Strumica dhe Karposhi do të largohen nga BNJVL, Kostadinov: Ky është një nga skandalet më të mëdha në Evropë

Komuna e Strumicës do të largohet nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL). Kryetari i Komunës, Kostadin Kostadinov ka njoftuar në Facebook se për këtë do të përgatisë një shkresë zyrtare, transmeton Portalb.mk. “Me shqetësim të madh për banorët e Strumicës sime, nesër do të përgatis një letër zyrtare, BNJVL nuk e meriton pjesëmarrjen […]

tetor 24, 2024 - 18:00
 0  6
Strumica dhe Karposhi do të largohen nga BNJVL, Kostadinov: Ky është një nga skandalet më të mëdha në Evropë
Kostadin Kostadinov. Foto: Komuna e Strumicës

Komuna e Strumicës do të largohet nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL). Kryetari i Komunës, Kostadin Kostadinov ka njoftuar në Facebook se për këtë do të përgatisë një shkresë zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Me shqetësim të madh për banorët e Strumicës sime, nesër do të përgatis një letër zyrtare, BNJVL nuk e meriton pjesëmarrjen e Strumicës. Po largohemi nga BNJVL, me gjithë përgjegjësi, përpjekje për bashkëpunim, partneritet, mjaft. Filozofi pa pragma, dëm për të cilin paguajnë qytetarët! Ky është një nga skandalet më të mëdha në Evropë për shkeljen e të drejtave të njeriut, të drejtave dhe lirive kushtetuese. Për Strumicën time nuk ka pasur kompromise, nuk do të ketë kurrë! Paçi fat”, ka shkruar Kostadinov në Facebook.

Kurse kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, paralajmëroi se do t’i bashkohen Komunës së Strumicës në largimin e BNJVL-së.

“Kam kohë që përgatitem të largohem nga BNJVL. Le të bëjnë festë atje”, thotë Jakimovski.

Ai theksoi se një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, sepse qyteti është financuesi kryesor i BNJVL-së dhe nuk merr asgjë në këmbim.

Kujtojmë se në gusht të këtij viti edhe Bashkimi Demokratik për Integrim kërcënoi se kryetarët e saj po shqyrtojnë largimin nga BNJV, pasi e njëjta sipas tyre po keqpërdoret për motive politike

“Tendenca për ta centralizuar zhvillimin e punëve të BNJVL me qëllim të anashkalimit të kryetarëve të komunave nga radhët e Frontit Evropian është e papranueshme. Pas shkeljes së legjitimetit në nivel qendror me rastin e formimit të pushtetit ekzekutiv, tani Qeveria VMRO-VLEN ka filluar ta keqpërdor në të gjitha format edhe punën e BNJVL-së”, thonë nga BDI.

Kjo mospërfillje e krerëve të komunave nga radhët e opozitës shqiptare, shtuan nga kjo parti, ka tendencë të asgjësimit të vullnetit politik dhe partive shqiptare edhe në nivel lokal.

Braktisja e BNJVL-së vjen pasi që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që dje informoi se uji nga ujësjellësi i Strumicës ende është i ndaluar për pije, por kryetari Kostadin Kostadinov thotë se uji është në rregull si në përbërje kimiko-fizike ashtu edhe në mikrobiologjik. Lufta nëse uji është i sigurt për t’u pirë apo jo vazhdon prej tre javësh kur AUV-ja njoftoi se ishte me defekt për shkak të pranisë së shtuar të mineralit të manganit, i cili është jetik për trupin e njeriut, por në doza shumë të vogla.

Megjithatë, një javë më parë, Qeveria vendosi që me 65 milionë euro nga kredia hungareze të realizohen 274 projekte në gjithsej 77 komuna. Në listën e komunave mungojnë katër komuna të udhëhequra nga opozita – Strumicë, Qyteti i Shkupit, Saraj dhe Tearcë. Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se Strumica është refuzuar për shkak se ka konkurruar me një projekt që tashmë ishte tenderuar. As Qyteti i Shkupit nuk ka dritë jeshile.