S’ka Qeveri të re në Kosovë, s’ka vazhdim të dialogut me Serbinë

Pas paralajmërimeve të shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, për funksionalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ngritur pyetja nëse mund të merren vendime të mëdha para themelimit të Qeverisë së re në Kosovë, si dhe duke pasur parasysh krizën politike në Serbi. Gjatë qëndrimit në Konferencën për Siguri në Mynih, presidentja

shkurt 23, 2025 - 10:00
 0  4
S’ka Qeveri të re në Kosovë, s’ka vazhdim të dialogut me Serbinë
s’ka-qeveri-te-re-ne-kosove,-s’ka-vazhdim-te-dialogut-me-serbine

s’ka-qeveri-te-re-ne-kosove,-s’ka-vazhdim-te-dialogut-me-serbine

Pas paralajmërimeve të shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, për funksionalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ngritur pyetja nëse mund të merren vendime të mëdha para themelimit të Qeverisë së re në Kosovë, si dhe duke pasur parasysh krizën politike në Serbi.

Gjatë qëndrimit në Konferencën për Siguri në Mynih, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti takuan të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.

Osmani theksoi se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit. Ajo theksoi angazhimin për përfundimin e procesit me njohjen e ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.

Nga ana tjetër, Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksit të saj, duke shtuar se Serbia vazhdon të shkelë këto marrëveshje. Ai paraqiti tri kërkesa për Serbinë për të vazhduar dialogun: Nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Bërnabiq, dhe dorëzimi i Milan Radoiçiq, i dyshuar për sulme terroriste në Banjskë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011, dhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve u arritë në shkurt 2023, por ende nuk po zbatohet.

Arifi: BE dhe SHBA presin veprime urgjente nga Qeveria e re e Kosovës

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi, tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po presin krijimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe se menjëherë pas formimit të Qeverisë, priten takime të rëndësishme me përfaqësues ndërkombëtarë.

‘’BE dhe SHBA jane ne pritje te krijimit te insitucioneve te Kosoves. Qe javen e pare kryeministri i ri do te kete vizite nga BE’’, tha Arifi për FrontOnline

Sipas Arifit, në javën e parë të mandatit, kryeministri i ri do të ketë vizita nga BE dhe SHBA, ku do të kërkohen veprime konkrete dhe urgjente për dialogun me Serbinë. Ai theksoi se suksesi i emisarit të dialogut varet jo vetëm nga palët e përfshira në bisedime, por edhe nga niveli i mbështetjes që BE-ja do të ofrojë në këtë proces.

Spahiu: Të hapet Ambasada e Kosovës në Serbi, pastaj Asociacioni

Sipas njohësit të çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar dhe nuk ka më vend për negociata të reja. Ai thekson se tashmë mbetet vetëm zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

‘’Dialogu Kosovë-Serbi është kryer. Janë kryer negociatat, ka mbetur vetëm të implementohet ajo çfarë është marrë vesh mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti’’, tha Spahiu për FrontOnline.

Spahiu vlerëson se pjesa më e rëndësishme e një marrëveshjeje është implementimi i saj, pasi që, siç thotë ai, një marrëveshje e pa zbatuar mbetet thjesht një dokument në letër. Ai argumenton se Kosova nuk duhet të pranojë më që të përmbushë detyrimet e saj pa garanci për zbatimin e plotë dhe të njëkohshëm të të gjitha pikave të dakorduara.

Një nga pikat kyçe të marrëveshjes, sipas Spahiut, është hapja e ambasadave apo misioneve të përhershme diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Nga ana tjetër, Serbia kërkon që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston që të hapen ambasadat. Sipas tij, kompromisi i vetëm i pranueshëm do të ishte realizimi i këtyre dy hapave në të njëjtën ditë.

‘’Serbia insiston që një herë të bëhet Asosacioni pastaj shohim në ndërkohë që Kosova natyrshëm insiston që të hapen misionet e përhershme diplomatike, pra ambasadat e Kosovës në Serbi e Serbisë në Kosovë e pastaj të bë bëhet Asosacioni’,’ tha Spahiu.

Muhaxhiri: Dialogu Kosovë-Serbi varet nga stabiliteti politik në të dyja vendet

Sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i ndërlidhur ngushtë me stabilitetin politik në të dyja vendet. Ai vlerëson se pa formimin e një qeverie të re në Kosovë dhe pa një përgjigje adekuate për protestat që po ndodhin në Serbi, nuk ka asnjë mundësi që të rifillojë një dialog cilësor.

’’Çështja e dialogut është e ndërlidhur me stabilitetin politik edhe në Kosovë edhe në Serbi, prandaj pa krijimin e qeverisë në Kosovë dhe pa dhënien e një përgjigje adekuate për protestat që po ndodhin në Serbi nuk mendoj që ka asnjë gjasë që të rifillojë një dialog  kualitativ’’, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri thekson se, edhe pse mund të ketë takime formale mes palëve, nuk do të ketë asnjë zhvillim të rëndësishëm përderisa të dyja shtetet nuk sigurojnë qeveri stabile.

‘’Mund të ketë ndonjë takim formal, por asgjë e rëndësishëm nuk do të zhvillohet përderisa nuk ka qeveri stabile në Kosovë dhe përderisa nuk ka qeveri stabile në Serbi’’, deklaroi Muhaxhiri.