Toshkovski: Grubi të kthehet vullnetarisht ose do të duhet të kërkojmë ekstradimin e tij
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski i ka bërë thirrje sërish ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi që të kthehet në vend për të dëshmuar pafajësinë e tij lidhur me akuzat se ai dhe ish-drejtori Përparim Bajrami kanë përvetësuar rreth tetë milionë euro nga Lotaria Shtetërore. Ministri shtoi se nëse do të jetë i pakapshëm, do të […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski i ka bërë thirrje sërish ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi që të kthehet në vend për të dëshmuar pafajësinë e tij lidhur me akuzat se ai dhe ish-drejtori Përparim Bajrami kanë përvetësuar rreth tetë milionë euro nga Lotaria Shtetërore. Ministri shtoi se nëse do të jetë i pakapshëm, do të veprohet në mënyrë tjetër për sigurimin e tij, përkatësisht ekstradim, transmeton Portalb.mk.
“Për personat në fjalë Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj në pjesën e fillimit të procedurës penale. Në Prokurorinë Publike kompetente është dorëzuar kallëzim penal, më tej procesin do ta zhvillojë prokurori publik. Për sa i përket faktit që ato janë të padisponueshëm për autoritetet ligjzbatuese, fatkeqësisht është kështu. Por të paktën njëri prej tyre deklaroi se është i pafajshëm dhe se kjo nuk është një procedurë ligjore, e cila kryhet nga institucionet shtetërore. Për ta vërtetuar këtë, unë nuk e di se përmes cilës rruge ta thërras që të kthehet vullnetarisht në Maqedoni dhe të dëshmojë pafajësinë e tij së bashku me partnerin e tij, i cili gjithashtu është i padisponueshëm për autoritetet, para organeve përgjegjëse për zbatimin e kësaj lloj procedure të përndjekjes, për dyshime të bazuara se ata kanë vjedhur popullin e tyre në mënyrë mjaft armiqësore në vitet e kaluara”, tha Toshkovski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a ka momente të reja rreth kërkimit të këtyre dy personave, Toshkovski theksoi se institucionet kompetente janë duke punuar për zbulimin e tyre. Ai ka përsëritur se për të dy personat është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
“Nëse në të ardhmen i njëjti nuk tregon virtyt që të kthehet në shtetin që e ka ushqyer për më shumë se 40 vjet, do të veprohet në mënyrë tjetër për sigurimin e tij para institucioneve kompetente. Dihet cilat janë procedurat sipas ligjit, kështu që nuk dua të hy në atë pjesë tani. Qartë është shkruar procedura e ekstradimit të personave të caktuar që janë të pa qasshëm për organet e ndjekjes. Nuk dua të spekulojë për informacione që nuk janë konfirmuar zyrtarisht”, tha Toshkovski.
Kujtojmë se, më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Megjithatë pak para formimit të lëndës, Grubi dhe Bajrami ishin larguar nga shtetit dhe mbeten ende të pakapshëm për organet e rendit të RMV-së.
Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’
Më 29 dhjetor prokurori republikan Lupço Kocevski tha se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Kurse kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se ka informacione se ku ndodhet Grubi.
Më 24 dhjetor, Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Më 23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.
Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë
Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.
Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.
Më 18 dhjetor konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku u mor në pyetje në polici për shkak të dyshimeve se e ndihmoi Grubin të arratiset.
Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’.
Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar
Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”,
Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.