigurimet Shëndetësore është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dhe pritet vendimi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për “Front Online”.

Ish-ministrat e Shëndetësisë dhe njohësit e këtij dikasteri kanë reaguar ndaj dështimit të implementimit të këtij Ligji shumë të rëndësishëm, duke theksuar se vonesat e tilla e kanë dëmtuar sistemin shëndetësor dhe pacientët kosovar.

 

Ish-ministri i Shëndetësisë: Dështimi i zbatimit të Ligjit është përgjegjësi e Ministrisë

 Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, është deklaruar për “Front Online” pas pezullimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore nga Gjykata Kushtetuese, duke kujtuar historikun e punës së bërë për zbatimin e këtij ligji dhe duke theksuar se dështimi aktual është përgjegjësi e hartuesve të tij.

“Prej vitit 2017 deri ne fund të vitit 2024 nuk është bërë asnjë veprim. Harmonizimi i ndryshimeve në Ligj, që po paraqitet si ligj i ri dhe i aprovuar për herë të parë, nuk është bërë komfort ligjeve të tjera përfshi edhe kushtetutën, prandaj është rikthyer në shqyrtim. Është përgjegjësi e hartuesit për dështim, sikurse do të ishte meritë e tij te suksesi eventual”, deklaroi Rrahmani.

Sipas Rrahmanit, Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta zbatojë e vetme ligjin për sigurime shëndetësore.

Ai përfundoi duke theksuar se vonesat kanë dëmtuar rëndë qytetarët dhe sistemin shëndetësor në tërësi.

Atëherë kur kemi punuar shumë në implementim të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore kemi pa dhe jemi bind se Ministria e Shëndetësisë si e vetme nuk mund të implementoj Ligjin, varet edhe nga shumë  dikastere tjera qeveritare. Jemi vonuar si shoqëri dhe shumë ka pësuar nga kjo vonesë edhe qytetari edhe sistemi shëndetësor”, përfundoi Rrahmani.

 

Ish-ministri Agani: Këto janë gabimet e Qeverisë “Kurti” me Ligjin për Sigurime Shëndetësore

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka folur për “Front Online” pas pezullimit të projektligjit për sigurime shëndetësore nga Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar të panevojshëm draftimin e një ligji të ri në këtë fushë.

“Qeveria është dashtë që ta zbatoj këtë ligj e jo ta draftojë një ligj të ri pa filluar zbatimin e ligjit ekzistues. Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri në këtë lëmi në situatën kur ligji është në fuqi, qe njëmbëdhjetë vite prej kur është miratua”, deklaroi Agani.

Sipas Aganit, ligji aktual, i miratuar që nga viti 2014, është një dokument ligjor cilësor dhe nuk është trajtuar asnjëherë seriozisht të zbatohet.

“Asnjëherë nuk është tentuar të zbatohet siç e kërkojnë dispozitat kushtetuese. Ligji për Sigurime Shëndetësore, që është në fuqi prej vitit 2014, është dokument tejet cilësor ligjor i cili ka pas mbështetje të plotë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe është draftuar në bashkëpunim me ta”, tha ai.

Agani u shpreh se pezullimi i projektligjit aktual nuk do të sjellë përfitime për qytetarët, pasi ai nuk është pjesë e një pakoje gjithëpërfshirëse reformuese.

“Ky projektligj, që aktualisht është i pezulluar me vendim të gjykatës kushtetuese nuk do të sjellë asgjë të mirë për qytetarët sepse nuk është pjesë e pakos gjithëpërfshirëse reformuese e cila në qendër e ka ndarjen e plotë të institucioneve blerëse të shërbimeve shëndetësore dhe ofruesve të tyre”, shprehet Agani.

 

Kodra: Pezullimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore po rrezikon seriozisht sistemin shëndetësor

Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra, për “Front Online” ka shprehur shqetësimin për pezullimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, i cili, ndonëse është miratuar në Kuvend, është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Kodra tha se ligji është hartuar pa përfshirjen e duhur të akterëve kyç dhe se mosfunksionimi i tij po dëmton rëndë sistemin shëndetësor dhe po ndikon negativisht tek pacientët.

“Mosfunksionimi i këtij ligji ka pasoja të mëdha për sistemin shëndetësor: dëmton institucionet publike shëndetësore, cenon interesat e pacientëve dhe inkurajon largimin e stafit shëndetësor drejt sektorit privat. Kjo përbën një rrezik serioz për vetë qëndrueshmërinë e sistemit”, u shpreh ai.

Sipas Kodrës, prioritetet emergjente për sistemin shëndetësor mbeten zbatimi i Sistemit të Integruar të Informacionit Shëndetësor dhe funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore.

“Sot, ndër urgjencat më të mëdha për sistemin shëndetësor mbeten zbatimi i Sistemit të Integruar të Informacionit Shëndetësor dhe funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore. Pa këto dy shtylla themelore, nuk mund të pretendojmë se kemi filluar ndërtimin e një sistemi që i përgjigjet realisht nevojave të pacientëve”, deklaroi Kodra.

 

Dreshaj: Qeveria Kurti s’pati vullnet politik për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore

Ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj i cili ishte edhe anëtar në Komisionin për Shëndetësi ka folur për “Front Online” lidhur me mungesën e sigurimeve shëndetësore, të cilin këtë projektligj VV e premtoi të realizohet gjatë katër viteve mandat.

Dreshaj ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti duke thënë se s’kanë pasur vullnet politik për këtë çështje.

Sipas tij, së pari duhet të krijohen parakushtet për këtë Ligj.

“Nuk ka qenë pengesë ligji se e kemi pas një ligj për sigurime shëndetësore por ka munguar vullneti politik që të implemtohen sigurimet shëndetësore për këto katër vite as parakushtet për tu funksionalizuar sigurimet kjo qeveri nuk i ka krijuar. Duhet të krijohen parakushtet njëherë”, shprehet Dreshaj.

Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, ligji për sigurim shëndetësore u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por nuk u zbatua.

Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017. Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës./FrontOnline/