Tre incidente, të përfshirë edhe shtetas të Turqisë
Brenda dy ditëve janë regjistruar tre incidente në Maqedoni ku kanë qenë të përfshirë shtetas të Turqisë, përcjell TV21. Policia ka konstatuar që personi që mbrëmë vonë përplasi kontejnerët me një veturë BMW në kullat Xhevahir, ishte shtetas i Turqisë. “Më 08.11.2025, në orën 22:50, në SPB Shkup është raportuar se në një rrugë ndihmëse të […]
Brenda dy ditëve janë regjistruar tre incidente në Maqedoni ku kanë qenë të përfshirë shtetas të Turqisë, përcjell TV21. Policia ka konstatuar që personi që mbrëmë vonë përplasi kontejnerët me një veturë BMW në kullat Xhevahir, ishte shtetas i Turqisë.
“Më 08.11.2025, në orën 22:50, në SPB Shkup është raportuar se në një rrugë ndihmëse të rrugës “Mateja Matevski” në Shkup, një automjet BMW 5 me targa të Shkupit, i drejtuar nga M.A.A. (22) nga Turqia, me qëndrim të përkohshëm në Shkup, ka goditur kontejnerë dhe një automjet Alfa Romeo me targa të Demir Kapisë. M.A.A. e ka braktisur vendin e ngjarjes, por pas ndërmarrjes së masave nga policia, ai është kapur. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë procedura përkatëse”, thonë nga MPB.
Ndërkaq, në dy raste të tjera, shtetas të Turqisë kanë paraqitur dokumente të falsifikuara gjatë kontrolleve nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
“Më 08.11.2025, Sektori i Punëve të Brendshme – Stacioni Policor Kufitar Gjevgjeli paraqiti kallëzim penal me procedurë të shpejtë në Prokurorinë Themelore Publike Gjevgjeli, kundër K.M. (40) nga Turqia, me qëndrim të përkohshëm në Kosovë, për dyshim të bazuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim dokumenti” sipas nenit 378 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Të njëjtën ditë, rreth orës 07:50, në Vendkalimin Kufitar Bogorodicë, gjatë kontrollit në dalje nga shteti, ai ka paraqitur patentë shoferi të falsifikuar, deri sa udhëtonte me automjet të tipit Mercedes me targa të Kosovës”, thonë nga MPB.
“Sot (09.11.2025) rreth orës 11:00, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupi, policia arrestoi M.G. (33) nga Turqia, i cili gjatë kontrollit në dalje nga shteti ka paraqitur letërnjoftim të falsifikuar të Bullgarisë. Pas dokumentimit të rastit, do të ngritet kallëzimi përkatës penal”, shtojnë nga MPB.