Takimi do mbahet sot, Mickoski: Taravari do të vendosë, Qeveri reformash apo koalicion që për vite e kriminalizoi shtetin
Sot do të mbahet takim midis kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Takimi ka të bëjë me funksionimin e mëtejshëm të Taravarit në Qeveri dhe bashkëpunimin e mundshëm me BDI-në në zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk. “Po, takimi do të mbahet sot në orën 17:00 në Qeveri. Do të jetë takim […]


Sot do të mbahet takim midis kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Takimi ka të bëjë me funksionimin e mëtejshëm të Taravarit në Qeveri dhe bashkëpunimin e mundshëm me BDI-në në zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk.
“Po, takimi do të mbahet sot në orën 17:00 në Qeveri. Do të jetë takim ku do të bisedojmë me Taravarin rreth zhvillimeve politike aktuale”, tha Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske.
“Sa i përket aktiviteteve të tij aktuale si pjesë e Qeverisë, ne pothuajse çdo ditë komunikojmë. Sigurisht që kjo është pjesë e pashmangshme. Por, në përgjithësi do të doja të dëgjoj se si mendon për zhvillimet e fundit që janë të njohura për opinionin. Sipas mendimit tim, ka dy opsione për të zgjedhur. Njëra është ajo që e ofron kjo Qeveri – reforma, ndryshime, rezultate për qytetarët. Opsioni tjetër është ai që për më shumë se dy dekada e kriminalizoi shtetin, i shkatërroi institucionet dhe praktikisht e gjunjëzoi shtetin dhe qytetarët. Kjo është zgjedhja. Nuk ka opsion të tretë dhe do të doja nga z. Taravari të dëgjoj se cili është opsioni i tij, sepse unë nuk shoh një opsion të tretë”, tha Mickoski.
Mickoski theksoi se si njeri ka mendim pozitiv për Taravarin.
“Sa i përket marrëdhënieve të mia personale me Taravarin, ne në politikë kemi komunikuar prej shumë kohësh. Si njeri kam një mendim pozitiv për Taravarin, por në politikë fytyra është diçka që ose e ke ose nuk e ke, këtu nuk ka variante fluide, ose e mban fjalën, ose nuk e mban. Unë mendoj që në rastin konkret, të paktën tre herë kam treguar që e mbaj fjalën, edhe në momente kur ka pasur dilema brenda udhëheqësisë së partisë. Prandaj, lojërat prapa skene janë lojëra të tejdukshme, identifikohen dhe njihen lehtësisht dhe zakonisht u kthehen atyre që i bëjnë”, tha ai.
Mickoski deklaroi se Taravari dhe bashkëpartiakët e tij duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë që ecën në rrugën e reformave dhe sundimit të ligjit, apo do të zgjedhin të koalicionojnë me forca politike për të cilat, sipas tij, vitet e kaluara e kriminalizuan shtetin.
“Nuk kam ndërmend të lus askënd, me apo pa Taravarin, Qeveria është stabile, e fortë dhe me shumicë të madhe, u mbetet atyre dhe bashkëpartiakëve të tij të vendosin. E përsëris, a do të ecim në rrugën e reformave, sundimit të ligjit, luftës për një shoqëri të drejtë dhe institucione që funksionojnë, apo do t’u bashkohen dhe do të koalicionojnë me ato forca politike që për vite e kriminalizuan dhe e shkatërruan shtetin. Zgjedhja është e tyre”, është decid Mickoski.
Për Mickoskin, siç e përmendi dje, është e papranueshme nëse Taravari bashkëpunon me BDI-në.
“Një takim i tillë do të zhvillohet javën tjetër, mendoj se është nesër. Duhet ta shikoj agjendën, por mendoj se është nesër. Në takim, dua qartë të dëgjoj një qëndrim nëse është e vërtetë që ekziston një marrëveshje midis partisë së Taravarit dhe BDI-së që në të paktën pesë ose gjashtë komuna, të mos spekulohet me emrat, ku ai do të paraqesë kandidatë, BDI nuk do të ketë kandidatët e vet për kryetar komune, që së pari do të thotë vetëposhtërim, si parti politike, dhe së dyti se do ta mbështesë atë në heshtje. Kjo është e papranueshme për mua si kryeministër”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas shënimit të 122-vjetorit të vdekjes së Goce Delçevit.
Ai shtoi se ai dhe Taravari, si kolegë në Qeveri, kanë komunikim të përditshëm.
Mickoski informoi gjithashtu se në gjysmën e dytë të këtij muaji, do t’ia paraqesë Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së emrat e kandidatëve për kryetarë komune për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
Taravari nga ana tjetër, i cili ishte sot në Tetovë, nuk dha detaje të mëtejshme përpara takimit të planifikuar për në orën 17:00 në Qeveri.
Në deklaratën e tij për mediat, ai tha vetëm shkurt se ata i qëndrojnë vendimit të marrë nga Kryesia Qendrore për të kandiduar në zgjedhjet lokale me lista të veçanta këshilltarësh dhe se do të dëgjojnë qëndrimin e Kryeministrit, pas së cilës do të vlerësojnë si parti se si të veprojnë.
“Sot kemi takim me kryeministrin Mickoski, asgjë të veçantë. Ajo që kemi kaluar në Kryesinë Qendrore është se Aleanca për Shqiptarët do të ketë listat e veta të këshilltarëve dhe me shumë mundësi kandidatët e vet për kryetar komune në komunat ku po kandidojmë. Pra, do ta dëgjojmë edhe kryeministrin dhe më pas do të vlerësojmë se si do të veprojmë më tej”, tha Taravari, i cili sot mori pjesë në testimin e specializantëve privatë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës.
Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Taravari ka vendosur të kandidojë me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet e ardhshme lokale. Pas këtij vendimi, partnerët e tij të koalicionit në VLEN vendosën që Koalicioni të bëhet parti, por pa Aleancë, dhe Taravari e akuzoi atë për kontakte me BDI-në opozitare.
Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.
Tani për tani, pikëpyetje mbetet fati i dy subjekteve politike për qëndrim më tej në qeveri. Muajin e fundit në disa paraqitje Mexhiti dhe Kasami ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, por kjo e fundit thotë se gjithçka varet nga vendimi i Mickoskit.
Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.