Tragjedia në Koçan, ministri: 20 të dyshuar, diskoteka ka punuar me licencë të falsifikuar të marrë me korrupsion
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski në konferencën për media sot në ora 15:30 në lidhje me tragjedinë e zjarrit në Koçan tha se ka mbi 20 të dyshuar, 15 janë në stacion policor. Disa të dyshuar janë të vdekur dhe disa janë në spital, transmeton Portalb.mk. “Katër personat e […]


Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski në konferencën për media sot në ora 15:30 në lidhje me tragjedinë e zjarrit në Koçan tha se ka mbi 20 të dyshuar, 15 janë në stacion policor. Disa të dyshuar janë të vdekur dhe disa janë në spital, transmeton Portalb.mk.
“Katër personat e dyshuar që janë në spital janë dy anëtarët e grupit muzikor DNK, djali i pronarit të diskotekës dhe menaxheri i kompanisë që e menaxhonte diskotekën” tha ministri.
Ai shtoi se një pjesë e personave të ndaluar që aktualisht ndodhen në stacionin policor janë njerëz që kanë faj të drejtpërdrejtë në lidhje me këtë ngjarje penalo-juridike.
“Sipas provave që kemi deri tani, përkatësisht është ndaluar një person që është organizator i ngjarjes dhe për të cilin kemi dyshim se ka faj të drejtpërdrejtë, tha Toshkovski.
Gjithashtu, janë ndaluar një ish-sekretar shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një ish-udhëheqës i një sektori brenda Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të tjerë brenda drejtorisë.
Diskoteka ka punuar pa licencë legale, tha ai, duke theksuar se në duar mban dy licenca të falsifikuara.
“Licencë ligjore për të punuar kjo kompani nuk ka. Nuk do të doja të zbuloj më shumë detaje në atë drejtim, pasi jemi në fazë të hershme të kësaj procedure hetimore. Dua të them se edhe kjo licencë është e lidhur me ryshfet dhe korrupsion. Në këtë rast kanë emër dhe mbiemër ata që janë të përfshirë në lëshimin e paligjshëm të licencave dhe do të mbajnë përgjegjësi”, tha Toshkosvki.
Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.
Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.
LEXO MË SHUMË NË: