Shpallet fituesi i Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025

María Corina Machado, politikania dhe aktivistja nga Venezuela, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025, për përpjekjet e saj të palodhura në mbrojtje të të drejtave demokratike të popullit venezuelas dhe për luftën e saj të vazhdueshme drejt një tranzicioni paqësor nga diktatura në demokraci. Në një njoftim në rrjetin social X, Komiteti […]

tetor 10, 2025 - 12:00
 0
Shpallet fituesi i Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025

María Corina Machado, politikania dhe aktivistja nga Venezuela, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025, për përpjekjet e saj të palodhura në mbrojtje të të drejtave demokratike të popullit venezuelas dhe për luftën e saj të vazhdueshme drejt një tranzicioni paqësor nga diktatura në demokraci.

Në një njoftim në rrjetin social X, Komiteti Nobel deklaroi se Machado u vlerësua “për punën e saj të pandalur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjen e saj për të arritur një kalim të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”.

Komiteti shtoi se çmimi i sivjetshëm i jepet “një gruaje që mban gjallë flakën e demokracisë, në një kohë errësire që po rritet”.

Machado është përshkruar si një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit në Amerikën Latine në vitet e fundit. Sipas kryetarit të Komitetit Nobel, ajo ka qenë një figurë bashkuese kyçe në skenën politike të Venezuelës, duke mishëruar vlerat themelore të demokracisë.

“Kjo është pikërisht thelbi i demokracisë, vullneti ynë i përbashkët për të mbrojtur parimet e sundimit popullor, edhe kur nuk biem dakord. Në një kohë kur demokracia është nën kërcënim, është më e rëndësishme se kurrë të mbrojmë këtë terren të përbashkët”, theksoi ai.

Në vijim të fjalës së tij, kryetari i Komitetit Nobel, Jørgen Watne Frydnes, përshkroi situatën e vështirë në Venezuelë, duke theksuar se puna demokratike atje është “e rrezikshme”.

Ai kujtoi se Machado që më shumë se 20 vjet më parë kishte zgjedhur “kutitë e votimit në vend të armëve”, duke u bërë simbol i betejës paqësore për liri dhe drejtësi në një vend të shtypur nga autoritarizmi.

“Ajo ka kaluar vite të tëra duke punuar për lirinë, dhe sakrificat e saj janë një frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e demokracisë”, shtoi Frydnes.

María Corina Machado, e njohur për opozitën e saj të fortë ndaj regjimit të Nicolás Maduros, ka udhëhequr lëvizjen opozitare me qëndrueshmëri dhe guxim, pavarësisht kërcënimeve, ndalimeve politike dhe presioneve të shumta.