Sejdini do të mbrohet në liri, vendosi pasuri e paluajtshme si garanci

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup pranoi garancinë e ofruar prej mbi 1.15 milionë euro, me ç’rast ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, iu hoq masa e paraburgimit,...

Korrik 24, 2026 - 13:00
Sejdini do të mbrohet në liri, vendosi pasuri e paluajtshme si garanci

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup pranoi garancinë e ofruar prej mbi 1.15 milionë euro, me ç’rast ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, iu hoq masa e paraburgimit, njoftojnë nga Gjykata Penale.

Sipas gjykatës, garancia përbëhet nga vendosja e hipotekës mbi një pasuri të paluajtshme, ndërsa si masë shtesë për sigurimin e pranisë së tij në procedurë, të dyshuarit i është konfiskuar pasaporta dhe dokumentet e tjera të udhëtimit.

Ish-kreu i FFM-së ndodhej në paraburgim që nga 24 prilli 2026, me propozim të Prokurorisë së Shkupit, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë për të penguar hetimin duke ndikuar mbi dëshmitarët. Pasi mbrojtja paraqiti kërkesë për zëvendësimin e paraburgimit me garanci, ndërsa prokurori publik dha mendim pozitiv, gjyqtari e miratoi kërkesën.

“Gjyqtari i procedurës paraprake mori vendim me të cilin e pranoi propozimin dhe garancinë e ofruar. Meqenëse kundër vendimit nuk u paraqit ankesë, ai u bë i formës së prerë dhe i dyshuari u lirua për t’u mbrojtur në liri”, thuhet nga Gjykata Penale.

Sejdini dyshohet për veprën penale “përvetësim në shërbim”, pasi sipas Prokurorisë, në periudhën nëntor–dhjetor 2024, në cilësinë e presidentit të FFM-së, i ka siguruar në mënyrë të kundërligjshme një kompanie nga Shkupi përfitim pasuror prej 660 mijë eurosh. Dyshohet se keqpërdorimi ka ndodhur gjatë përdorimit të mjeteve nga programi i UEFA-s, të destinuara për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.

“I dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues, ka futur një kusht shtesë në kontratën e lidhur me kompaninë e përzgjedhur, duke parashikuar një pagesë paraprake prej 20 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga ana e kontraktorit. Po ashtu, nuk ka paraparë asnjë garanci juridike për mjetet e paguara si avans”, deklaruan nga Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, kjo pagesë paraprake ishte parashikuar edhe pse kompania nuk e kishte kërkuar një gjë të tillë në ofertën e saj dhe pa asnjë garanci për kthimin e mjeteve para fillimit të punimeve. Më pas, me urdhër të Sejdinit, më 17 dhjetor 2024, avansi i kontestuar u transferua në llogarinë e kompanisë së përzgjedhur.

Dje, avokati i Sejdinit, Shkodran Alili, përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi se klienti i tij është liruar nga paraburgimi dhe se do të mbrohet në liri. Muamed Sejdini kaloi 92 ditë në paraburgim, ndërsa Alili falënderoi të gjithë ata që kanë treguar solidaritet gjatë tre muajve të fundit.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.