Organizatorët e 27 Prillit: Prokuroria mendon se amnistia duhet të vlejë edhe për Janakieskin, Ristoskin dhe Veljanoskin

Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit parashtroi mendim në Gjykatë se Ligji për Amnistinë i vitit 2018, i cili përjashtoi disa nga autorët e akuzuar nga ndjekja penale, duhet të zbatohet edhe ndaj të akuzuarve në rastin e “Organizatorët e 27 Prillit”, raporton Portalb.mk.  Rasti “27 Prilli” ka të bëjë me […]

dhjetor 24, 2024 - 20:00
 0  3
Organizatorët e 27 Prillit: Prokuroria mendon se amnistia duhet të vlejë edhe për Janakieskin, Ristoskin dhe Veljanoskin
Foto kolazh - Dhuna në Kuvend, 27 prill 2017

Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit parashtroi mendim në Gjykatë se Ligji për Amnistinë i vitit 2018, i cili përjashtoi disa nga autorët e akuzuar nga ndjekja penale, duhet të zbatohet edhe ndaj të akuzuarve në rastin e “Organizatorët e 27 Prillit”, raporton Portalb.mk. 

Rasti “27 Prilli” ka të bëjë me akuzat për rrezikim terrorist të rendit kushtetues, ndaj ish-ministrave Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, ish-drejtorit të DSK-së Vlladimir Atanasovski, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanoski.

Mendimi i Prokurorisë referohet Janakieskit, Ristoskit dhe Veljanoskit, por jo edhe Atanasovskit. 

“Në mendimin theksohet se kërkesa e mbrojtjes së të pandehurve për zbatimin e ligjit nuk mund të kundërshtohet, aq më tepër nëse kemi parasysh të pandehurit dhe të dënuarit që tashmë janë amnistuar. Ky mendim u shpjegua në mënyrë të detajuar nga prokurori publik, kryesisht duke marrë parasysh karakteristikat e veprës penale “Rrezikimi terrorist i rendit kushtetues”, dhe cilësinë në të cilën secili prej të pandehurve i ka përmbushur ato karakteristika, e cila është vendimtare për vlerësimin nëse mund të zbatohet apo jo Ligji për Amnisti”, sqaruan mes tjerash nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. 

Për shkak të kësaj seanca e sotme u shty për më 23 janar 2025. 

 Kujtojmë që në prill 2024 Gjykata e Apelit e anuloi vendimin e shkallës së parë të korrikut 2021, me të cilin Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg, Janakieski dhe Ristovski me 6 vjet e tre muaj burg, Atanasovski mori gjashtë vjet burg, pas kësaj çështja u kthye për rigjykim.

Nga dhuna e 27 prillit 2017 në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.