Janë shpenzuar miliona për pishinat shtetërore në RMV, ndërsa edhe pas pesë vjetësh po notohet në të thatë
Manastiri, Kërçova, Shtipi, Gjorçe Petrovi dhe Kisella Voda dhe Tetova janë komunat në të cilat Agjencia e atëhershme për Rini dhe Sport filloi të ndërtojë pishina, shpenzimet e përgjithshme për të cilat ishin rreth katër milionë euro. Ato duhej të ishin gati për 18 muaj. E ndërtuar dhe e vënë në përdorim është vetëm pishina […]


Manastiri, Kërçova, Shtipi, Gjorçe Petrovi dhe Kisella Voda dhe Tetova janë komunat në të cilat Agjencia e atëhershme për Rini dhe Sport filloi të ndërtojë pishina, shpenzimet e përgjithshme për të cilat ishin rreth katër milionë euro. Ato duhej të ishin gati për 18 muaj. E ndërtuar dhe e vënë në përdorim është vetëm pishina në Tetovë, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Pishinat e tjera jo vetëm që nuk janë përfunduar, por janë nënshkruar edhe anekse të kontratave që e kanë rritur vlerën e tyre për qindra mijëra euro dhe sërish nuk janë përfunduar. Nga inspektimi i mëparshëm është konstatuar edhe se në terren operojnë kompani të paautorizuara, kanë zbuluar nga organizata joqeveritare Qendra për Komunikime Qytetare.
Pesë vjet më parë u hodhën themelet për ndërtimin e një pishine të mbyllur në Kërçovë.
“Afati i ndërtimit të pishinave është 18 muaj, por në bisedime me kontraktorët mund të presim që këto pishina të ndërtohen edhe më shpejt”, tha para pesë vitesh ish-drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski.
Nga ajo kohë kanë kaluar tre herë nga 18 muaj, por në objektin pranë shkollës fillore “Sande Shterjoski” nuk mund të bëhet not. Nuk ka punëtorë, asnjë tabelë me informacion se çfarë po ndërtohet dhe nuk ka roje, edhe pse ka shënime ku thuhet se duhet të ketë.
Pa asnjë pengesë hymë dhe bëmë një shëtitje në vendin e ndërtimit.
Këtu ndodhet pjesa e pambaruar e pishinës së mbyllur ndërtimi i të cilës filloi pesë vite më parë, por tashmë për një kohë të gjatë këtu nuk kryhet asnjë aktivitet ndërtimor. Objekti ekziston, por është në gjendje të keqe. Materialet ndërtimore janë të hedhura rreth e rrotull, ndërsa makineria ndërtimore është zhdukur. Afati fillestar për përfundimin e punimeve ishte në muajin tetor të vitit 2021, por ky afat është shkelur disa herë.
Të paktën ishin mbyllur dyert kështu që ka pak shpresë e ajo që është ndërtuar brenda edhe mund të ketë shpëtuar pa u dëmtuar. Por, parë nga larg, edhe pa qenë ekspert mund të shihet se ka edhe shumë punë për tu bërë.
Sa kohë ka që ky objekt është pa sigurim? Sa kohë ka që nuk bëhen punime? Tentuam të zbulojmë diçka më shumë nga banorët lokalë? Asnjë nga ata që kontaktuam nuk ishte në dijeni se aty po ndërtohej një pishinë?
Pasi u informuan nga ne për projektin, i pyetëm nëse shpresonin që i njëjti të lëshohej në përdorim brenda një afati më të shkurtër kohor?
Sipas të dhënave të Byrosë për Prokurime Publike, ndërtimi i pishinës në Kërçovë filloi në bazë të tenderit me të cilin ishte parashikuar ndërtimi i pesë të tjerave.
Për pishinën në Kërçovë në konkurrencë me disa ofertues fitoi kompania “Energoinvest Trade” nga Shkupi, me ofertë prej 687.940 euro. E njëjta kompani e ka fituar tenderin për ndërtimin e katër pishinave të tjera, dhe atë në Shtip, Manastir, Kisella Vodë dhe Gjorçe Petrov. Vetëm në Tetovë fitoi një kompani tjetër – “Eurovia” nga Zhelina. Për gjashtë pishinat ishin planifikuar të shpenzohen gjithsej 3,968,238 euro.
Komuna | Realizuesi | Çmimi në Euro |
Kërçovë | Energoinvest Trade | 687940 |
Shtip | Energoinvest Trade | 629213 |
Manastir | Energoinvest Trade | 784719 |
Kisella Voda | Energoinvest Trade | 1241647 |
Gjorçe Petrov | Energoinvest Trade | |
Tetovë | Eurovia | 784719 |
Të njëjtat afate vlejnë për të gjitha pishinat – të ndërtohen për 18 muaj. Por, vlefshmëria e kontratave përfundon kur janë përmbushur plotësisht të drejtat dhe detyrimet, por jo më vonë se katër vjet nga data e nënshkrimit. Këto katër vite kanë kaluar, ndërsa në faqen e Byrosë së Prokurimeve Publike nuk ka asnjë informacion për anekset e kontratave.
Mirëpo, organizata joqeveritare Qendra për Komunikime Qytetare duke e hetuar të gjithë tenderin ka hasur në informacion shtesë për pishinën në Kërçovë.
Çmimi i punimeve ndërtimore është rritur nga rreth 690 në 804 mijë euro me aneks kontratë të lidhur në vitin 2023, e cila nuk është publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimeve Publike. Organizata e zbuloi atë sepse gjatë analizave të saj u mbështeten në dokumentacionin origjinal të marrë në bazë të Ligjit për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik.
Vlera e punimeve ndërtimore për pishinën në Kërçovë:
- 2020: 687940 euro
- Aneks 2023: 804000 euro
- Mjete te paguara: 73%
- Punime të përfunduara: 45%
Nga raportet e mbikëqyrjes, megjithatë, mund të shihet se kontraktuesit tashmë i janë paguar 73% të mjeteve të kontraktuara, edhe pse janë kryer vetëm 45% e punimeve ndërtimore.
Nga QKQ në hulumtimin e saj kanë ardhur në përfundimin se Agjencia për Rini dhe Sport ka vendosur të shpenzojë më shumë para nga shteti duke i pranuar argumentet e “Energoinvest Trade” për rritjen e çmimit të materialeve ndërtimore. Por në asnjë moment, pavarësisht shkeljeve të shumta të afateve, nuk janë aktivizuar klauzolat mbrojtëse.
“Në përputhje me kontratën, kontraktori ka qenë i detyruar të dorëzojë garanci bankare për ekzekutim cilësor dhe në kohë të kontratës në masën 10% të vlerës së kontratës”. Mirëpo, sipas të dhënave që disponojmë, Agjencia për Rini dhe Sport, përkundër vonesës së madhe, nuk e ka aktivizuar garancinë bankare, e as nuk ka iniciuar padi për mosndërtimin e pishinës”, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Qytetare.
Pas Kërçovës shkuam për ta parë pishinën në Manastir. Atje objekti ndodhet në oborrin e shkollës fillore “Dame Gruev”.
Për dallim nga Kërçova, ku mund të shihet se një kohë të gjatë nuk ka asnjë aktivitet ndërtimor në terren, në Manastir aktualisht po punohet në brendësi – gjegjësisht janë duke u vendosur gypa dhe pllaka. Ndonëse nuk na u lejua hyrja në ambientet e brendshme, personat që punojnë në objekt në një bisedë joformale na njoftuan se sipas pritshmërive kjo pishinë do të funksionojë për dy deri në tre muaj.
Dritaret dhe dyert e reja janë të mbyllura për publikun. Por kamera arriti të kapte atë që po ndodhte brenda. Në përgjithësi, hapësira duket më e rregulluar se ajo në Kërçovë. Disa banorë të Manastirit e dinë, e disa të tjerë jo – se në qytet po ndërtohet një pishinë. Në Manastir, si dhe në Kërçovë, afati është shkelur dhe zgjatur disa herë dhe nuk ka aneks kontrata të shpallura publikisht. Dhe kjo nuk është e vetmja ngjashmëri me Kërçovën.
Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra për Komunikime Qytetare, edhe pishina në Manastir është shtrenjtuar. Nga 705 mijë euro që ishin në fillim, në 815 mijë. As kjo aneks kontratë nuk gjendet në faqen e Byrosë së Prokurimeve Publike. Në Manastir janë paguar 74% e parave, që është dukshëm më shumë se përqindja e punëve të kryera – 45%.
Vlera e punimeve ndërtimore për pishinën në Manastir:
- 2020: 784719 euro
- Aneks 2023: 815000 euro
- Mjete te paguara: 74%
- Punime të përfunduara: 45%
I kontrolluam edhe pishinat e tjera. E ndërtuar është vetëm ajo në Tetovë dhe është në përdorim që nga viti 2022. Ajo në Kisella Voda është në fazë të avancuar, ndërsa po ndërtohet edhe në Gjorçe Petrov, por aty kanë mbetur edhe shumë punë për tu bërë. Në mënyrë aktive po punohet edhe në Shtip.
Një nga arsyet e ndalimit të ndërtimit në vitin e fundit është se kontrata për mbikëqyrjen e ndërtimit të objekteve ka skaduar në gusht të vitit 2024. Ajo ka qenë e lidhur për pesë vjet dhe ka përfunduar në vitin 2019. Për këtë arsye ne iu drejtuam kompanisë “ZIM Makedonija”, kompania e zgjedhur për mbikëqyrjen e objekteve ndërtimi i të cilave po vonon. I pyetëm se pse, sipas tyre. nuk janë ndërtuar objektet dhe nëse kanë regjistruar parregullsi të rënda. Nuk morëm përgjigje.
Në të njëjtën kohë e kontaktuam edhe kontraktorin “Energoinvest Trade”. Ata i pyetëm se pse nuk arritën të përfundojnë një pishinë të vetme në kohë, kur shembulli i Tetovës tregon se një gjë e tillë ishte e mundur. Edhe ata i injoruan pyetjet tona.
Na u përgjigj Darko Kaevki, i cili si drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport ka nënshkruar kontratat fillestare dhe në kohën e të cilit ka filluar ndërtimi.
“Operatori ekonomik më i favorshëm është përzgjedhur në fillim të vitit 2020 dhe gurët e themelit janë vënë në muajt e parë të vitit 2020. Duke pasur parasysh se këto pishina kanë pasur një periudhë ndërtimi 18-mujore dhe mandati im në Agjenci ka përfunduar në mesin e muajit korrik të vitit 2020, nuk mund t’ju jap përgjigje konkrete duke pasur parasysh se kam qenë drejtor 3 apo 4 muaj pas fillimit të tyre”, tha Kaevski.
Pasardhës i Darko Kaevskit nga viti 2020 deri në vitin 2024 ishte Naumçe Mojsoski. Ne e kontaktuam edhe atë. I dërguam pyetje ashtu siç na kërkoi ai, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk morëm asnjë përgjigje.
Pasardhës ligjor i Agjencisë është Ministria e Sportit, e cila udhëhiqet nga ish-kolegu i Mojsoskit nga kombëtarja e hendbollit, Borko Ristovski. Ai tashmë ka bërë të ditur se i gjithë projekti për ndërtimin e pishinave është nën revizion.