Së shpejti hapen dy kilometrat e parë të rrugës Shkup – Bllacë, në maj gjysma e parë e rrugës Kërçovë – Ohër, paralajmëroi Mickoski
Ka progres në realizimin e autostradës nga Kërçova deri në Ohër, po punohet çdo ditë dhe pres gjysmën e parë të autostradës nga fshati Arbinovë deri në Ohër, me përjashtim të një pjese të vogël tek fshati Botun të vihet në përdorim deri në maj të vitit të ardhshëm, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski, raporton […]
Ka progres në realizimin e autostradës nga Kërçova deri në Ohër, po punohet çdo ditë dhe pres gjysmën e parë të autostradës nga fshati Arbinovë deri në Ohër, me përjashtim të një pjese të vogël tek fshati Botun të vihet në përdorim deri në maj të vitit të ardhshëm, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski, raporton MIA.
Potencoi se deri në fund të vitit 2026, siç u premtua në fushatë, kjo autostradë të jetë plotësisht funksionale.
“Trashëguam një situatë kataklizme me projektet e infrastrukturës. Më në fund këto dy kilometra të ‘famshme’ të autostradës për në Bllacë kanë përfunduar dhe së shpejti do të vihet në përdorim. Kanë mbetur rreth 10 kilometra për t’u përfunduar. Ne kemi një plan të qartë se si ta zbatojmë atë përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Ai projekt së shpejti do të fillojë të realizohet”, tha Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri me rastin e 100 ditëve punë të qeverisë së re.
Theksoi se emra të njohur të cilët janë të afërt me BDI-në ndodhen në trasenë e këtyre 10 kilometrave të autostradës.
“Por, është ajo që është. Sfida ka dhe ne do t’i zgjidhim ato. Nga ajo gjendje kataklizme që trashëguam po ndodhin ndryshime të mëdha. Është lënë situatë e tmerrshme edhe me projektet që kanë të bëjnë me korridoret 8 dhe 10 për të cilat përveç avansit prej 300 milionë euro nuk pati asnjë progres…”, potencoi Mickoski.
Paralajmëroi se po përfundon ndërtimi i autostradës ekspres Çatal-Dlaboçicë-Kriva Pallankë e cila është pjesë e korridorit 8 që duhet të lidhë Kumanovën me vendkalimin kufitar Deve Bair me Bullgarinë. Po marrin fund, siç tha edhe punimet në autostradën Gradsko-Rosoman-Farish dhe janë në përfundim dhe pritet që deri në fund të vitit të lëshohet në përdorim.
Ndryshe, pas njoftimeve të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski se do të rishikohet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë dhe se pjesa e dytë 12 kilometra është e vështirë për t’u realizuar, më 30 gusht zëvendësja e tij, Kaltrina Zekolli Shaqiri reagoi. Ajo sqaroi se autostrada me Kosovën nuk është vënë në pikëpyetje, vetëm kërkohet një zgjidhje më e përshtatshme, ndërkohë paralajmëroi edhe ndryshimin e trasesë së autostradës.
Në lidhje me autostradën Kërçovë – Ohër, zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski më 10 korrik kishte premtuar se deri në fund të vitit 2026 autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë dhe do të funksionojë, edhe pse ka probleme të shumta. Ndërtimi i kësaj autostrade ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë. Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës.
- LEXO: Kaltrina Zekolli-Shaqiri: Autostrada Shkup-Bllacë do të ndërtohet, por në trase tjetër
- LEXO: Autostrada Kërçovë-Ohër do të jetë gati deri në fund të vitit 2026 edhe pse se ka probleme të shumta, paralajmëroi Nikolloski
- LEXO: Revizioni: Një kilometër i autostradës Kërçovë-Ohër kushton 9 milionë euro