Të gjithë anëtarët e Komisionit për falje në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dorëheqje

Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se të gjithë anëtarët e Komisionit për falje kanë dhënë dorëheqje, për arsye personale dhe profesionale, transmeton Portalb.mk. “Anëtarët e Komisionit për falje sot e kanë informuar presidenten Gordana Siljanovksa Davkova se kanë dhënë dorëheqje kolektive nga pozitat në Komision”, njoftuan nga Presidenca, e cila ka njoftuar se […]

tetor 27, 2024 - 02:01
 0  9
Të gjithë anëtarët e Komisionit për falje në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dorëheqje
Gordana SIljanovska Davkova. Foto nga kabineti i presidentes

Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se të gjithë anëtarët e Komisionit për falje kanë dhënë dorëheqje, për arsye personale dhe profesionale, transmeton Portalb.mk.

“Anëtarët e Komisionit për falje sot e kanë informuar presidenten Gordana Siljanovksa Davkova se kanë dhënë dorëheqje kolektive nga pozitat në Komision”, njoftuan nga Presidenca, e cila ka njoftuar se së shpejti do të fillojë konsultimet për përbërjen e re të Komisionit, ndërkohë ka vlerësuar që sistemi për falje ka dobësi ligjore.

Presidentja ka pranuar dorëheqjen e Metodija Kanevçevit, Gordan Kallajxhievit, Arlinda Kadriu Shahinoviqit, Zora Mitiqit, Ana Gjorgjieva Ivanovskës dhe Ajtene Shaqirit.

Ndryshe, konsideroj se ndoshta është koha për një “rifreskim” në Komisionin për falje, tha më 25 tetor ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kuadër të vendimit të fundit për faljen e të dënuarve nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila këto ditë shkaktoi një valë reagimesh në opinionin politik dhe publikut të gjerë.

Kujtojmë se presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova pasdite më 24 tetor ka thirrur në takim gjashtë anëtarët e Komisionit për Falje, i cili vjen pas reagimeve që shkaktuan në opinion disa prej emrave që ishin në listën e të falurve në me rastin e festës 23 Tetori – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase. Takimi vjen edhe pas arrestimit të Akif Ravmanoskit, njërit prej personave të falur nga Siljanovska-Davkova, për të cilin mediat raportojnë se është një nga liderët e grupit kriminal “Baron”.

Më 24 tetor, dy ditë pas shpalljes së vendimit për faljen e tij në “Gazetën Zyrtare”, duke dalë nga burgu “Idrizovë”, ai ishte sërish i dyshuar për një vepër tjetër të kryer dhjetë ditë më parë, përkatësisht përfshirjen në një incident të armatosur në lagjen Çair.