Tërnava pret në takim lamtumirës Hovenierin, ia jep një dhuratë me motive fetare
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim lamtumirës, ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Sipas njoftimit të BIK-ut, Tërnava e ka falënderuar ambasadorin dhe Amerikën për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën. Ai tha se shqiptarët në përgjithësi, por populli i Kosovës në


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim lamtumirës, ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Sipas njoftimit të BIK-ut, Tërnava e ka falënderuar ambasadorin dhe Amerikën për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën.
Ai tha se shqiptarët në përgjithësi, por populli i Kosovës në veçanti, gjithnjë do të jenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë çfarë kanë bërë për Kosovën.
Me rastin e pensionimit të tij, Myftiu Tërnava falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e tij dhe të Ambasadës Amerikane me Bashkësinë Islame të Kosovës në projekte të ndryshme, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij dhe të institucionit të BIK-ut që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, ambasadori Hovenier, falënderoi Tërnavën për pritjen dhe për bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai vlerësoi lart rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe po jep Bashkësia Islame e Kosovës në kultivimin e vlerave të harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në vend, si dhe për përçimin e mesazheve për paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Më tutje bëhet e ditur se Tërnava në fund të këtij takimi i uroi ambasadorit Hovenier shëndet dhe mbarësi në jetën e tij, si dhe i dhuroi një dhuratë me motive nga trashëgimia jonë e çmuar fetare.