Stoilkoviq nuk e përmirësoi termin “Kosova dhe Metohija” nga faqja e ministrisë edhe pasi Kosova i dërgoi notë proteste RMV-së

Pavarësisht notës së protestës nga Kosova dhe deklaratës së tij se do e largojë termin “Kosova dhe Metohija” nga faqja e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive të RMV-së, ministri Ivan Stoilkoviq ende nuk e ka bërë këtë, ndërkaq i ikë pyetjes se a do e largojë këtë term nga komunikata, shkruan Portalb.mk. “Për përfaqësuesit e […]

Jan 24, 2025 - 20:00
 0  5
Stoilkoviq nuk e përmirësoi termin “Kosova dhe Metohija” nga faqja e ministrisë edhe pasi Kosova i dërgoi notë proteste RMV-së
Foto ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja e Donika Gërvalla Shvarc dhe Ivan Stoilkoviq e marrë nga faqet zyrtare)

Pavarësisht notës së protestës nga Kosova dhe deklaratës së tij se do e largojë termin “Kosova dhe Metohija” nga faqja e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive të RMV-së, ministri Ivan Stoilkoviq ende nuk e ka bërë këtë, ndërkaq i ikë pyetjes se a do e largojë këtë term nga komunikata, shkruan Portalb.mk.

“Për përfaqësuesit e popullit serb, gjithmonë do të jetë “Kosova dhe Metohija”, sepse është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së. Megjithatë, unë jam edhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe zëvendëkryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe politikisht do të veproj sipas vendimeve të Maqedonisë së Veriut”, tha zëvendëskryeministri Stoilkoviq në deklaratë para mediave.

Kjo është hera e dytë që Stoilkoviq e përsëriti të njëjtën deklaratë, por kësaj radhe për dallim nga hera e parë kur tha se do ta përmirësoj kumtesën, sot nuk e përmendi këtë, por vetëm ritheksoi qëndrimin serb në raport me Republikën e Kosovës.

Nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, për KALLXO kanë konfirmuar se e kanë përcjellë verbalisht indinjatën përmes Ambasadës në Shkup dhe u kanë dërguar Notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, deri më sot, asnjë zyrtar nga Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk rreth qëndrimeve të ministrit serb në qeverinë e RMV-së.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se gjithë përfaqësuesit e institucioneve të vendit duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Republikën e Kosovës e kemi njohur në vitin 2008 dhe si shtet kemi lidhur një sërë marrëveshjesh bilaterale. Si Qeveri, informojmë se të gjithë duhet të respektojnë vendimet dhe të veprojnë në përputhje me vendimet, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit”, thanë nga zyra e zëdhënësit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk.

Kujtojmë se zëvendëskryeministri Stoilkoviq ishte në shënjestrën e kritikave pasi u zbulua se në një kumtesë zyrtare lidhur me kampin sportiv “Serbia po ju thërret” të publikuar në ueb-faqen e ministrisë me të cilën ai udhëheq, Republikës së Kosovës i drejtohet me “Kosova dhe Metohija”, term të cilin e përdor Serbia në raport me Kosovën.

Republika e Maqedonisë së Veriut e ka njohur Republikën e Kosovës më 8 tetor, 2008, vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008.

Ndryshe, vitin që lamë pas, në aspektin e raporteve Kosovë- Maqedoni e Veriut, shënoi dy momente delikate në raport me Kosovën. Më 10 shkurt 2024 u raportua për një plan atentati ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Shkup, që më pas u tha se nuk ishte e vërtetë. Ndërsa më 2 gusht 2024 presidentja Vjosa Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit, ku u tentua t’i merret telefoni. Por, se dy vendet kanë raporte të mira u theksua në seancën e përbashkët qeveritare, që u mbajt më 18 nëntor 2024 në Prishtinë .

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë disa projekte të përbashkëta që i kanë filluar, si pikat e përbashkëta kufitare “One Stop Shop” dhe rruga ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës.