Mickoski pas amnistimit të të akuzuarve “Organizatorët e 27 prillit”: Nëse s’ka organizatorë, nuk mund të ketë terroristë

Fakt është që nëse nuk ka organizatorë, nuk mund të ketë terroristë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për të komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për pranimin e kërkesës për amnisti të të akuzuarve në rastin “Organizatorët e 27 Prillit”, transmeton Portalb.mk. Duke iu përgjigjur pyetjes, kryeministri u ndal […]

Jan 24, 2025 - 20:00
 0  8
Mickoski pas amnistimit të të akuzuarve “Organizatorët e 27 prillit”: Nëse s’ka organizatorë, nuk mund të ketë terroristë
Foto kolazh - Dhuna në Kuvend, 27 prill 2017

Fakt është që nëse nuk ka organizatorë, nuk mund të ketë terroristë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për të komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për pranimin e kërkesës për amnisti të të akuzuarve në rastin “Organizatorët e 27 Prillit”, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes, kryeministri u ndal më shumë tek të dënuarit e çështjes “27 Prilli”, të cilët vuajnë dënimin me burg për hyrjen me dhunë dhe ngjarjet e Kuvendit të 27 prillit 2017 dhe në kuadër të vendimit të djeshëm të Penales.

“Askush nuk thotë se ata njerëz nuk kanë gabuar, askush nuk thotë se ata njerëz nuk kanë kryer krim, por ata njerëz kaluan mjaft kohë atje (në burg) për krimin e tyre. Dhe ata që udhëhoqën një proces të inskenuar politik, për të cilin kemi thënë njëqind herë në të kaluarën, duhet të vendosin gishtat në kokë dhe të mendojnë se çfarë po bëjnë dhe çfarë kanë bërë”, tha Mickoski.

I pyetur nëse ka pasur presion ndaj gjyqtarit për vendimin e djeshëm për rastin “Organizatorët e 27 prillit”, Mickoski tha se nuk e njeh gjyqtarin dhe as nuk e kishte parë ndonjëherë fizikisht.

“Unë as nuk e kam përshëndetur dhe as nuk do ta njihja nëse do ta shihja, kështu që nuk do të doja të komentoja për atë pjesë. Ndoshta të gjithë ata që kanë bërë presion që përmes një procesi të inskenuar politikisht, njerëzit sot të qëndrojnë në burg për shtatë apo tetë vjet për shkak të terrorizmit, duhet të përgjigjen për këtë. Po e përsëris, asnjëri prej tyre nuk thotë se nuk kanë gabuar, por nuk janë terroristë në asnjë mënyrë. Tani që tashmë është e qartë se nuk ka organizatorë, nuk e di se si mund të ketë terroristë”, tha kryeministri.

Ai tha se nuk është një rast i vjetruar, por, siç tha ai, interpretimi është se akuzat ndaj tyre janë ngritur pas skadimit të afatit për paraqitjen e kërkesës sipas Ligjit për Amnisti.

“Nuk kanë pasur mundësi të paraqesin kërkesë brenda afatit, pra kanë qenë të pafavorizuar. Ky është thelbi, jo se lënda është e vjetruar apo diçka tjetër”, shtoi kryeministri.

Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi më 23 janar të lirojë nga ndjekja penale ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, si dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Vladimir Atanasovski, të cilët ishin akuzuar si “organizatorë të ngjarjeve të dhunshme” në Kuvendin maqedonas më 27 prill 2017.

Vendimi i gjykatës u bazua në mendimin e Prokurorisë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që sugjeronte zbatimin e Ligjit për amnisti të vitit 2018.

Të akuzuarit u përballën me akuzën :“Kanosje terroriste e rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Gjykatësi Ilija Trpkov shpjegoi se ai personalisht, dhe Këshilli ende qëndrojnë në mendimin se qëllimi i ligjvënësve nuk ka qenë që të amnistojë organizatorët.

“Por, në dispozitat e Ligjit për amnistinë, ekziston një lidhje sipas së cilës Prokuroria Publike dhe ajo e Apelit, konsiderojnë se këta të pandehur nuk janë persona që kanë vepruar në kundërshtim me autoritetin e tyre zyrtar gjatë kryerjes së veprës penale të kërcënimit terrorist të rendit kushtetues”, tha gjykatësi Ilija Trpkov, duke nënvizuar se vendimi për amnisti, ka të ngjarë të ngjallë edhe emocione.

Ky ishte procesi i dytë gjyqësor ndaj “organizatorëve të ngjarjeve të 27 prillit”.

Me të njëjtin ligj, në një procedurë tjetër, u liruan edhe disa ish-deputetët Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Krsto Mukoski, Ljupcho Dimovski, Johan Tarçulovski, si dhe udhëheqësit e protestave “Për Maqedoninë e përbashkët”, Boris Damovski, Bogdan Ilieski, Vlado Jovanovski dhe Igor Durlovski.

Në gjykimin e parë, që përfundoi në korrik të vitit 2021, Veljanovski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim. Ish-ministrat Janakievski dhe Ristovski morën dënime prej gjashtë vjet e tre muaj, ndërsa ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski, u dënua me gjashtë vjet burg.

Por, në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë. Ndër arsyet për anulimin e këtij vendimi ishte se gjykata e shkallës së parë kishte injoruar ankesat e të akuzuarve kur kërkuan amnisti, sipas Ligjit për amnisti, për ngjarjet e dhunshme në Kuvend. E njëjta lëndë, më vonë u kthye në rigjykim. Ndërkaq, me vendimin e fundit, gjykata ndërprenë të gjitha procedurat gjyqësore ndaj katër të akuzuarve.

Me të njëjtin ligj, në një procedurë tjetër, u liruan edhe disa ish-deputetët Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Krsto Mukoski, Ljupcho Dimovski, Johan Tarçulovski, si dhe udhëheqësit e protestave “Për Maqedoninë e përbashkët”, Boris Damovski, Bogdan Ilieski, Vlado Jovanovski dhe Igor Durlovski.

Nga dhuna e 27 prillit 2017 në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.