Taravari: Të gjithë pacientët nga Shtipi dhe Koçani janë sjellë në Shkup dhe janë në gjendje stabile, 51 pacientë po trajtohen në qendra mjekësore jashtë vendit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në një konferencë për media ka informuar se pacientët nga zjarri në Koçan janë në gjendje relativisht stabile, ndërsa 20 pacientë janë në gjendje kritike. Ai bëri të ditur se sot dhe nesër priten komplikime të mundshme. Siç tha ai, ka pacientë të rinj që kanë qenë pjesë e […]

Mars 17, 2025 - 12:00
 0  4
Taravari: Të gjithë pacientët nga Shtipi dhe Koçani janë sjellë në Shkup dhe janë në gjendje stabile, 51 pacientë po trajtohen në qendra mjekësore jashtë vendit
Arben Taravari. Foto: Printscreen nga video e MIA.mk

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në një konferencë për media ka informuar se pacientët nga zjarri në Koçan janë në gjendje relativisht stabile, ndërsa 20 pacientë janë në gjendje kritike. Ai bëri të ditur se sot dhe nesër priten komplikime të mundshme. Siç tha ai, ka pacientë të rinj që kanë qenë pjesë e ngjarjes tragjike në Koçan, por dje nuk janë paraqitur, por janë paraqitur sot, transmeton Portalb.mk.

“Përfunduam mbledhjen e Shtabit të Krizave dhe bëmë një pasqyrë të situatës. Fatmirësisht pacientët që u sollën dje në spitalet në të gjithë vendin janë në gjendje stabile. Ndërsa ata që janë transportuar jashtë vendit, gjithsej 51 deri më tani, janë të gjithë në gjendje përgjithësisht stabile. Por një problem i ri lind kur ka pacientë që nuk janë paraqitur dje, por janë paraqitur sot. Dëshiroj të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që ishin pjesë e ngjarjes tragjike në Koçan dhe nuk u paraqitën dje, i lus që të paraqiten sot”, tha Taravari.

Nga personat e lënduar dje në tragjedinë në Koçan, 84 pacientë janë duke u trajtuar në vend dhe 51 pacientë jashtë vendit. Në Truqi janë 9 pacientë (3 në Stamboll dhe 6 në Ankara), në Bullgari 14, në Greqi pesë, në Serbi 17, në Hungari 2 dhe në Rumani katër, informoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

“Sot besoj se shkon edhe një fluks i pacientëve, në Slloveni katër, në Kroaci katër, në Austri gjashtë dhe në Beograd edhe 12 pacientë”, tha ministri Taravari.

Siç tha ai, të gjithë pacientët që ishin në Koçan dhe Shtip tani janë të vendosur në Shkup. Nuk ka më pacientë në Koçan dhe Shtip.

Taravari nënvizoi se situata është nën kontroll dhe presin më pak komplikime.

Dje zjarri në diskotekën e Koçanit mori pas vete jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë.

Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit. 

Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar. 

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë. 

Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë. 

Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës. 

Prokuroria Publike ka formuar ekip të prokurorëve të cilët po kryejnë hetime për rastin. Sipas këtij institucioni, janë duke u zhvilluar procedura hetimore për 11 persona. 

Prokuroria ka dorëzuar propozim për paraburgim të shkurtër tashmë për 8 persona, ndërsa 3 të tjerët ende janë të shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në pyetje është marrë edhe ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Kryeprokurori Lupçp Kocevski ka bërë të ditur se objekti ka pasur lëshime të mëdha dhe se “bëhet fjalë për rrëzim të sistemit”, duke shtuar se objekti nuk kishte asgjë që parashikonte ligji – nuk kishte hidrantë, nuk kishte derë rezervë për evakuim (d.m.th., ishte i mbyllur me dry dhe pa dorezë në brendësi), në mënyrë të paligjshme janë lëshuar mjete piroteknike – dhe shumë krime të tjera. 

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski bëri të ditur se për këtë tragjedi dyshohen rreth 20 persona dhe se 15 ndodheshin në stacion policor.

Diskoteka, siç ka bërë të ditur Toshkovski ka punuar pa licencë legale. Ai tha se dyshohen edhe zyrtarë shtetërorë nga institucione të ndryshme si: një ish-sekretar shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një ish-udhëheqës i një sektori brenda Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të tjerë brenda drejtorisë.

Autoritetet kanë premtuar hetim dhe zbardhje të plotë të rastit. 

Për këtë tragjedi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie në të gjithë vendin. 

Qeveria gjithashtu ka sjellë vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut në tre ditët e ardhshme të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike. 

Krerët shtetërorë dhe liderët politikë kanë kërkuar hetim dhe zbardhje të plotë të rastit sa më shpejtë. 

Në ndihmë të fatkeqësisë dhe familjeve kanë dalë ekipet e Kryqit të Kuq, institucionet të ndryshme, vendet fqinje, BE-ja si dhe bamirës të ndryshëm. 

Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë, Kryqi i Kuq ka publikuar llogaritë për donacione për të dëmtuarit nga zjarri 

Ndonëse rast i ndjeshëm, edhe në këtë rast pati akuza politike midis partive të opozitës dhe pushtetit. 

Nëpër qytete të ndryshme janë organizuat tubime të ndryshme dhe vendosje të luleve në nder të viktimave. 

Më poshtë mund të lexoni të gjithë përmbledhjen e detajuar me ngjarjet e ditës së djeshme.