Semimaturantët u njoftuan me programet e shkollave të mesme në Tetovë
Në sheshin e Tetovës sot u mbajt dita e hapur e shkollave të mesme, ku semimaturantët u njoftuan me programet që ofrojnë shkollat e mesme, raporton Portalb.mk. Nxënësit u shprehën të interesuar për të gjitha shkollat, në veçanti për shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtenj” dhe Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”. Drejtoresha e shkollës së mjekësisë […]


Në sheshin e Tetovës sot u mbajt dita e hapur e shkollave të mesme, ku semimaturantët u njoftuan me programet që ofrojnë shkollat e mesme, raporton Portalb.mk.
Nxënësit u shprehën të interesuar për të gjitha shkollat, në veçanti për shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtenj” dhe Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”.
Drejtoresha e shkollës së mjekësisë Malsore Ramadani tha se “duke marrë parasysh tregun e punës, shkolla jonë mbetet nga më të kërkuarat dhe drejtimi për motër medicinale është ai që, që në afatin e parë pranon dhe mbushet kërkesa”.
Ndërsa drejtori i shkollës tekstile Muzafer Livoreka tha se “zakonisht pranojmë 250 nxënës, dhe viteve të fundit na kanë ardhur 150-100 nxënës ndërsa sivjet presim rreth 200 nxënës”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se këtë vit ka rritje të numrit të nxënësve të cilët do duhet të paraqiten për regjistrim në shkollat e mesme.
“Bëhet fjalë për 2167 nxënës, prej të cilëve 1800 me mësim në gjuhën shqipe, 337 me mësim në gjuhën maqedonase dhe 30 nxënës me mësim në gjuhën turke. Po ashtu kemi risi edhe në programet që ofrojnë shkollat e mesme, shkolla e mesme ekonomike nga ky vit ofron programin e marketingut digjital”, tha Kasami.
Ndërkaq, kanë filluar procedurat për ndërtimin e objektit të ri ku do të mësojnë nxënësit e shkollës tekstile dhe Gjimnazit 7 Marsi, ku nga mesi i vitit shkollor të ardhshëm pritet të jetë gati.
Kujtojmë që në Tetovë ka 6 shkolla të mesme, ndërsa viteve të fundit për shkak të migrimit të popullsisë numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm.