Takimi Gashi-Kurti: Të dy vendet ndajnë vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor të qëndrueshëm

Delegacioni i Kuvendit i kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ka realizuar takim me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, transmeton Portalb.mk. Në takim, Kryetari Gashi e konfirmoi qëndrimin se Republika e Maqedonisë së […]

Nëntor 25, 2024 - 19:00
 0  6
Takimi Gashi-Kurti: Të dy vendet ndajnë vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor të qëndrueshëm
Afrim Gashi dhe Albin Kurti. Foto: Kuvendi i RMV-së

Delegacioni i Kuvendit i kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ka realizuar takim me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, transmeton Portalb.mk.

Në takim, Kryetari Gashi e konfirmoi qëndrimin se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të ketë qëndrim afirmativ për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë plan edhe në të ardhmen. E shprehu gatishmërinë që Kuvendi t’i ndajë përvojat e tij në procesin e miratimit të ligjeve dhe mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv në kontekst të proceseve reformuese, si në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ashtu edhe në lidhje me anëtarësimin në NATO.

“Si vend anëtar i NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë dhe kontributit të saj në KFOR. Gashi theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe me përpjekje të përbashkëta shtetet mund t’i tejkalojnë sfidat dhe të sigurojnë prosperitet dhe stabilitet për qytetarët e tyre”, njoftojnë nga Kuvendi.

Kryetari i Qeverisë, Kurti theksoi se takimi i sotëm, i cili pason menjëherë pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, është tregues se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës po marrin përmasa të mëdha.

“Kurti theksoi se përparimi ekonomik, bashkëpunimi i komuniteteve të biznesit dhe përafërimi i standardeve evropiane janë themeli i bashkëpunimit midis dy vendeve. Republika e Kosovës sheh aleat, mik dhe zëdhënës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, andaj si kryeministër vazhdimisht përkrah komunikimin dhe thellimin e bashkëpunimit në nivel parlamentar në të gjitha sferat e interesit të Rajonit”, thonë nga Kuvendi.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se mbajtja e Mbledhjes së Dytë të Përbashkët të Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, padyshim do të jetë impuls pozitiv për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, nxitjen e dialogut politik pozitiv dhe ngritjen e interesave të përbashkëta për bashkëpunim më intensiv.

“E theksuan gjithashtu rëndësinë e Protokollit të nënshkruar midis dy vendeve, i cili prek drejtpërdrejt qytetarët sepse e shkurton kohën e pritjes në pikat kufitare. Konkluduan se bashkëpunimi i ndërsjellë në segmente të ndryshme është në të mirë të qytetarëve tanë dhe duhet të vazhdojë me intensitet edhe më të madh në periudhën e ardhshme”, shtojnë nga Kuvendi.

Ndryshe, pas përfundimit të së seancës u nënshkruan protokolle dhe memorandume bashkëpunimi në tre fusha.

E para është memorandum për energjetikën, minierat dhe burimet minerale, ku përcaktohen nismat për bashkëpunim në fushën e energjetikës, gazit, qymyrit, energjisë elektrike dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore për interkoneksionin e gazit dhe nisma të tjera projektesh, si dhe nisja e bashkëpunimit për të shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të një lidhjeje të re direkte të gazit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

E dyta është informacion mbi nënshkrimin e Protokollit ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes për pikëkalimet kufitare të përbashkëta “Bllacë – Hani i Elezit” dhe “Jazhincë – Glloboqicë”. Ky protokoll rregullon mënyrën e kontrolleve dhe inspektimeve doganore, infrastrukturën e pikave të përbashkëta kufitare, ndërlidhjen reciproke të sistemeve të menaxhimit kufitar dhe mënyrën e mirëmbajtjes së objekteve.

Dokumenti i tretë, që u nënshkrua, është një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.