Toshkovski për djegien e veturave dhe një dyqani në Kumanovë: Është e qartë se bëhet fjalë për një grup të organizuar mirë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dyshon se pas incidenteve të dy ditëve në Kumanovë, kur u dogjën disa vetura dhe një dyqan fotokopjesh, qëndron një grup i organizuar mirë. Në këtë moment ai tha se nuk mund të japë informacion shtesë për rastin sepse është ende në fazën e hetimeve paraprake, por për […]

dhjetor 4, 2024 - 14:00
 0  6
Toshkovski për djegien e veturave dhe një dyqani në Kumanovë: Është e qartë se bëhet fjalë për një grup të organizuar mirë
Pançe Toshkovski. Foto printscreen nga videoja e MPB-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dyshon se pas incidenteve të dy ditëve në Kumanovë, kur u dogjën disa vetura dhe një dyqan fotokopjesh, qëndron një grup i organizuar mirë. Në këtë moment ai tha se nuk mund të japë informacion shtesë për rastin sepse është ende në fazën e hetimeve paraprake, por për dallim nga incidentet në Shkup nga java e kaluar, kur u gris flamuri i Maqedonisë, tha se pas këtij rasti qëndron qartë një grup i organizuar mirë, transmeton Portalb.mk.

“Për rastin në Shkup mund të dyshojmë nëse fëmijët e kanë shkaktuar incidentin aksidentalisht apo dikush i ka motivuar në përputhje me rrethanat, por në rastin e dytë me djegien e veturave ka qenë një grup i organizuar mirë”, tha Toshkovski.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të së gazetarëve, ministri tha se në këtë moment nuk do të donte të spekulonte pse në këtë incident u dogjën veturat dhe objektet e zyrtarëve të BDI-së.

“Ka pasur supozime që kanë qenë të ndara në opinion nga parti të ndryshme. Ndoshta bëhet fjalë për fatura të padorëzuara nga e kaluara, ndoshta për nxitje të tensioneve, ndoshta për arsye krejtësisht të treta. Për momentin mendoj se nuk do të ishte me vend të flisja sepse jemi në fazën e hetimeve paraprake”, shtoi ministri.

Lidhur me incidentet e javës së kaluar, kur në raste të veçanta u gris flamuri shtetëror, u përpoq të digjej flamuri kombëtar shqiptar, ministri tha se deri më tani janë arrestuar gjithsej 18 persona, ndërsa katër prej tyre janë në paraburgim.

Kujtojmë se në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit, në Maqedoninë e Veriut ndodhën një sërë ngjarjesh të cilat çojnë në përplasje dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Me rastin e ditës 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u arrestuan tetë persona, tre prej të cilëve përfunduan në paraburgim 8 ditor, për shkak të grisjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjes në rrahje.

Me 1 dhjetor, në Kumanovë u dogjën disa vetura, një objekt afarist dhe një fasadë shtëpie, të u përkasin qytetarëve shqiptar.

Gjithashtu, reagime ka nxitur nisma e ministres së Arsimit Vesna Janeva për hetim nga Inspektorat i Arsimit në shkollën fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Veprimi i Janevës është konsideruar si ksenofobik nga partitë opozitare shqiptare në vend.