RMV, një pjesë e çmimeve të shërbimeve të Agjencisë së Kadastrës janë ulur deri në 75%
Prej sot një pjesë e madhe e shërbimeve të Agjencisë për kadastër të patundshmërive do të kenë çmime të reduktuara. Kjo është pjesë e ndryshimeve dhe shtesave në tarifat që u publikuan në “Gazetën Zyrtare” javën e kaluar, transmeton Portalb.mk. Me këto ndryshime dhe shtesa, siç informojnë nga Agjencia e Kadastrës, çmimet e shërbimeve më […]
Prej sot një pjesë e madhe e shërbimeve të Agjencisë për kadastër të patundshmërive do të kenë çmime të reduktuara. Kjo është pjesë e ndryshimeve dhe shtesave në tarifat që u publikuan në “Gazetën Zyrtare” javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.
Me këto ndryshime dhe shtesa, siç informojnë nga Agjencia e Kadastrës, çmimet e shërbimeve më të shfrytëzuara të Agjencisë ndryshojnë dhe ulen për 75 përqind.
Me ndryshimet, siç thuhet nga Agjencia, për blerjen dhe shitjen e një apartamenti dhe një parkingu, pavarësisht nga numri i tapive, në bazë ligjore, në një komunë kadastrale, shërbimi që do të duhet të paguhet është 1.250 denarë.
Me zvogëlimin e shërbimeve mbulohen edhe vendimet për trashëgiminë dhe marrëveshjet e dhurimit, ku tash e tutje në një komunë kadastrale në bazë ligjore do të ngarkohet taksë në vlerë prej 1.250 denarë, e jo 1.250 denarë për çdo akt pronësor si më parë.
Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Ivan Zhivkovski, thotë se me zvogëlimin e këtyre shërbimeve është kompletuar procesi në të cilin janë duke u punuar në periudhën e kaluar.
Ai thotë se në periudhën e ardhshme do të punohet edhe në digjitalizimin e kadastrës, në mënyrë që shërbimet të jenë edhe më të qasshme për qytetarët dhe personat juridikë.
Këto ulje u paralajmëruan në gusht nga drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive Ivan Zhivkovski, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, ku tha se ka paraqitur propozim për uljen e tarifave, përkatësisht që së shpejti të ulen çmimet e shërbimeve deri në 75 përqind.
Propozimi erdhi si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve në shkurt 2024.